Haliti flet në Sarajevë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë

Haliti flet në Sarajevë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale June 22, 2019 - 23:26
Lexoni detajet

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, në përbërje të të cilit janë edhe: Abdullah Hoti, Glauk Konjufca dhe Ismail Kurteshi, mori pjesë sot në punimet e Sesionit të Gjashtë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP E SEECP/PBEJL-së), me temën: “Lidhje më e mirë për një jetë më të mirë – si të arrihet një ndryshim i madh në procesin e bashkëpunimit rajonal”, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Në emër të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili njëherësh është edhe Kryesues i Delegacionit të Kuvendit në këtë Asamble, delegacionin e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti.

Haliti lajmin e bëri të ditur përmes llogarisë së tij në "Facebook". 

Ai ka shkruar se në fjalën e tij ka theksuar domosdoshmërinë e vendosjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel bilateral.

Postimi i plotë i Halitit: 

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga unë, të cilin e përbëjnë Abdullah Hoti, Glauk Konjufca dhe Ismail Kurteshi, mori pjesë sot në punimet e Sesionit të gjashtë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP E SEECP/PBEJL-së).

Tema e Sesionit, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës, ishte „Lidhje më e mirë për një jetë më të mirë – si të arrihet një ndryshim i madh në procesin e bashkëpunimit rajonal”.

Krahas Kosovës, pjesëmarrës në këtë sesion janë edhe delegacionet nga Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Turqia dhe Serbia.

Si kryesues i Kuvendit të Kosovës, isha pjesëmarrës në takimin e Kryetarëve të Sesionit të Gjashtë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Gjatë kryesimit të saj një vjeçar (korrik 2019/2020), Kosova do të udhëheq edhe takimin e Komisionit të Përhershëm Qendror dhe Sesionin Plenar (takimin e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve pjesemarrëse të SEECP).

Po ashtu Kosova do ta udhëheq edhe Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, në përiudhën 2019-2020.

Shpreh keqardhje, që për shkak të amadamenteve të palës serbe, ky sesion u mbyll pa miratimin e deklartës.

SEECP është një proces rajonal i themeluar në Sofje më 1996 me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin në dimensionin njerëzor, drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

Kurse Asambleja Parlamentare e SEECP ka një rol të rëndësishëm pasi është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore.

Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e SEECP/PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta. XHH