Porosia e Lushtakut për kreun e partisë

Porosia e Lushtakut për kreun e partisë

Aktuale June 26, 2019 - 18:18

Një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike të Kosovës i cili udhëheq edhe me degën e kësaj partie në Skenderaj, Sami Lushtaku, thotë se atë nuk mund ta largojë askush nga partia. Duke iu përgjigjur një iniciative të Veselit për t’i larguar nga postet zyrtarët e PDK’së që kanë aktakuza, Lushtaku është kategorik. Ai thotë se një gjë e tillë mund të ndodh vetëm nëse atij i mbushet mendja vet për t’u larguar.

Këto deklarata Sami Lushtaku i ka bërë në një përgjigje dhënë Gazetës Express, i pyetur se a do të konsiderojë largimin nga PDK-ja, pas vendimit të fundit të kreut të PDK’së, Kadri Veselit, për të larguar nga partia dhe institucionet e Kosovës të gjithë zyrtarët e PDK’së të cilët kanë një aktakuzë të konfirmuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Ai bindshëm thotë se nga Partia Demokratike e Kosovës s’mund ta largojë askush.

“S’ka bir nane që mundet me më largu nga Partia Demokratike e Kosovës, veç nëse du me u largu vet. Nëse më mbushet menja, me u largu prej Partisë Demokratike atëherë vendosi unë, dikush tjetër nuk s’ka mundësi mem largu”, ka thënë Sami Lushtaku.

Sa i përket aktakuzës që është ngritur ndaj tij, rreth rastit të ikjes nga QKUK-ja, të cilën e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, Lushtaku thotë se ajo nuk ndërlidhet me ndonjë vepër që ka të bëjë me korrupsion dhe se është një aktakuzë e shpifur e misionit të EULEX-it.

“Aktakuza të cilën e kam unë, nuk lidhet as me korrupsion, as me… është një aktakuzë e shpifur e EUELEX-it”, ka potencuar ndër të tjera Sami Lushtaku.

Veseli nismën e tij për të larguar nga partia zyrtarët të cilët kanë probleme me drejtësinë dhe ligjin e kishte bërë pak ditë pasi ishte rizgjedhur në krye të PDK’së, në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga selia e partisë së tij.

‘Viktima’ e parë ka qenë këshilltari i tij, Nijazi Kryeziu, i cili është një prej të akuzuarve në rastin “Pronto”.

Pas Kryeziut dorëheqjen e kishte ofruar edhe Besim Beqaj, i cili ushtronte postin e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Beqaj është i përfshirë në skandalin e aferës “Pronto” dhe akuzohet për veprën e “Shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentativë nga neni 193 par.4 lidhur me par. l dhe lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Nga posti i zëvendësministrit pritet që të largohet edhe Agim Çeku, i cili ka një aktakuzë të konfirmuar lidhur me rastin e njohur në publik si ‘Veteranët’.

Për shkarkimin e Çekut, kryeministri Haradinaj ka thënë se po e pret një shkresë zyrtare nga Kadri Veseli, pasi posti që mban ish-komandanti i UÇK’së është politik./Express