Kryediplomatja e Norvegjisë: Marrëveshja me Serbinë hap dyert e mbyllura për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Kryediplomatja e Norvegjisë: Marrëveshja me Serbinë hap dyert e mbyllura për Kosovën

Aktuale June 25, 2019 - 07:45
Lexo Detajet
Image

Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri” ka thënë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të ofrojë mundësi të reja dhe do t’i hapë dyert që sot janë të mbyllura për Kosovën, shkruan gazeta "Zëri".

Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të ofrojë mundësi të reja dhe do t’i hapë dyert që sot janë të mbyllura për Kosovën. Kështu ka theksuar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” shefja e diplomacisë norvegjeze, Ine Eriksen Søreide, e cila sot do ta vizitojë Kosovën, me ç’rast do ta takojë presidentin e vendit Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe ministrin e Jashtëm Behgjet Pacollin.

Politikania 43-vjeçare, e cila është gruaja e parë në Norvegji që udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e inkurajon Kosovën e Serbinë ta rifillojnë dialogun e normalizimit të raporteve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Pavarësisht faktit që taksa ndaj mallrave serbe e ka vështirësuar vazhdimin e dialogut në mes të dyja vendeve, ajo shpreson se gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje reciproke dhe e pranueshme, pasi prolongimi mund të bartë gjithmonë rreziqe. “Shpresoj se ky vit mund të jetë një dritare e mundësisë për të arritur një marrëveshje reciproke të pranueshme. Prolongimi mund të përfshijë gjithmonë rreziqe, pasi është e vështirë të parashikohet situata e ardhshme si brenda, ashtu dhe jashtë vendit”, ka pohuar Søreide.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” kryediplomatja norvegjeze ka folur edhe për idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke thënë se një marrëveshje midis Kosovës e Serbisë duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të sigurojë stabilitetin rajonal, ta mbajë Kosovën si një shoqëri shumetnike dhe të jetë e zbatueshme. “Brenda kësaj kornize unë besoj se i takon vetë palëve për të identifikuar se çfarë mund të jetë një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët”, ka potencuar ajo.

Zëri: Znj. Ministre, së shpejti do ta vizitoni Prishtinën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor (Serbi, Maqedoni Veriore dhe Bosnjë e Hercegovinë). Cili është qëllimi i kësaj vizite dhe cilët zyrtarë shtetërorë të Kosovës do t’i takoni?

Søreide: Qëllimi kryesor i vizitës sime është të tregoj mbështetjen norvegjeze për proceset e reformave, për integrimin euroatlantik dhe për rritjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Takimet kryesore do të jenë me presidentin, me kryeministrin dhe me ministrin e Jashtëm. Përveç Kosovës do të vizitoj Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Zëri: Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë ndërprerë për më shumë se 6 muaj, për shkak se përfaqësuesit serbë nuk pranojnë të takohen me palën kosovare pa u hequr taksa 100% ndaj mallrave serbe. Cili është qëndrimi i Norvegjisë për vazhdimin e këtyre bisedimeve?

Søreide: Unë inkurajoj Kosovën dhe Serbinë të rifillojnë dialogun e normalizimit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Dialogu nuk ka alternativë. Një marrëveshje përfundimtare do të ofrojë mundësi të reja, të ashtuquajturat dividendët e paqes dhe do t’i hapë dyert që sot janë të mbyllura për Kosovën.

Taksa e ka vështirësuar vazhdimin e dialogut

Zëri: Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, vazhdon t’i refuzojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave nga Serbia pa njohjen e pavarësisë së Kosovës, me ç’rast janë bllokuar edhe bisedimet politike. A mund të gjendet një kompromis që vazhdimi i bisedimeve të mos ndërlidhet me taksën, në mënyrë që të mos neglizhohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve?

Søreide: Taksat e kanë vështirësuar vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Një përfundim i suksesshëm i dialogut është i rëndësishëm për të ardhmen e të të dyja vendeve. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

Zëri: A e shihni të mundur që gjatë këtij viti Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare politike?

Søreide: Faktori kohor është i rëndësishëm. Shpresoj se ky vit mund të jetë një dritare e mundësisë për të arritur një marrëveshje reciproke të pranueshme. Prolongimi mund të përfshijë gjithmonë rreziqe, pasi është e vështirë të parashikohet situata e ardhshme si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës e mbështet dialogun. Momentalisht, sjellja dhe veprimet nga Kosova dhe nga Serbia po e bëjnë të vështirë arritjen e përparimit në dialog. Shpresoj që të dyja palët do t'i japin dialogut një shans të drejtë për sukses. Ndërtimi i besimit dhe i pajtimit është i nevojshëm për të pasur sukses. Një hap pozitiv do të ishte zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara tashmë në Bruksel.

Zëri: Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, e ka përsëritur disa herë që në kuadër të fazës finale të bisedimeve do të ndodhë korrigjimi i kufirit mes dy vendeve, respektivisht bashkimi i Luginës së Preshevës (tri komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë) me Kosovën. A e përkrah Norvegjia korrigjimin e kufirit ose edhe shkëmbimin e territoreve në mes të dyja vendeve?

Søreide: Një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të sigurojë stabilitetin rajonal, ta mbajë Kosovën si një shoqëri shumetnike dhe të jetë e zbatueshme. Brenda kësaj kornize unë besoj se i takon vetë palëve për të identifikuar se çfarë mund të jetë një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët.

Nacionalizmi përgjatë vijave etnike s’i zgjidh problemet

Zëri: Shkëmbimi i mundshëm i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë a ka rrezik ta hapë “Kutinë e Pandorës” në Ballkan, por edhe më gjerë?

Søreide: Thelbi i Evropës së pasluftës është që shtetet shumetnike bashkëpunojnë ngushtë për të promovuar sigurinë, lirinë dhe prosperitetin për të gjithë. Nacionalizmi përgjatë vijave etnike nuk ka zgjidhur asnjëherë ndonjë problem; vetëm ka krijuar probleme të reja dhe ka nxitur konflikte. Kjo mençuri vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Besoj se fokusi duhet të jetë në një bashkëpunim të fuqishëm rajonal. Përvoja tregon gjithashtu nga rajoni im nordik, se përfitimet më të mëdha nga bashkëpunimi shpesh vijnë nga lidhje të forta me fqinjët tuaj më të afërt, si në lidhje me tregtinë, biznesin, infrastrukturën dhe burimet njerëzore.

Zëri: Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka fituar liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, ndonëse Komisioni Evropian ka konstatuar përmbushjen e kritereve të përcaktuara për heqjen e vizave për kosovarët. A e përkrah Norvegjia heqjen e vizave për Kosovën?

Søreide: E kuptoj plotësisht se liberalizimi i vizave është me prioritet të lartë për Kosovën. Kjo do ta bënte më të lehtë udhëtimin si për qytetarët e thjeshtë, ashtu edhe për sektorin e biznesit. Siç e dini, tani pyetja shtrohet te shtetet e Shengenit. Norvegjia është një anëtare e asociuar, por jo anëtare me të drejtë vote në Shengen. Megjithatë, një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave nga shtetet e Shengenit do të aplikohet gjithashtu edhe në Norvegji.

Zëri: Si i vlerësoni raportet politike mes Kosovës dhe Norvegjisë dhe në cilat fusha ka më shumë bashkëpunim në mes të dyja vendeve?

Søreide: Norvegjia dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe të fuqishme. Ne jemi të angazhuar nga fillimi përmes anëtarësimit tonë në NATO dhe ne në fillim e njohëm pavarësinë e Kosovës. Lidhjet midis dy vendeve tona janë në rritje të vazhdueshme dhe po bëhen më të forta. Ka vizita politike, shkëmbime në sektorin e energjisë dhe të sigurisë, ngjarje të përbashkëta sportive, shfaqje kulturore dhe tregti në rritje. Ekziston gjithashtu një rritje e konsiderueshme në mbështetje të projektit norvegjez për Kosovën, si dhe për vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Fushat kyçe që mbështesim janë forcimi i sundimit të ligjit, qeverisja e mirë, procesi i pajtimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme, sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, energjisë së rinovueshme, si dhe barazisë gjinore.

Kosova ta rrisë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Zëri: Në raportet ndërkombëtare Kosova përmendet si një vend me shkallë të lartë të korrupsionit. A po i pengon kjo investitorët norvegjezë që ta sjellin kapitalin e tyre financiar në Kosovë?

Søreide: Kosova duhet ta rrisë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrisht, ka pasur përparim gjatë dhjetë vjetëve të fundit, por ka ende sfida. Korrupsioni shkatërron optimizmin dhe besimin në të ardhmen, redukton investimet e huaja dhe mban mbrapa zhvillimin e demokracisë së vërtetë dhe një shoqërie të drejtë. Dy gjëra që bizneset dhe sipërmarrësit nuk i pëlqejnë aspak, janë paparashikueshmëria dhe zbatimi i dobët i kuadrit rregullator. Unë jam e sigurt se sundimi i plotë i ligjit do të jepte stimuj për më shumë investime, vendore dhe të huaja, në Kosovë./ZERI