Clinton: E dua Kosovën!
Foto: Laura Hasani

Clinton: E dua Kosovën!

Aktuale qershor 12, 2019 - 22:13
Lexo tjera detaje
Image

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton gjatë një fjalimi të mbajtur gjatë ditës së sotme në Prishtinë ka thënë se e do shumë Kosovën dhe se do të jetë nder i madh në jetën e tij që ka qëndruar bashkë me qytetarët e këtij vendi kundër spastrimit etnik. Ndërsa ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka thënë se lufta në Kosovë ka qenë një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme për demokraci, shkruan Gazeta "Zëri".

20-vjetori i çlirimit të Kosovës u shënua në praninë e shumë miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit të SHBA-së, ish-gjenerali i NATO-s Wesley Clark dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit të Amerikës Matthew Palmer ishin vetëm disa prej të ftuarve që morën pjesë në ceremoninë e organizuar gjatë së mërkurës në Prishtinë.

“Ecja për liri” e personaliteteve të larta ndërkombëtare dhe vendore u bë duke nisur nga sheshi “Skënderbeu”, duke vazhduar më tutje te sheshi “Albright”, ku u bë përurimi i bustit të ish-sekretares së Shtetit, si dhe te bulevardi “Bill Clinton” e në shenjë nderimi për veprën e ish-presidentit të 42-të SHBA-së për Kosovën u bë përurimi i një pllakate me shkrim pranë shtatores së tij.

Gjatë vitit 1999 Aleanca Veriatlantike - NATO kishte bombarduar për 78 ditë rresht mbi caqet serbe në Kosovë me qëllimin që të ndalej gjenocidi dhe agresioni i ushtruar mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Ndërkohë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila pati shënuar fundin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, më 12 qershor ’99 në Kosovë hyri këmbësoria e NATO-s. Rreth 50 mijë trupa të ardhur në Kosovë atëkohë ishin pritur me lule, brohoritma dhe me lot gëzimi nga qytetarët e Kosovës, pjesa dërrmuese e të cilëve kishin humbur familjarë, të afërm e miq të shumtë në luftë. Sikurse para 20 vjetësh që kishin dalë për ta pritur NATO-n, qytetarë të shumtë të Kosovës dolën dje për ta nderuar Clintonin, Albrightin e personalitetet e tjera të ardhura në Kosovë, të cilët luajtën rol kyç në çlirimin e Kosovës. Me flamuj të SHBA-së nëpër duar dhe me brohoritma “USA” ata duartrokisnin pas çdo fjalie të thënë nga miqtë e ardhur nga Amerika.

Thaçi: Më 12 qershor u rilindëm të gjithë

Gjatë ceremonisë në të cilën morën pjesë edhe shumë personalitete të vendeve të rajonit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se 12 qershori është data që i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës. “Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë. 12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit. Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë”, deklaroi ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999 bota e qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, në BE-në e në Aleancën Veriatlantike, sipas Thaçit, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm. “Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm”, shtoi ai. Ndaj sipas të parit të shtetit Kosova do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj miqve ndërkombëtarë. “Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor e qytetërues të pranverës së vitit 1999. Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm”, shtoi ai.

Më tej kreu i shtetit tha se Kosova e meriton të bëhet shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s.

Albright: Kauza jonë për Kosovën ishte e drejtë

Në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, tha se ndihet tejet e lumtur që ka ardhur në Kosovë. Lufta në Kosovë, siç ajo është shprehur, ka qenë një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme për demokraci.

Gjatë fjalimit të saj ish-sekretarja e shtetit ka falënderuar ish-presidentin e 42-të të SHBA-së Bill Clintonin për atë që ka bërë për Kosovën.

“Asnjëra nga ngjarjet nuk mund të festohet dhe të kujtohet pa lidershipin tuaj, president Clinton. Faleminderit që më keni dhënë mundësinë të shërbej, jam shumë krenare për atë që kemi bërë së bashku dhe me të gjithë atë që ju e keni bërë. Lufta në Kosovë ka qenë përballje mes vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme për demokraci. Ne mbizotëruam sepse Aleanca jonë ishte e bashkuar, e fortë dhe më e rëndësishmja ishte se ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë për shkak të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ajo, njofton tutje gazeta "Zëri".

Tash dy dekada pas lirisë Kosova sipas Albrightit ka ndryshuar dukshëm. Qytetarët e Kosovës sipas saj i kanë treguar botës se janë për paqe. “Kosova ka ndryshuar shumë që nga ajo ditë e qershorit 20 vjet më parë, qytetarët e Kosovës i treguan botës se janë të zotuar për paqe dhe për ndërtim të një kombi të ri e demokratik. Komuniteti ndërkombëtar ka ofruar mbrojtje, mirëpo qytetarët e Kosovës e kanë bërë pjesën tjetër, burra dhe gra të të gjitha moshave e të etnive kanë punuar për t’i vendosur bazat e demokracisë”, potencoi ajo.

Teksa ka zbuluar bisedën që kishte para 20 vjetësh me Clintonin, Albright tha se vendimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë nuk ka qenë aspak i lehtë. “Nuk ishte vendim i lehtë. Kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton më kishte telefonuar në mbrëmje, më kishte thënë se planet tona kanë nisur dhe se ne po e bëjmë gjënë e duhur, i thashë, po z. kryetar, ne po e bëjmë gjënë e duhur”, nënvizoi ajo.

Clinton: NATO-ja fitoi luftën, Kosova paqen

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, tha se ka nderin që ka qëndruar pranë Kosovës në ditët më të vështira të saj. “Më pëlqen shumë, e dua këtë vend dhe gjithherë do të jetë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik e për liri. Jam shumë mirënjohës që jam këtu me shumë qytetarë, të cilët kanë qenë pjesë e asaj beteje, mirëpo posaçërisht me sekretaren Madeleine Albright e gjithashtu me gjeneralin Wesley Clark”, deklaroi ai.

Clinton me këtë rast solli në kujtesë momentet kur kishte ardhur në Kosovë dhe kishte takuar qytetarët, që për vite të tëra kishin kërkuar vetëm një gjë, të jetonin të lirë. “E kam në zyrën time një New York një fotografi të Westley Clarkut, të Toni Blairit, fotografinë time dhe të gjithë të tjerët që ishin aty. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë ia kujtoj vetes se cili ka qenë qëllimi i politikës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova para 20 vjetësh. Në shkollën fillore në Ferizaj atë ditë thashë dhe dëshiroj ta them edhe sot, 79 ditë të sulmeve mund ta kenë fituar atë luftë, por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta kanë fituar paqen”, potencoi ai.

Pos kësaj Clinton ka kujtuar edhe një moment tjetër emocionues, kur një kamerier shqiptar i kishte rënë në gjunjë për ta falënderuar për atë që kishte bërë për Kosovën. “Qe 19 vjet që prejse kam dalë nga Shtëpia e Bardhë gjëja më e mrekullueshme që më ndodh është që më ndal dikush në New York ose diku tjetër në botë për të bërë një fotografi. Ose kur isha në një hotel një kamerier shqiptar erdhi dhe më ra në gjunjë për të më falënderuar. Kjo është një gjë e mrekullueshme”, shtoi Clinton.

Clark: Kosovën dua ta shoh në NATO

Në shënimin e 20-vjetorit të lirisë së Kosovës mori pjesë edhe ish-gjenerali i NATO-s Wesley Clark, me ç’rast tha se kthimi në Kosovë paraqet një përvojë të jashtëzakonshme për ta parë demokracinë, udhëheqjen dhe ekonominë e Kosovës dy dekada pas përfundimit të tragjedisë së shkaktuar nga forcat serbe. Me këtë rast Clark tha se pret me padurim anëtarësimin e Kosovës në NATO. “Pres me padurim kohën kur Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO-n. Dua ta shoh këtë vend anëtar të NATO-s, sepse NATO-ja është për ata njerëz që besojnë në liri,” deklaroi Clark.

Me këtë rast teksa e falënderoi Clarkun për ardhjen në Kosovë presidenti Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një vizitë të veçantë për Kosovën.

Palmer: Kosova dhe Serbia t’i lënë anash hatërmbetjet

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit të Amerikës, Matthew Palmer, në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës tha se vendimi i NATO-s për të bombarduar mbi caqet serbe ka qenë mundësia e fundit për ta gjunjëzuar regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

“Sot po shënjojmë 20-vjetorin e mbylljes së operacionit të forcave të NATO-s dhe të KFOR-it. NATO-ja ka intervenuar pas të gjitha shtrembërimeve dhe përpjekjeve diplomatike dhe ai intervenim ka qenë shansi i fundit për të gjunjëzuar regjimin e Millosheviqit dhe për të ndaluar shkatërrimet në këtë vend. Rrethanat në vitin 1999 kanë kërkuar qëllimin që ta shmangim një katastrofë të madhe”, deklaroi ai gjatë ditës së djeshme.

Gjatë fjalimit Palmer tha se liria e Kosovës dhe pavarësia e saj paraqesin vendime që nuk kanë kthim mbrapa.

Më tej kërkoi që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen finale, pasi sipas tij tanimë është momenti i duhur për të ndodhur një gjë e tillë. “Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë së bashku në emër të të gjitha viktimave. Duhet t’i lënë mënjanë hatërmbetjet. SHBA-ja qëndron pranë Kosovës për ta inkurajuar përparimin. Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun deri në njohjen reciproke të të dyja shteteve”, potencoi Palmer.

Veseli: Lidhja e Kosovës me SHBA-në, lidhje shpirtërore

Gjersa foli në organizmin për nder të 20-vjetorit të lirisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se më 12 qershor krahas gëzimit të madh Kosova kujton edhe sakrificën kombëtare e mijëra jetë të flijuara për lirinë. “Përulemi para tyre dhe i jemi falënderues përjetë sakrificës së tyre sublime. Lavdi e përjetshme të rënëve tanë për liri. Respekt për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për NATO-n e udhëhequr nga SHBA-ja, për të gjitha vendet demokratike e për njerëzit e mirë kudo në botë”, theksoi Veseli.

20 vjet më parë, sipas Veselit, SHBA-ja shpëtoi një komb të tërë nga gjenocidi. “Atë që s’e bëjnë fjalët tona sot, e ndiejnë zemrat tona, e ndien shpirti i një kombi të lirë që përkulet me respektin më të madh për ju dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju 20 vjet më parë shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë e vajzat e pambrojtura. Shpëtuat një popull të tërë nga gjenocidi”, shtoi ai.

Haradinaj: Trenat e vdekjes u ndalën nga avionët e jetës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se gjenocidi serb në Kosovë u ndal nga lufta e UÇK-së dhe nga avionët e NATO-s. “Trenat e vdekjes u ndalën nga avionët e jetës dhe ju president Clinton iu përgjigjët vullnetit tonë për jetë dhe thirrjeve të armëve të lirisë. Liria u fitua nga bijtë dhe bijat e këtij populli, nga sakrifica e Jasharëve, rezistenca paqësore e Rugovës, heroizmi i luftëtarëve të lirisë u fitua me NATO-n”, deklaroi Haradinaj.

Ai më tej foli edhe për marrëveshjen me Serbinë, me ç’rast i bëri thirrje Serbisë që ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë. “Paqen e bëjnë të guximshmit e ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit, që ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë, në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë në luftimin e korrupsionit, në forcimin e vendit dhe të ligjit në vendin tonë”, potencoi Haradinaj.

Iu përurua busti në Prishtinë, Albright thotë se është krenare për Kosovën

Sot në Prishtinë, afër obeliskut të “New Bornit”, u bë edhe përurimi i bustit të ish-sekretares Albright. Presidenti Hashim Thaçi tha se ky bust do të jetë i përjetshëm. “Sot është një moment i veçantë, historik dhe special për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës. Me ne sot janë ata që udhëhoqën procesin për bërjen e Kosovës të lirë dhe të pavarur. Sot zbuluam edhe bustin e njeriut që e kemi në mendje dhe në shpirt secili nga ne çdoherë. Ky bust do të jetë i përhershëm për qytetarët e Kosovës”, deklaroi kreu i shtetit.

Ndërkaq ish-sekretarja e shtetit të SHBA-së tha se ndihet tejet falënderuese për bustin e vendosur në Prishtinë. “Do të doja t’i falënderoja të gjithë për këtë nder që më keni bërë. Po ashtu do të doja t’ju falënderoja që më keni bërë të dukem kaq e gjatë. Unë ndihem shumë e nderuar që jam këtu”, deklaroi ajo.

Albright më tutje pohoi se gjëja që e ka bërë më së shumti krenare ndonjëherë është çështja e Kosovës. “Njerëzit më kanë pyetur se cila është gjëja që më ka bërë më së shumti krenare, ju them se ajo është Kosova, sepse kemi bërë që qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe”, është shprehur ajo.

Në kuadër të “Ecjes për Liri” për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës ish-presidenti Bill Clinton vizitoi edhe bulevardin “Bill Clinton”, ku edhe gjendet shtatorja e tij. Në shenjë mirënjohjeje për të u përurua një pllakë afër shtatores së Clintonit.

Ish-presidenti i SHBA-së me këtë rast e cilësoi pllakën si një dhuratë tejet të vlefshme. “Kjo është një dhuratë shumë e çmueshme, faleminderit për këtë pllakë, sepse unë dëshiroj që çdo qytetar i Kosovës të dijë se kjo do të thotë shumë për mua. Jo vetëm për atë çka kam bërë për fëmijët e tyre, për veten, por për atë që ka ndodhur në tërë Evropën”, deklaroi ai./ZËRI