Gjermania, pro liberalizimit të vizave
Foto: Arkiva/Ilustrim

Gjermania, pro liberalizimit të vizave

Aktuale July 18, 2019 - 07:59
Lexo Detajet
Image
Image

Burime zyrtare brenda Qeverisë së Gjermanisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se Republika Federale e Gjermanisë i vlerëson përpjekjet që Kosova ka bërë për t’i përmbushur kriteret për heqjen e vizave. Ndaj, sipas tyre, propozimi i Komisionit Evropian (KE) për heqjen e vizave për Kosovën tashmë duhet të miratohet edhe në Këshillin e Ministrave, i cili është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Gazeta “Zëri” deri më tani ka botuar qëndrimin zyrtar të Holandës, të Sllovakisë, të Bullgarisë, të Lituanisë dhe të Finlandës për vizat.

Kosova ka marrë mbështetjen e një prej shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket liberalizimit të vizave. Gjermania, shtet që ka mbi 82 milionë banorë, është rreshtuar kah vendet që e përkrahin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Burime zyrtare brenda Qeverisë së Gjermanisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se Republika Federale e Gjermanisë i vlerëson përpjekjet që Kosova ka bërë për t’i përmbushur kriteret për heqjen e vizave. Ndaj, sipas tyre, propozimi i Komisionit Evropian (KE) për heqjen e vizave për Kosovën tashmë duhet të miratohet edhe në Këshillin e Ministrave, i cili është organi kryesor vendimmarrës i BE-së, shkruan gazeta "Zëri".

Gjersa ka folur rreth kësaj, ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, ka thënë se përkrahja e Gjermanisë është tejet me rëndësi për Kosovën, ndaj e para e MIE-së është shprehur optimiste se kjo mbështetje do të reflektojë edhe te vendet e tjera të BE-së, që kanë ndikim në votimin për vizat. Ndërkaq ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka thënë për “Zërin” se Gjermania nuk paraqet kurrfarë pengese sa i përket liberalizimit, por sipas tij për të ardhur deri te finalizimi i procesit të vizave, pos votës gjermane, nevojitet edhe përkrahja e Francës.

Gjermania: Propozimi për heqjen e vizave duhet të votohet në Këshill

Teksa ka pohuar se Gjermania vlerëson përpjekjet e Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve për heqjen e vizave, një burim zyrtar brenda Qeverisë gjermane i ka thënë gazetës se ky shtet vlerëson progresin që është bërë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. “Gjermania vlerëson përpjekjet e bëra nga Kosova në vitet e fundit drejt plotësimit të kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën, në veçanti përforcimin e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë një zyrtar i lartë brenda Qeverisë gjermane.

Ndaj Gjermania, siç është bërë e ditur, e mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. “Propozimi i Komisionit Evropian, i datës 4 maj 2016, për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të miratohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst Gjermania mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt arritjes së liberalizimit të vizave”, ka potencuar ky burim, shkruan gazeta "Zëri".

Lidhur me këtë proces, siç është pohuar, Kosova dhe Gjermania tashmë kanë nisur bisedimet për t’i diskutuar të gjitha çështjet e papërfunduara. “Lidhur me këtë kohët e fundit kanë filluar bisedime në nivel ekspertësh mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, që janë të angazhuar për t’i diskutuar çështjet e hapura. Rundi i parë i bisedimeve të tilla në nivel ekspertësh është zhvilluar në Berlin, në qershor të këtij viti”, ka potencuar për “Zërin” ky zyrtar i lartë brenda Qeverisë gjermane.

Gjermania mbështet liberalizimin, por procesi s’përfundon pa Francën

Gjersa ka folur rreth qëndrimit të Gjermanisë, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka thënë se ky shtet e mbështet liberalizimin, porse ka pohuar se procesi i vizave nuk mund të finalizohet pa pasur një shumicë, respektivisht pa pasur përkrahje edhe nga shteti i Francës. “Në Gjermani janë prononcuar të gjithë, duke filluar nga kancelarja, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë e ministri i Punëve të Brendshme i Gjermanisë. Çështja është se pa u krijuar shumica brenda Këshillit është tepër e vështirë. Në sytë e mi shumicën në këtë rast e përbëjnë Gjermania - Franca”, ka deklaruar Cufaj për “Zërin”.

Ai më tej ka thënë se Gjermania është duke punuar intensivisht, sidomos me Francën, sa i përket procesit të vizave. Ndaj Cufaj është shprehur optimist se edhe Franca do të lëvizë nga qëndrimi aktual. Cufaj gjatë bisedës ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian sa i përket liberalizimit. Në këtë drejtim, sa i takon Gjermanisë, ambasadori i Kosovës atje ka thënë se nuk ka kurrfarë pengese drejt vizave. “Jam optimist, por optimist i matur. Nuk shoh pengesë të asnjë natyre te Gjermania, meqenëse kam qenë i pranishëm edhe në takim ku ka qenë kryeministri, ministri i Punëve të Jashtme e ministri i Punëve të Brendshme i Gjermanisë. Çdo gjë që është transmetuar prej atij takimi është më tepër se e vërtetë. Por fakt është që nuk mjafton vetëm vota e Gjermanisë, në këtë rast duhet sidomos edhe vota e Francës”, ka nënvizuar diplomati nga Kosova.

Ndërkohë ka konsideruar se çështja e vizave më shumë është temë e një vullneti politik, e cila ka përfunduar në tavolinat e shteteve përkatëse. Ndonëse ende nuk janë konstituuar të gjitha institucionet e BE-së, një gjë e tillë sipas Cufajt nuk e pengon procesin e vizave. “Unë nuk shoh që krijimi i institucioneve mund të sjellë ndonjë pengesë, në kuptimin që tash s’marrim datë deri në nëntor, derisa t’i marrin detyrat pjesëmarrësit e rinj në institucionet evropiane. Jo, nuk e shoh ashtu. Çështja është thjesht te vullneti politik, a po duan ose jo”, është shprehur ai.

Pesha e qëndrimit të shtetit gjerman rreth liberalizimit

Teksa është deklaruar rreth faktit që Gjermania e mbështet heqjen e vizave, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë se një gjë e tillë paraqet një lajm tejet me rëndësi për Kosovën. “Ky lajm gjithsesi është i mirë dhe i rëndësishëm për qytetarët tanë, sepse Gjermania ishte, është dhe mbetet fuqia qendrore e BE-së, së bashku me Francën. Ne kemi besim të madh te vendet mike si Gjermania. Ne kemi marrë përkrahje të plota për proceset dhe deklarime për liberalizimin, por konsensusi është ai që përcakton edhe rendin e ditës dhe vënien në rend dite të liberalizimit në Këshillin e Ministrave”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Mbështetja e Gjermanisë në drejtim të liberalizimit sipas Hoxhës për shumë shtete ka peshë dhe rëndësi vendimtare. “Përkrahja e Gjermanisë është përkrahja e mekanizmave vendimtarë për liberalizim. Presim që kjo të reflektojë te vendet më të vogla, por me ndikim në votim vendet hezituese, si dhe vendet që nuk e njohin pavarësinë tonë. Pra, energjia pozitive e tërë procesit fshihet pikërisht te kjo votë e deklaruar e Gjermanisë për liberalizim”, është shprehur e para e MIE-së.

Ndërkaq Besnik Vasolli, njohës i çështjeve të integrimit, ka thënë se Gjermania, si një ndër shtetet më kontribuuese të Bashkimit Evropian, i ka dhënë përkrahje të vazhdueshme Kosovës. “Janë shumë kritere, si nga riintegrimi i personave të riatdhesuar, te siguria e dokumenteve, menaxhimi i integruar i kufirit e lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Gjermania me projekte konkrete ose me asistencë tjetër ka kontribuar në zbatimin e suksesshëm të tyre”, ka deklaruar ai.

Mbështetja e Gjermanisë sipas Vasollit nuk ka munguar as rreth liberalizimit të vizave. “Edhe në aspektin politik kemi deputetët gjermanë në Parlamentin Evropian që votuan pro liberalizimit të vizave. Së fundmi kemi edhe përkrahjen e ministrit të Brendshëm, i cili ka përkrahur këtë proces për Kosovën. Përkrahja gjermane në përgjithësi është më e qetë dhe nuk krijon shumë zhurmë”, ka potencuar ai.

Megjithëkëtë, Vasolli ka thënë se nuk mjafton vetëm përkrahja e Gjermanisë për ta përmbyllur procesin e vizave. “Neve na duhen francezët, italianët, holandezët, skandinavët e kështu me radhë. Disa nga këto shtete tashmë janë pro, ndërsa vendet si Franca dhe Holanda nuk janë deklaruar ende”, ka potencuar ai.

Shtetet mbështetëse dhe shtetet hezituese ndaj liberalizimit

Gazeta “Zëri” u ka dërguar pyetje të gjitha shteteve të BE-së për të marrë qëndrimet zyrtare të tyre sa i përket procesit të vizave për Kosovën. Në kuadër të kësaj para pak ditësh gazeta ka publikuar qëndrimet zyrtare të gjashtë shteteve të BE-së lidhur me këtë proces. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Holandës kanë thënë se kanë kërkuar sqarime shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim nga Kosova, të cilat janë specifikuar në Raportin e Komisionit Evropian. Rrjedhimisht Holanda po vazhdon të mbetet njëra prej shteteve hezituese të BE-së sa i takon procesit të liberalizimit. Për dallim prej Holandës, zyrtarë të MPJ-së së Sllovakisë i kanë thënë “Zërit” se e mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës, pavarësisht faktit që ky vend nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur.

Se procesin e vizave për Kosovën e përkrahin para pak ditësh kanë njoftuar edhe zyrtarë të MPJ-së së Bullgarisë, të cilët kanë thënë se Bullgaria e mbështet raportin e KE-së, që ka rekomanduar heqjen e vizave. Ndërkohë zyrtarë të lartë të Finlandës janë shprehur më të rezervuar në këtë drejtim, duke thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e kritereve të vëna, kurse vendimi final për këtë proces varet nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kurse përfaqësues të MPJ-së së Lituanisë kanë pohuar për “Zërin” se e mbështesin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq, meqë Britania e Madhe nuk është pjesë e Zonës Schengen, zyrtarë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë thënë se ky shtet nuk merr pjesë në vendimet që lidhen me liberalizimin./ZËRI