Analistët: Minimale gjasat që sivjet të arrihet një marrëveshje me Serbinë

Analistët: Minimale gjasat që sivjet të arrihet një marrëveshje me Serbinë

Aktuale June 24, 2019 - 22:37
Lexo Detajet

Dështimi i Samitit të Parisit ka shuar shpresat që të ketë përafrim të qëndrimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Njohësit e integrimeve evropiane thonë se gjasat janë minimale për arritjen e një marrëveshjeje brenda këtij viti, por që kanë qëndrime të kundërta në lidhje me përfshirjen e SHBA-së në dialog.

Njohësit e çështjeve politike thonë se dështimi i “Samitit të Parisit” ka shuar gjasat që të arrihet ndonjë marrëveshje eventuale e mes Kosovës dhe Serbisë brenda këtij viti.

Visar Xhambazi nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike thotë se për tu arritur një marrëveshje me Serbinë, përfshirja e SHBA-së në dialog duhet të jetë e pashmangshme.

“Mendoj se një gjë është e sigurt. Pa përfshirjen e SHBA në dialog nuk ka marrëveshje sepse BE-ja nuk ka kapacitet dhe unitet që ta krijoj një unitet të tillë. Si në çdo vend të botës Palestinë-Izrael, Iran apo Kosovë, përfshirja e SHBA e jep atë “vulën” e fundit që marrëveshja të jetë vitale dhe e qëndrueshme në kohë”, thotë për RTV Dukagjini Visar Xhambazi.

Njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha, thotë se SHBA-ja nuk duhet të marr rolin zyrtarë në udhëheqjen e dialogut, pasi sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është problem evropian.

“Duke pasur parasysh dy elemente: Fqinjësia e mirë është një kriter zyrtar i Bashkimit Evropian dhe Kosova e Serbia kanë për synim strategjik Bashkimin Evropian. Prandaj nuk u shkon përshtati as Kosovës e as Serbisë që të ketë kushdo tjetër rolin kyç përpos Bashkimit Evropian”, tha Demush Shasha, përcjell Telegrafi.

Në fund të vitit të kaluar, presidenti amerikan Donald Trump, i pati dërguar një letër presidentit të Kosovës HashimThaçit, ku ndër të tjera i pati bërë thirrje për unitet në dialogun me Serbinë dhe që të dy vendet duhet ta shfrytëzojnë momentumin për arritjen e një marrëveshje, pasi në të kundërtën, sipas Trump do të ishte një kthim tragjik mbrapa.