Opozita: Në shtator u votua Qeveria, në shtator rrëzohet
Foto: Laura Hasani

Opozita: Në shtator u votua Qeveria, në shtator rrëzohet

Aktuale July 16, 2019 - 07:48
Lexo Detajet
Image

Në fillim të shatorit të këtij viti qeveria “Haradinaj” mbush dy vjet prejse është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe pikërisht në këtë kohë opozita po planifikon ta rrëzojë nëpërmjet mocionit të votëbesimit, shkruan sot gazeta Zëri.


Përndryshe, Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Haradinaj është votuar në Kuvend më 9 shtator 2017, ku kishte siguruar vetëm 61 vota të deputetëve, një deputet kishte abstenuar, përderisa në votime nuk kishin marrë pjesë deputetët e LDK-së dhe të LVV-së. Sipas deputetëve opozitarë, kjo Qeveri do të arrijë ta çojë vetëm deri në gjysmë mandatin, me ç’rast vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

LEXO EDHE:  Gjermania marrëveshje me Kosovën, kërkon 70 mijë infermierë

Deputeti i partisë më të madhe opozitare (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se janë duke u konsultuar vazhdimisht me opozitën për mbledhjen e numrave të nevojshëm për rrëzimin e Qeverisë. “Nuk flasim që ka ndonjë lloj elementi që mund të lëndojë ose të prishë raportet eventuale që kemi ndërtuar me opozitën. Ne nuk po dallojmë shumë në këtë çështje. Tri partitë opozitare jemi që kjo qeveri të rrëzohet dhe këtu po flasim për nuanca që na dallojnë, për mënyra se si ta shfrytëzojmë këtë instrument kushtetues. Por kjo nuk do të na pengojë në atë se si do të gjejmë rrugë të përbashkët që ta arrijmë suksesshëm këtë nismë”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai shtoi se ende nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë, por që së shpejti do t’i nisin takimet konsultuese me deputetë të pozitës, të cilët mund të votojnë pro mocionit.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, është shprehur për “Zërin” se Partia Socialdemokrate nuk është e gatshme për ta rrëzuar Qeverinë dhe kësisoj po bën kalkulime me ta për interesa partiake. Mirëpo pavarësisht kësaj Millaku thekson se fundi i Qeverisë është shumë afër. “Së pari dua ta cek se fundi i kësaj qeverie është shumë afër, pa marrë parasysh lojërat dhe kushtet e PSD-së. Në këtë periudhë kur vendi ka një qeveri që po e shkatërron shtetin, atëherë nuk duhet të kalkulohet për interesa partiake. Këta deputetë të PSD-së siç po duket po e dinë se më nuk do të arrijnë të ulen në karriget e Parlamentit, prandaj po i bëjnë këto lojëra”, ka deklaruar ajo.

Millaku potencoi se Qeveria aktuale do ta përfundojë mandatin e saj në shtator, duke shtuar se për të arritur një gjë të tillë Vetëvendosja nuk do t’i kursejë as protestat.

Në anën tjetër deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, është shprehur se partia e saj ka qenë e gatshme që nga fillimi për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, porse, siç thotë ajo, janë dy partitë tjera opozitare LDK e LVV që e kanë stagnuar këtë proces. Ajo thekson se nuk është e nevojshme të përdoren votat e Listës Serbe, sepse sipas saj ka mjaftueshëm deputetë brenda subjekteve në Qeveri që janë të pakënaqur me këtë qeverisje dhe që mund të votojnë pro rrëzimit të saj. “Për shkak të disa partive opozitare kemi ardhur në këtë situatë, që nuk po mund të koordinohemi, pra këtu mbetet faji te LDK-ja dhe te Vetëvendosja, duke pasur parasysh se janë parti më të mëdha dhe në këtë drejtim në vend që të punojmë dhe të koordinohemi që sa më parë ta sjellim mocionin e mosbesimit ndaj kësaj qeverie, ata vazhdojnë të merren me PSD-në”, ka thënë Baftiu.

Ajo thekson se PSD-ja është e gatshme për ta rrëzuar Qeverinë dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Analisti politik Mazllum Baraliu është shprehur se opozita është shumë e paunifikuar sa i përket ngritjes së mocionit kundër qeverisë “Haradinaj”. Mirëpo ai shton se është koha kur partitë opozitare duhet të provojnë dhe ta ngrenë mocionin me nënshkrimet që aktualisht i kanë mbledhur. //ZERI