Gjermania: Propozimi për heqjen e vizave duhet të votohet në Këshill

Gjermania: Propozimi për heqjen e vizave duhet të votohet në Këshill

Aktuale July 18, 2019 - 09:23
Lexo Detajet

Burime zyrtare brenda Qeverisë së Gjermanisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se Republika Federale e Gjermanisë i vlerëson përpjekjet që Kosova ka bërë për t’i përmbushur kriteret për heqjen e vizave. Ndaj, sipas tyre, propozimi i Komisionit Evropian (KE) për heqjen e vizave për Kosovën tashmë duhet të miratohet edhe në Këshillin e Ministrave, i cili është organi kryesor vendimmarrës i BE-së.

Gazeta “Zëri” deri më tani ka botuar qëndrimin zyrtar të Holandës, të Sllovakisë, të Bullgarisë, të Lituanisë dhe të Finlandës për vizat.

Teksa ka pohuar se Gjermania vlerëson përpjekjet e Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve për heqjen e vizave, një burim zyrtar brenda Qeverisë gjermane i ka thënë gazetës se ky shtet vlerëson progresin që është bërë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. “Gjermania vlerëson përpjekjet e bëra nga Kosova në vitet e fundit drejt plotësimit të kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën, në veçanti përforcimin e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë një zyrtar i lartë brenda Qeverisë gjermane, shkruan gazeta "Zëri".

Lexo edhe: Gjermania, pro liberalizimit të vizave

Ndaj Gjermania, siç është bërë e ditur, e mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. “Propozimi i Komisionit Evropian, i datës 4 maj 2016, për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të miratohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst Gjermania mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt arritjes së liberalizimit të vizave”, ka potencuar ky burim.

Lidhur me këtë proces, siç është pohuar, Kosova dhe Gjermania tashmë kanë nisur bisedimet për t’i diskutuar të gjitha çështjet e papërfunduara. “Lidhur me këtë kohët e fundit kanë filluar bisedime në nivel ekspertësh mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, që janë të angazhuar për t’i diskutuar çështjet e hapura. Rundi i parë i bisedimeve të tilla në nivel ekspertësh është zhvilluar në Berlin, në qershor të këtij viti”, ka potencuar për “Zërin” ky zyrtar i lartë brenda Qeverisë gjermane./ZËRI