Rreth 700 persona kërkuan shërim jashtë vendit këtë vit

Rreth 700 persona kërkuan shërim jashtë vendit këtë vit

Aktuale June 24, 2019 - 19:05
Detajet

Në Kosovë ende vazhdon të mos ofrohen disa shërbime mjekësore për pacientët me sëmundje të rënda, ku në këtë rast ata detyrohen të kërkojnë trajtimin jashtë vendit.

Sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se në përgjithësi trajtimi i pacientëve jashtë vendit u kushton qytetarëve nga 150 deri në 200 milionë euro në vit.

Ndërsa lidhur me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ofron ndihmën për trajtimin e pacientëve të cilët nuk mund të shërohen në vend, duke ndarë mjete për trajtimin e tyre jashtë vendit.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili bëri të ditur për Indeksonline së për gjashtë mujorin e këtij viti janë ndarë gjithsej 5.3 milionë euro për trajtimin jashtë vendit.

“Gjatë vitit 2019 në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, respektivisht programin e Trajtimin Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, kanë aplikuar 661 persona. Shuma e aprovuar për trajtim jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore është 5.3 milion euro”, ka thënë ai për Indeksonline

Matoshi më tej tha se pacientët të cilët më së shumti kërkojnë ndihmë për trajtimin jashtë vendit nga Klinika e Oftalmologjisë, Ortopedisë, Pediatrisë dhe Onkologjisë.

Më së shumti kërkesa për trajtim jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore vijnë nga Klinika e Oftamologjisë, Ortopedisë, Pediatrisë dhe Onkologjisë”, u shpreh ai

Ndërsa, sa i përket se a do të ofrohen në një te ardhme të afërt këto shërbime edhe në vendin tonë, këshilltari për media i Ministrit të Shëndetësisë thotë se janë duke punuar në atë drejtim, që të mund të ofrohen shërbime shëndetësore shtesë për fëmijët.

“Deri në vitin 2017, programi për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore ka shpenzuar më së shumti të holla për sëmundjet kardiovaskulare. Me investimet që janë bërë në Kardiokirurgji me Kardiologji Invazive, duke e bere atë shërbim 24 orësh, tani të gjitha shërbimet kryhen në QKUK dhe nuk shpenzohen më para për trajtim jashtë Institucioneve Publike. Tashmë ka nisur puna që edhe në Oftalmologji dhe Ortopedi të bëhen investime të nevojshme për rritur dinamikën e punës dhe për të shtuar shërbimet, tha ai.

Derisa në vend janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.

Këshilltari për media i Ministrisë së Shëndetesisë, tha se së shpejti institucionet e shëndetësisë do të jenë të gatshëm për shërbime kirurgjike për fëmijët.

“Tani ka nisur puna për ambientet e brendshme dhe brenda disa muajve ai do të jetë I gatshëm për shërbime kirurgjike për fëmijët. Kjo do të bëjë që edhe kërkesat për trajtim jashtë institucioneve publike të kenë rënie”, ka thënë Matoshi.

Megjithatë, edhe pse institucionet shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë thonë që në të ardhmen të ketë më shumë trajtime në Kosovë, gjendja aktuale mbetet e vështirë për pacientët.