Nis zbatimi i planit serb në veri: 40 veta shtyhen për një bukë
FOTO: Laura Hasani

Nis zbatimi i planit serb në veri: 40 veta shtyhen për një bukë

Aktuale June 26, 2019 - 07:59
Lexoni detajet
Image
Image

Nesër në veri të Kosovës qytetarët serbë do ta improvizojnë një katastrofë humanitare, ku sipas burimeve të gazetës “Zëri” mediet serbe do ta përcjellin drejtpërdrejt ngjarjen teksa 40 persona do të shtyhen për një bukë. Qeveria e Kosovës insiston se po inskenohet një krizë humanitare, pasi që në veri ka artikuj ushqimorë dhe barna të mjaftueshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Radosh Petroviq, kryetar i Afaristëve të Veriut të Kosovës, ka paralajmëruar se për pak ditë qytetarët e veriut të Kosovës do të mbesin pa artikujt elementarë të jetesës, madje edhe pa bukë.

LEXO EDHE: Fajon: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, padrejtësi e BE-së

Sipas tij, tani nëpër dyqane e markete në komunat veriore mungojnë mielli, vaji, sheqeri e kripa.

Mirëpo gazeta“Zëri” merr vesh se të enjten (nesër) Serbia do të inskenojë një situatë të katastrofës humanitare, ku numër i caktuar i njerëzve do të paraqiten të uritur.

Sipas burimeve të “Zërit”, nga pjesa veriore e Mitrovicës janë gjetur madje edhe 40 persona, të cilët do shtyhen për një bukë.

“Sipas këtij skenari, të cilin do ta përcjellin drejtpërdrejt edhe mediet e Beogradit, Serbia do të sjellë në komunat veriore bukë falas dhe për ta marrë një bukë do të krijohet tollovi, ku do të shtyhen për një bukë 40 veta”, thonë burimet e gazetës “Zëri”.

Përveç ushqimit, Petroviq ka theksuar se në barnatore dhe në institucionet shëndetësore nuk ka barna, sipas tij ato janë mbyllur për shkak të mungesës me furnizim nga Serbia.

“Banorët e katër komunave në veri të Kosovës gjenden një hap prej katastrofës, rreth 400 tregtarë privatë, pronarë të shitoreve me artikuj ushqimorë, po planifikojnë t’i mbyllin objektet e tyre, sepse raftet i kanë të zbrazëta dhe tani e disa ditë nuk u vjen qumështi dhe prodhimet e qumështit, si dhe vaji, sheqeri e kripa. Rezervat e miellit janë shpenzuar, kështu që deri të enjten nëpër rafte nuk do të ketë as bukë”, ka thënë Petroviq për mediet e Beogradit.

Mirëpo gazeta “Zëri” ka kuptuar se nga rreth 3700 produkte farmaceutike të regjistruara në Kosovë, vetëm rreth 3 ose 4% janë produkte nga Serbia.

Pra, nga qindra prodhues të cilët i kanë të regjistruara barnat e tyre në Kosovë vetëm tre janë nga Serbia dhe prej tyre dy janë kompani ndërkombëtare (“Stada” – Gjermani dhe “Actavis” - Islandë). Edhe ato pak barna që vijnë nga Serbia kanë zëvendësim tjetër në Kosovë.

Haradinaj: Po improvizohet një krizë humanitare në veri

Mirëpo një gjë e tillë edhe për Qeverinë e Kosovës po konsiderohet inskenim nga ana e Beogradit. Gjatë ditës së djeshme kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është në dijeni se të enjten do të improvizohet një krizë humanitare nga serbët e asaj pjese të vendit, por që nuk do të lejojë që një gjë e tillë të ndodhë.

“Kemi prova të një skenari ku përgatitet improvizimi i një katastrofe humanitare. Do t’i dekonspirojmë këto projekte të çuditshme, që nuk i takojnë këtij shekulli. E dimë që cakun e kanë të enjten, por i kemi paralajmëruar. Ekziston një tendencë të na i mbyllin sytë si Kosovë ndaj kontrabandës. Nuk guxojmë ta lejojmë kontrabandën, atë që quhet ‘linja e gjelbër’. Nuk do të kthehemi prapa, pra do ta forcojmë rendin dhe ligjin në veri”, ka thënë Haradinaj.

Ministria e Shëndetësisë: Ka furnizim të mjaftueshëm me ushqim dhe me barna në veri

Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë të ditur për “Zërin” se janë të paqëndrueshme deklaratat se po mungon furnizimi i barnave në veri të vendit. Ministria njofton se në veri të vendit ka furnizim të mjaftueshëm të produkteve farmaceutike.

“Në Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut gjenden dy depo të licencuara farmaceutike, të cilat operojnë në bazë të ligjeve dhe të akteve nënligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, nga ku qytetarët e kësaj pjese të vendit mund të furnizohen me barnat që kanë nevojë. Qytetarët e këtyre komunave janë shtetas të barabartë në Republikën e Kosovës dhe ata mund të furnizohen në cilëndo pjesë të vendit ku operojnë subjekte të qarkullimit me produkte farmaceutike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për “Zërin”.

Më tutje Ministria ka bërë të ditur se së fundmi nuk ka pasur ndonjë inspektim të barnatoreve në veri nga Inspektorati Farmaceutik e aq më pak të jetë mbyllur ndonjë prej tyre.

Sheholli: Kriza në veri, joekzistuese

Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike tash e dy javë ka bërë disa hulumtime në veri në lidhje me furnizimin dhe me krizën humanitare.

Fatmir Sheholli, drejtor ekzekutiv i këtij Instituti, është shprehur për “Zërin” se sipas të dhënave që kanë dalë nga hulumtimi del se në veri kriza humanitare është joekzistuese.

“Në bazë të asaj që ne kemi hulumtuar në aspektin ushqimor e medicinal dhe në kontekste tjera del se janë absolutisht të pavërteta si për produkte farmaceutike, ushqimore, ashtu edhe për derivate. Mirëpo sipas asaj që kemi vërejtur janë disa dyqane të cilat janë të parapaguara prej Beogradit zyrtar për ta inskenuar këtë çështje. Janë disa dyqane të cilat kanë larguar produktet dhe me qëllim e kanë bërë që kjo të duket një formë e tillë e krizës”, ka thënë Sheholli.

Inskenimi i krizës humanitare, presion për ta hequr taksën

Ky inskenim nga shteti i Serbisë në veri vlerësohet se po vjen pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe me pretekstin se në veri të Mitrovicës nuk po kanë furnizim me ushqim dhe se janë harxhuar gati se të gjitha produktet.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri, është shprehur se ky është plan politik i Beogradit zyrtar për t’i bërë presion ndërkombëtar Kosovës për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe.

“Ky është inskenim me motive politike për të krijuar një destabilizim në veri dhe për të krijuar telashe për Qeverinë e Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare si presion që të hiqet taksa. Qytetarët e veriut kanë furnizime të mjaftueshme dhe askush nuk i pengon as për të shitur e as për të blerë në asnjë pjesë të vendit”, ka thënë Shatri.

Shoqata e Afaristëve të Veriut të Kosovës ka kërkuar edhe një herë nga Serbia dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të merren hapat e nevojshëm për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Sipas tyre, Policia e Kosovës po ua ndalon çdo tentativë për furnizim me ushqim. “Ka filluar të mungojë ushqimi nëpër spitale, në Qendrën e Studentëve e në çerdhe të fëmijëve.

Veriu është vetëm një hap nga katastrofa humanitare. I bëjmë thirrje shtetit të Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta hequr taksën e Prishtinës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë”, ka thënë Petroviq, kryetari i Shoqatës.

Më tutje sipas këtij plani më shumë se 400 biznese private po planifikohet që të mbyllen. Afaristët e veriut të Kosovës janë ankuar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës, e cila sipas tyre ka filluar një kontroll të detajuar të të gjitha bizneseve të serbëve në veri të Kosovës.

Gjuriq: Do ta gjejmë mënyrën për ta furnizuar me mallra popullin tonë

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, u ka dërguar mesazh serbëve të veriut që të mos brengosen, sepse, siç ka porositur ai, Serbia do të gjejë mënyra për të futur prodhimet serbe në Kosovë.

Edhe Gjuriq, sikurse afaristët e veriut të Kosovës, ka thënë se tani mungojnë artikujt elementarë ushqimorë në komunat veriore të Kosovës, pasi që shqiptarët i kanë ndërprerë vijat e furnizimit me mallra nga Serbia.

“Do të gjejmë mënyra që të dërgojmë mallra për popullin tonë atje. Për gjithçka është fajtore opozita, pasi që ajo nëpërmjet Borko Stefanoviqit ka nënshkruar marrëveshje në vitin 2012, e cila mundëson këtë. Kanë nënshkruar për vendosjen e doganës në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak e tash kjo Polici kufitare është duke grabitur kamionët me mallra, derisa në Mitrovicë ka mungesë të të gjithë artikujve ushqimorë elementarë”, ka thënë Gjuriq.

E ndërkaq kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka siguruar se nuk do t’i lejohet Serbisë të realizojë kurrfarë plani, i cili do të mundë të sillte krizë humanitare në veri të Mitrovicës.

“Komuna jugore e Mitrovicës, bashkë edhe me institucionet e Kosovës, do të pengojë përpjekjet e Serbisë që krijojë krizë artificiale humanitare në veri të Kosovës, duke zbrazur raftet nga artikujt kryesorë elementarë dhe barnat”, ka thënë Bahtiri.

Ai më tutje është shprehur se do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim dhe se do t’i plotësojë të gjitha nevojat e tyre në katër komunat veriore të Kosovës, në mënyrë që të pengohet kriza humanitare.