Sami Lushtaku reagon sërish: Nga PDK-ja duhet të largohen 5 persona që po e bllokojnë Kosovën

Sami Lushtaku reagon sërish: Nga PDK-ja duhet të largohen 5 persona që po e bllokojnë Kosovën

Aktuale June 26, 2019 - 21:12
Lexo tjera detaje

Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku ka reaguar lidhur me raportimet në media se mund të përjashtohet nga partia pasi që ka probleme me ligjin, duke thënë se ka vetëm një aktakuzë e cila nuk ndërlidhet me krim apo korrupsion.

Lushtaku, thotë se janë 4 ose 5 persona të cilët sipas tij e kanë bllokuar PDK-në dhe tërë Kosovën, persona këta të cilët duhet larguar nga partia.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Lushtaku.

Duke kritikuar në mënyrë indirekte kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, ka thënë se nuk duhet që të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye.

Reagimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë,

Ditëve të fundit në media është lakuar pa të drejtë emri im, lidhur me disa vendime të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës. Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time.

Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime. Kësisoj, unë kam përshtypjen se askush nuk e ka qëllimin të më përjashtojë nga partia, në të cilën jam mishëruar dhe jam pjesë e saj që nga fillimi.

Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye. SL