Gjermania marrëveshje me Kosovën, kërkon 70 mijë infermierë
Foto: Laura Hasani

Gjermania marrëveshje me Kosovën, kërkon 70 mijë infermierë

Aktuale korrik 16, 2019 - 07:38
Lexo Detajet
Image

Gjermania ka nevojë për 70 mijë infermierë dhe ky numër i madh i infermierëve mund të arrihet vetëm me ardhjen e tyre nga shtetet tjera, duke e përfshirë këtu edhe Kosovën. Kështu ka deklaruar dje në Prishtinë ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn, pas marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë me homologun e tij kosovar Uran Ismailin. “Ne kemi nevojë për rreth 70 mijë infermierë. Këtë numër të madh të infermierëve që na duhen mund ta arrijmë vetëm me ardhjet nga vendet tjera dhe Kosova është shteti i parë me të cilën nënshkruam marrëveshje të kësaj natyre”, ka thënë ai, shkruan sot gazeta Zëri.

Ministri Spahn ka potencuar se Kosova dhe Gjermania kanë mundësi të mira të bashkëpunimit, pasi që shteti i tij ka numër më të madh të qytetarëve të vjetër, kurse Kosova ka shumë qytetarë të rinj.

Ai ka thënë së duhet të përshpejtohet edhe marrja e vizave gjermane nga ana e infermierëve kosovarë. “Diplomat e infermierisë do të ishte mirë të njiheshin më lehtë në Gjermani. Gjermania ka nevojë për ardhje të ekspertëve të fushës së infermierisë. Për këtë arsye jam i lumtur që kemi krijuar një bazë të përbashkët. Një qëllim yni është shkollimi profesional nëpër shkolla, i cili i referohet standardit gjerman. Gjithashtu sot për së afërmi kam parë edhe procedurat e vizave dhe duhet të shohim përshpejtimin e marrjes së vizës për infermierët”, ka thënë ai, shkruan sot gazeta Zëri.

LEXO EDHE:  Macron: Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë marrë edhe zotimin gjerman për prioritetet kryesore, si menaxhimin spitalor dhe sigurimin shëndetësor, teksa bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për ndërtimin e një qendre për trajnimin e infermierëve. “Sot është një ditë historike për Kosovën për faktin se kemi një zotim të Gjermanisë se do të ndihmojnë shëndetësinë e Kosovës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje është një hap i ri për të krijuar një sistem modern shëndetësor ne vend. Qëllimi i Kosovës mbetet që të marrë praktika më të mira evropiane”, ka theksuar ai.

Mirëpo marrëveshjen e lidhur gjatë ditës së djeshme nuk e pritën mirë nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në vend.

Nga kjo Federatë tashmë disa herë është thënë se për shkak të ikjes së mjekëve nga Kosova vendi rrezikon që në një të ardhme të afërt të mbetet edhe pa personel mjekësor.

Syla: Kosova po i përzë infermierët

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka kritikuar marrëveshjen e arritur gjatë ditës së djeshme mes dy ministrive të shëndetësisë, të Kosovës dhe të Gjermanisë.

Ai ka thënë se Gjermania “po skllavëron infermierët nga Kosova, të cilët nuk po i trajton siç duhet”. “Nuk e di se pse është dashur të vijë ministri i Gjermanisë që të na tregojë këtë gjë. Këto janë politika të mbrapshta të shtetit tonë. Normalisht se Gjermania ka mjekë mangët dhe sipas meje këta vinë që të skllavërojnë njerëz të rinj nga Kosova. Ministri i Shëndetësisë që ka ardhur nuk na ka bërë ndonjë nder të madh, ka ardhur që të marrë këta njerëz që ne i shkollojmë e shkollën e tyre e paguan shteti, familja e kjo rini e cila atje nuk do të trajtohet siç duhet”, ka thënë ai.

Syla ka pasur kritika edhe për pjesëmarrësit politikë në vend, të cilët sipas tij janë duke kontribuar që të largojnë qytetarët e tyre nga Kosova. “Se pse po ikin infermierët për këtë duhet ta vënë gishtin në kokë politikanët. Është një turp i madh kjo që po zhvillohet në Kosovë. Unë këtë problem e kam ngritur që në vitin 2013. Kjo është një lojë politike e rëndë. Është një apel nacional dhe po bëjnë çfarë po munden. Në emër të kësaj të gjitha partitë politike po thonë se po e zbusin papunësinë. Papunësia nuk zbutet duke i larguar njerëzit nga Kosova. Këta janë duke kontribuar më shumë se Serbia që ka bërë atëherë për të larguar njerëzit nga Kosova”, ka shtuar ai.

QKUK-ja me mungesë të infermierëve

Derisa flitet për punësimin e infermierëve kosovarë në shtetin gjerman, Qendra Klinike Universitare e Kosovës e spitalet rajonale në vend vazhdojnë të përballen me mungesë të tyre.

Drejtorë të klinikave disa herë kanë thënë për gazetën “Zëri” se po u vështirësohet puna për shkak të mungesës së infermierëve.

Vetëm në Klinikën e Neonatologjisë, për shkak të mungesës së stafit mjekësor, një infermiere kujdeset për më shumë se 10 foshnje.

Drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se për shkak të mungesës së stafit mjekësor, si dhe tashmë për shkak të pushimeve vjetore të mjekëve, kanë më shumë probleme sa i përket ofrimit të shërbimeve sa më cilësore. “Ne po presim që të pranohen infermiere në Klinikën e Neonatologjisë. Ne kemi bërë kërkesë për 15 infermiere që të plotësohen kërkesat minimale për shërbimet shëndetësore sa më efikase. Mendojmë që ato do të mjaftojnë që të plotësohen këto kërkesa. Tani kemi probleme për shkak të pushimeve vjetore. Gjatë pushimeve problemet janë më të mëdha për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, për shkak se ka mungesë të stafit të infermierëve”, ka thënë ai.

Gojnovci ka thënë më tej se atyre u është premtuar rekrutimi i infermierëve të rinj në klinikë.

Pagat e ulëta detyrojnë mjekët ta lëshojnë Kosovën

Largimin e personelit mjekësor për në vendet e Bashkimit Evropian e ka parë si shqetësues edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Besa Baftiu.

Ajo ka thënë për gazetën “Zëri” se nëse personeli mjekësor do të kishte kushte më të mira në Kosovë nuk do ta lëshonte vendin. “Besoj që jo të gjithë me dëshirë e lëshojnë vendin e tyre dhe shkojnë të punojnë në vendet e BE-së, konkretisht në Gjermani. Sikur infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë të kishin kushtet e mira të punës në Kosovë e të kishin pagat e mirë në Kosovë nuk besoj se do ta lëshonin vendin, por nuk përjashtoj rastin, sepse trendi i largimit prej një vendi në vendin tjetër nuk po ndodh vetëm në Kosovë”, ka thënë ajo.

Përndryshe Baftiu ka thënë se numri i infermierëve për kokë banori në Kosovë është i pamjaftueshëm. “Bashkëpunimi që është bërë në mes të Ministrisë së Gjermanisë dhe Ministrisë sonë, nëse është në këtë formë që vetëm të trajtojë infermierët dhe t’i përgatitë për punë në Gjermani, atëherë kjo është shqetësuese, sepse ne edhe pse kemi një numër të madh të infermierëve të papunë, prapë numri i infermierëve për kokë banori është i pamjaftueshëm në vendin tonë. Do të duhej që të rritej numri i infermierëve nëpër institucionet tona e jo të përgatiten ata që të shkojnë dhe të punojnë në vendet e BE-së”, ka shtuar ajo. //ZERI