Shtatori, mundësia e fundit që Kosova të tregojë vendosmëri në procesin e dialogut

Shtatori, mundësia e fundit që Kosova të tregojë vendosmëri në procesin e dialogut

Aktuale korrik 17, 2019 - 22:50
Lexo tjera detaje

Gjasat janë shumë të mëdha që Kosova e Serbia të takohen edhe një herë në muajin shtator.

Gjatë muajit shtator, Kosova dhe Serbia do të mund të takohen përsëri në Paris.

Këtë dje e konfirmoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Se një takim i tillë mund të ndodhë e thonë edhe njohësit e çështjeve politike në vendin tonë.

Donika Emini, drejtoreshë Ekzekutive të Platformës CiviKos, ka thënë për lajmi.net, se gjasat janë shumë të mëdha që ky takim të mbahet.

Sipas saj, Samiti i Parisit vjen si përpjekje e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, për të mbushur hapësirën e lënë nga institucionet në largim të BE-së, pasi që Federica Mogherini nuk është ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi.

Emini thotë se udhëheqësit kosovarë duhet të arrijnë konsensus politik rreth dialogu me Serbinë.

“Gjasat janë shumë të mëdha që takimi i cili ishte planifikuar për korrik të mbahet në shtator. Përkushtimin për të mbajtur Samitin e Parisit, si pasuese të Samitit të Berlinit e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës Emanuel Macron.  Ky samit vjen si përpjekje e Macron dhe Merkel për të mbushur hapësirën e lënë nga institucionet në largim të BE-së, në veçanti të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së – Zyra e Mogherinit. Gjithashtu, kjo vjen si përpjekje e Merkel dhe Macron – si vendet kyçe të BE-së për të krijuar dhe ofruar një platformë që jo vetëm tenton që t’i përafrojë Kosovën dhe Serbinë, por edhe të bëjë trysni ndaj liderëve kosovarë, në këtë rast të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj – për të arritur konsensus të brendshëm politik në raport me dialogun me Serbinë”, ka deklaruar Emini për lajmi.net.

Ajo ka thënë se, tashmë dihet që anulimi i Samitit të Parisit është shtyrë për shkak të mos koordinimit të brendshëm në Kosovë.

Sipas saj, Kosova gjatë kësaj kohe duhet të përafrojë qëndrimet politike dhe të krijohet një konsensus i përbashkët.

“Arsyeja për shtyrjen e këtij Samiti nga korrik në shtator (apo vjeshtë) ishte pikërisht për shkak të mungesës së koordinimit të brendshëm në Kosovë, dhe qëndrimet diametralisht të kundërta të shprehura në mënyrë eksplicite nga dy krerët politik nga Kosova. Andaj, kjo kohë do të duhej të përdorej nga Kosova për të përafruar qëndrimet, për të krijuar qëndrim të përbashkët të cilin do të kenë mundësi ta shpalosin në Paris, kjo është mundësi e fundit që Kosova të përdorë këtë platformë të nivelit të lartë politik për të treguar vendosmëri në këtë proces ndaj Serbisë, vendet të Ballkanit Perëndimor, vendet e BE-së, si dhe krerëve të ri të institucioneve të BE-së që pritet të marrin detyrën në nëntor”, është shprehur ajo për lajmi.net.

Tutje Emini ka theksuar se Gjermania dhe Franca kanë dhënë indikator se dëshirojnë që të Kosova dhe Serbia të arrijnë një zgjidhje dhe në ktë mënyrë, Macron dhe Merkel duan të marrin kontrollin mbi procesin e dialogut.

“Po, për momentin Franca dhe Gjermania, respektivisht Merkel dhe Macron kanë dhënë indikatorë të qartë se duan të marrin kontrollin mbi procesin. Kjo ka ndodhur pas lajthitjes së Mogherinit duke i dhënë mbështetje idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo edhe ndarjen e Kosovës. Samiti i Berlinit ka qenë hapi i parë që këto shtete kanë ndërmarrë për të kundërshtuar së bashku këtë ide”, ka treguar Emini.

Arsyeja tjetër pse ky takim mund të mbahet në shtator është edhe siç theksoi ajo, rezultat i nevojës për të përgatitur Kosovën dhe Serbinë për lidershipin e ri në institucionet e BE-së.

“Gjithashtu, intensifikimi i përpjekjeve për të mbajtur takimin vjen edhe si rezultat i nevojës për të përgatitur Kosovën dhe Serbinë për lidershipin e ri në institucionet e BE-së, më konkretisht të Zyrës të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së që pritet të udhëhiqet nga Josef Borrell, i cili vjen nga Spanja – vend që nuk e ka njohur Kosovës dhe që është shumë vokale kundër Kosovës në BE”, u shpreh Emini.

Ajo theksoi se është mundësia e fundit që Kosova të marrë seriozisht procesin e dialogut dhe të tregojë përkushtim politik në mënyrë që Kosova të sigurojë njohje ndërkombëtare.

“Andaj, liderët kosovar kanë mundësinë e fundit që të marrin seriozisht këtë proces, të tregojnë përkushtim politik për të mbyllur çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të dyja vendeve të i hapet rruga drejt BE-së, kurse Kosova të sigurojë njohje të plotë ndërkombëtare. Çdo dështim në këtë drejtim do të mund t’i kushtojë shumë Kosovës sepse me gjithë mangësitë, BE mbetet e vetmja platformë ku Kosova do të mund të zgjidhë çështjen me Serbinë”, theksoi Emini.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë për lajmi.net, se në shtator mund të ndodhë një takim i tillë.

“Në shtator është dashur të vazhdohet dialogu sepse ne e dimë që Samiti i Parisit dështoi për shkak se mes Berlinit dhe Parisit nuk ndodhi asgjë që do të mund të konsiderohet si përparim në këtë proces edhe ky mesazh i Macronit na bën të ditur se deri në shtator do të thotë gjatë këtyre muajve të verës do të duhej të ndodhte diçka në proces. Kur them se do të duhej të ndodhte diçka, do të duhej të ketë veprime konkrete edhe nga Kosova edhe nga Serbia në mënyrë që dialogu të vazhdojë. Pra është një mesazh i drejtpërdrejt që pengesat që janë për dialog të hiqen. Në këtë rast konkretisht bëhet fjalë për taksën edhe në mënyrë që të vazhdojë dialogu”, u shpreh Mushkolaj.

Tutje ai ka thënë se është problematike që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë pa ndonjë garanci nga Gjermania e Franca sa i përket dialogut dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Në anën tjetër për mua është problematike që dialogu me vazhdu pa ndonjë garanci në kuptimin që Kosova edhe mund ta heq taksën por nëse merr ndonjë garanci në këtë rast nga dy shtetet më të fuqishme të BE-së, Francës dhe Gjermania, qoftë sa i përket qasjes në dialog qoftë sa i përket garancës se dialogu mund të zhvillohet për pa u cenuar integriteti territorial i shtetit. Për ndryshe të vazhdohet dialogu vetëm sa për sy e faqe, vetëm sa për të thënë se po vazhdon nuk besoj se për këtë mënyrë është e interesuar as Franca e as Gjermania e aq më pak Kosova sepse pikërisht kjo mënyrë e dialogimit e ka sjellë situatën këtu është edhe dialogu në njëfarë forme është kthyer totalisht në një proces jo serioz nga i cili siç mund ta dimë të gjithë më shumë ka përfituar Serbia se sa Kosova”, theksoi Mushkolaj.

Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se përpjekjet e Gjermanisë dhe Francës për t’i bindur liderët kosovarë e serbë që të kthehen në tryezën e bisedimeve janë shtuar dukshëm.

“Kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur liderët apo zyrtarët më të lartë të Gjermanisë dhe Francës janë duke tentuar që të bindin palët që të heqin dorë pozicionet e tyre aktuale sa i përket çështjeve që ndërlidhen me dialogun e në veçanti në çështjen e taksës në mënyrë që të mundësohet rifillimi praktik i dialogut mes palëve. Në fakt edhe vet vizita e presidentit Macron në Serbi mund të shihet përpjekje e radhës për të bindur palët që të ulen në tavolinën e dialogut. Mirëpo duke tentuar që të mbulojnë në një farë forme kërkesat e palës tjetër në rastin e Serbisë që të vazhdohet dialogu pa u parë zyrtarisht si një vazhdim i tillë pra synohet që nëpërmes gjoja triraterale ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe zyrtarëve të Gjermanisë e Francës që të vazhdojë ky proces pastaj në mënyrë që të arrihet një marrëveshje mes palëve sa më shpejt që të jetë e mundur duke pasur parasysh disponimin në të dy anët që një marrëveshje e tillë të arrihet brenda këtij viti eventualisht më së largu në fillim të vitit të ardhshëm”, u shpreh Cakolli për lajmi.net.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut me Serbinë, Kosova duhet ta ketë për bazë qëndrimin e saj në lidhje me kornizën që është folur se duhet të dihet se për çfarë dhe çka do të bisedohet në dialog.

Cakolli po ashtu ka bërë të ditur se duhet të qartësohet në fillim se ky nuk ëhstë një dialog në mes shqiptarëve dhe serbëve, por është dialog në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë si dhe të qartësohen e diskutohen se cilat janë çështjet e përbashkëta të interesit në bazë të të cilave mund të arrihet marrëveshja përfundimtare mirëpo, vetëm pasi palët të kenë njohur njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane.

“Mirëpo është tepër me rëndësi për palën kosovare që të qëndroj pas qëndrimit që fillimisht duhet të ketë një kornizë mbi atë se çka do të bisedohet, cilat janë çështjet që do të diskutohen me palën serbe dhe cili është përfundimi që palët do të synojnë që të arrijnë në rrugën tyre respektove qoftë sa i përket integrimit në BE por edhe zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Në këtë drejtim duhet fillimisht që të qartësohet se çfarë lloj dialogu dhe do të duhej që dialogu të mos konkretizohet dhe të mos shihet si dialog në mes të shqiptarëve dhe serbëve mirëpo të strukturohet në atë formë që të kuptohet që është dialog ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë dhe pastaj të diskutohet se cilat janë çështjet e përbashkëta të interesit të cilat mund të arrihet marrëveshje për to apo edhe çështjet që potencialisht mund të diskutohen vetëm pasi palët të kenë njohur njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane”, theksoi Cakolli.

Ai theksoi se qëllimi përfundimtar i Kosovës në këtë dialog duhet të jetë njohja e pavarësisë nga Serbia në kufijtë ekzistues.

“Po ashtu me rëndësi është që qëllimi përfundimtar i Republikës së Kosovës në çfarëdo lloj procesi të dialogut me Serbinë të jetë njohja formale në kufijtë ekzistues në mënyrë që të garantohet që shteti i Kosovës të jetë ende funksional, të mos cenohet karakteri i saj unitar, por as të mos cenohet integriteti territorial nëpërmjet një marrëveshje të caktuar”, deklaroi Cakolli për lajmi.net.

Mirëpo, se a do të mund të takohen në shtator Kosova e Serbia, Cakolli shprehet skeptik, duke thënë se një gjë e tillë është vështirë e imagjinueshme sidomos pas zërave se në vjeshte në Kosovë e Serbi mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Duke pasur parasysh faktin që Samiti i Parisit ka dështuar në mungesë të palëve për të arritur një marrëveshje, besoj se do të jetë vështirë e imagjinueshme që një takim i tillë të mbahet në muajin shtator duke qenë se që të dyja palët e sidomos Kosova është duke hyrë në një periudhë ku janë rritur zërat që mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare pikërisht gjatë stinës së vjeshtës mirëpo, një gjë e tillë nuk është përjashtuar as në Beograd, pra kohëve të fundit edhe atje ka zëra se mund të shkohet në zgjedhje dhe besoj se në rast të hyrjes në procesin e parakohshëm zgjedhor në cilin do vend kjo automatikisht do ta shtynte mundësinë e mbajtjes së çfarëdo lloj takimi zyrtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përmbylljen e procesit të dialogut ndërmjet dy palëve. Në këtë drejtim në rast se kemi procese zgjedhore atëherë besoj se procesi i dialogut në përgjithësi do të shtyhet së paku deri kah mesi i vitit të ardhshëm kur potencialisht do të mund të kemi draft-marrëveshje mes palëve”, deklaroi Cakolli.

Duhet theksuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për taksë doganore prej 100 për qind ndaj mallrave dhe produkteve serbe.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës kishte ardhur si kundërpërgjigje ndaj propagandës serbe, e cila ia pamundësoi Kosovës anëtarësimin në INTERPOL.

Mirëpo, vazhdimin e dialogut Serbia po e kushtëzon me heqjen e taksës, kurse liderët shtetëror kosovarë janë të vendosur në mbajtjen e taksës deri në momentin kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.