Në pritje të Speciales

Në pritje të Speciales

Aktuale korrik 12, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Sokol Dobruna, ish-kreu i Gjykatës së UÇK-së, Sabajdin Cena, ish-epror i UÇK-së, Flamur Hoti, ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilët janë intervistuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë, janë në pritje të ftesës së radhës, ashtu siç u ishte thënë pas intervistimit të parë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ish-kreu i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sokol Dobruna, që nga dhjetori i vitit që lamë pas nuk është intervistuar më nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë, ndonëse i kishin thënë se do ta kontaktojnë përsëri.

“Nuk kam pasur kurrfarë kontakti me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pavarësisht se më është thënë se pas intervistimit do të thërrasim më vonë, mirëpo nuk është përcaktuar koha”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Për më tepër Dobruna ende nuk e di saktësisht nëse është i dyshuar ose dëshmitar i kësaj Gjykate, ndonëse për dy ditë radhazi ishte intervistuar në Prishtinë.

“Nuk e pranoj Gjykatën e Hagës, mirëpo duke respektuar vullnetin e Parlamentit të Kosovës unë i jam përgjigjur asaj. Kur kam nënshkruar aty është shkruar se jam ‘Dëshmitar i dyshuar’ e ky term për mua është i pakapshëm, sepse ose jam i dyshuar, ose dëshmitar”, ka shtuar ai.

As ish-eprori i UÇK-së, Sabajdin Cena, thotë se pas intervistimit nga Prokuroria, më 19 janar të këtij viti, ende nuk ka marrë kurrfarë ftese nga Gjykata Speciale. “Prej intervisitmit në janar të këtij viti unë personalisht nuk kam marrë asnjë njoftim nga kjo Zyrë”, ka thënë shkurt Cena për “Zërin”.

Në anën tjetër avokatë të akredituar nga Gjykata Speciale kanë theksuar se janë në pritje të thirrjes së Prokurorisë Speciale, mirëpo ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar.

Sipas tyre, Prokuroria Speciale e Hagës ende gjendet në fazën fillestare të hetimeve dhe vetëm pasi t’i ketë ngritur aktakuzat e para mund të vlerësohet se ky organ është aktivizuar tërësisht.

Ndërsa Bashkim Nevzati, i cili është avokati i ish-luftëtarit të UÇK-së Flamur Hotit, ka thënë për “Zërin” se i mbrojturi i tij nuk ka marrë thirrje tjetër pas intervistimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Jo tash për tash nuk ka pasur asnjë thirrje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Në fund të intervisitmit nuk kanë thënë se do të më thërrasin përsëri”, ka thënë ai.

Po ashtu gjatë intervisitmit të Hotit në maj të këtij viti avokati i tij ka theksuar se nuk ka pasur mangësi e as parregullsi në procesin e marrjes në pyetje.

Maloku nuk shkon në Hagë për shkaqe shëndetësore

Në anën tjetër ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës të martën që lamë pas ka marrë edhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naim Maloku, i cili është ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Maloku ka njoftuar se është ftuar nëpërmjet telefonit në gjuhën sllovene, por që ka bërë të ditur se nuk do të mundë të udhëtojë për në Hagë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

“Sot përmes telefonit dhe në gjuhën sllovene jam kontaktuar nga Gjykata e Hagës me ftesë që të paraqitem ditët në vijim për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ju njoftoj gjithashtu se është hera e parë që unë kontaktohem nga kjo Gjykatë. Njoftova Gjykatën se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore unë nuk mund të udhëtoj për atje”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në “Facebook”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se angazhimi i tij në përpjekjet e popullit për liri, i kurorëzuar me të qenit oficer i lartë në të shenjtën UÇK, e bën të ndihet krenar tërë jetën.

Aktivizimi i Speciales fillon me ngritjen e aktakuzave

Në anën tjetër avokatja e akredituar nga Gjykata Speciale Fehmije Gashi-Bytyqi ka deklaruar për “Zërin” se aktivizimi i Speciales ndodh vetëm kur të ngrihen aktakuzat e para e që aktualisht nuk ka ndonjë afat se kur mund të ndodhë kjo.

“Zyra e Prokurorisë së Specializuar po fton persona, me qëllim që t’i plotësojnë informatat e veta për çështje të cilat i pretendojnë. Pas kryerjes së hetimeve me ngritjen e aktakuzave, vetëm atëherë mund të themi se ka filluar puna e Gjykatës”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër teksa ka theksuar se nuk ka ndonjë klient nën mbrojtje, Gashi-Bytyqi ka shtuar se përmes një njoftimi nga Specialja u është kërkuar t’i nënshtrohen administratës tatimore me ligje të Holandës, gjë që ajo e ka vlerësuar si të padrejtë, meqë Gjykata është e Kosovës.

“Nuk kam klient deri më tani, mirëpo unë jam në dilemë se a do të vazhdoj ose jo si avokate, sepse na kanë njoftuar nga Gjykata Speciale se ne që do të shkojmë në Holandë do t’i nënshtrohemi administratës tatimore me ligje të Holandës. Sipas meje kjo është një dëmtim i madh për ne, sepse Gjykata është e Kosovës dhe duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës”, ka thënë ajo.