Meta e fton Ramën në takim, ky i thotë “kemi zgjedhje, jam i zënë”

Meta e fton Ramën në takim, ky i thotë “kemi zgjedhje, jam i zënë”

Aktuale June 26, 2019 - 22:58
Lexo tjera detaje

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dërguar në Kryeministri një ftesë për Edi Ramën për të biseduar mbi situatën politike. Në ftesën që i është drejtuar Vali Bizhgës, drejtore e Kabinetit të Kryeministrit, thuhet se Meta është i gatshëm të presë Ramën në takim nga ora 05:00 deri në orën 13:00.

Por kjo ftesë e Metës është refuzuar menjëherë nga Rama. Në një reagim në ‘Twitter’, kryeministri e quan ftesën e presidentit si një lojë letrash dhe njofton se nuk ka kohë të shkojë për të biseduar pasi është në fushatë.

“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial, ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim. Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë”, shkruan Rama.

Kjo është ftesa e parë zyrtare që presidenti Meta i drejton kryeministrit Rama për të gjetur një zgjidhje mbi krizën politike. Meta ka zhvilluar më parë takime me partitë aleate të Partisë Demokratike, por jo me tre aktorët kryesorë.

Vendimi i presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale ka tensionuar në maksimum marrëdhëniet midis Qeverisë dhe Presidencës. Mazhoranca shprehet e vendosur për të shkuar në votimet e 30 qershorit, ndërsa Presidenca dhe opozita e konsiderojnë jo-legjitime datën e rrëzuar me dekret.

Ndërkohë Top Channel ka raportuar se një takim mes kreut të shtetit shqiptar, Ilir Media dhe kryeopozitarit Lulëzim Basha do të zhvillohet nesër.