Dy javë para zgjedhjeve në LDK, kandidaturat ende sekrete
Foto: Zeri

Dy javë para zgjedhjeve në LDK, kandidaturat ende sekrete

Aktuale July 18, 2019 - 08:03
Detajet
Image

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në prag të përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, me ç’rast e ka caktuar edhe datën se kur do të mbahen zgjedhjet për të parin e partisë. Më 3 gusht 2019, në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, delegatët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e ri, mirëpo deri atëherë ky subjekt politik po pretendon se nuk kanë të drejtë t’i përmendin emrat e kandidatëve për pozitën e kryetarit, shkruan gazeta "Zëri".

Ndërkohë, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se Lidhja Demokratike do ta rrezikojë seriozisht reputacionin e saj nëse nuk do të lejojë garë me më shumë se një kandidat. Kësisoj ata theksojnë se kryetari aktual Isa Mustafa duhet të tërhiqet nga gara. Por kryetari Mustafa nuk e ka mohuar kandidaturën e tij edhe për një mandat tjetër, ndonëse edhe deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se LDK-ja nuk do të rritet më shumë me Isa Mustafën në krye.

Haziri: Nuk ka emra për të parin e LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie. Në një prononcim për “Zërin” ai ka theksuar se derisa të përfundojnë zgjedhjet në të gjitha degët dhe derisa të konfirmohet lista e delegatëve të zgjedhur të LDK-së nuk do të shpallen kandidaturat. Madje ai nuk ka dashur të shprehet nëse synon të marrë pozitën e kreut të partisë. “Nuk ka emra, nuk ka kandidatura derisa nuk mbyllet procesi zgjedhor në degë e në nëndegë dhe derisa nuk konfirmohet lista e delegatëve të zgjedhur të LDK-së, as emri im dhe asnjë emër tjetër, deri atëherë Isa Mustafa është kryetari i vetëm i LDK-së”, ka deklaruar Haziri.

Pos Hazirit, edhe emri i nënkryetarit Agim Veliu është lakuar në opinion për kandidat të mundshëm për kryetar të LDK-së, mirëpo për gazetën “Zëri” Veliu nuk e ka pohuar, as mohuar një gjë të tillë. Sikurse Haziri, edhe Veliu është shprehur se cilët do të jenë kandidatët do të mësohet në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.

Rugova: Zgjedhjet në LDK janë të hapura për shumë kandidatë

Duke folur për mundësinë e disa kandidatëve për kryetar të LDK-së, deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë për “Zërin” se ende nuk dihen emrat, porse statuti i partisë, konform Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Kosovës, ua lejon kandidimin të gjithë delegatëve të LDK-së. “Statuti i LDK-së ua mundëson të gjithë anëtarëve konform Kushtetutës së vendit të garojnë për kryetar të partisë. Të gjithë delegatët e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së kanë të drejtë ta shpallin kandidaturën për të parin e partisë konform normave statutore që i parasheh statuti i LDK-së dhe ne jemi të obliguar të gjithë që t’i respektojmë këto parime”, ka pohuar Rugova.

Mushkolaj: LDK-ja të lejojë garë me më shumë kandidatë

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, është shprehur për “Zërin” se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’ua japë mundësinë e kandidimit të gjithë personave në LDK, që e konsiderojnë veten të denjë për pozitën e të parit të partisë. “Është e rëndësishme që LDK-ja ta lejojë garën, që të mos ketë vetëm një kandidat, por të jenë më shumë dhe pastaj të zgjidhet ai që merr vota më shumë. Unë pres që kryetari aktual Isa Mustafa të tërhiqet, në kuptimin që thjesht t’u japë mundësi të tjerëve ta udhëheqin partinë. Por më e mira për zotin Mustafa do të ishte të mos e mbështesë asnjërin nga kandidatët, por as edhe të mos e pengojë asnjërin. Pra të mbajë një qëndrim neutral, në mënyrë që gara të jetë sa më korrekte”, ka potencuar Mushkolaj, shkruan gazeta "Zëri".

Nëse lejohet kandidimi i më shumë personave, Mushkolaj thotë se pret të ketë kandidatë edhe nga strukturat e reja të partisë, përndryshe ai thekson se nëse një gjë e tillë nuk lejohet, LDK-ja në Kuvendin e saj Zgjedhor mund të përballet me incidente, të cilat e kanë përcjellë procesin e zgjedhjeve në degë dhe në nëndegë dhe sipas tij një gjë e tillë do ta dëmtonte shumë partinë.

Në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë ende nuk ka përfunduar zgjedhja e kryetarit të Degës, por kjo gjë pritet të ndodhë brenda kësaj jave./ZËRI