Haga ia ndërpret dy herë mandatin Haradinajt
Foto: Laura Hasani

Haga ia ndërpret dy herë mandatin Haradinajt

Aktuale July 20, 2019 - 07:55
Lexo tjera detaje
Image

Pak pa mbushur dy vjet në krye të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ky vendim i tij ka ardhur pas ftesës për intervistim, që ka marrë nga Gjykata Speciale. Teksa ka arsyetuar dorëheqjen, ish-shefi i Qeverisë ka thënë se do të ishte poshtërim i Kosovës dhe i nderit të kryetarit të Qeverisë sikur në Hagë të udhëtonte si kryeministër, shkruan gazeta "Zëri".

Ende pa i mbushur dy vjet të plota në pozitën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme gjatë ditës së djeshme. Arsyeja e këtij vendimi, siç ka njoftuar Haradinaj, ka të bëjë me ftesën që ka pranuar për intervistim nga Gjykata Speciale. Teksa ka treguar detajet e dorëheqjes, Haradinaj gjatë së premtes ka thënë se në Hagë do të shkojë si qytetar i thjeshtë, pasi që nderi i kryeministrit dhe nderi i shtetit duhet të ruhet dhe të mos poshtërohet. Nga Specialja ish-kryeministri i Kosovës është ftuar në cilësinë e të dyshuarit. Kjo nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj ka lëshuar pozitën e shefit të Qeverisë. Përkundrazi, njëjtë kishte vepruar edhe para 14 vjetësh. Në dhjetor të vitit 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, ndërkohë pas rreth 100 ditësh, në mars të vitit 2005, kishte dhënë dorëheqje, meqë ishte ftuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Haradinaj, i cili më 9 shtator 2017 u zgjodh kryeministër i Kosovës, ndërkohë më 19 korrik 2019 lëshoi këtë pozitë, pritet të udhëtojë në Hagë javën që vjen.

Haradinaj: Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia

Gjersa ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pastërtia e luftës së UÇK-së nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë. Kosova, siç ka thënë ai pas dorëheqjes, është e paprekshme në multietnicitet, në shumëgjuhësi, në territor dhe në kufij. “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja ose Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe për stabilitetin e rajonit. Si kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është treguar dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes”, nënvizoi Haradinaj.

Ish-shefi i Qeverisë më tej tha se bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Gabim sipas tij po bën edhe lidershipi kosovar, pasi që nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë, shkruan gazeta "Zëri".

8 muaj taksë, Haradinaj i bindur se do të mbetet në fuqi

Pavarësisht faktit që lëshoi pozitën e kryeministrit, Ramush Haradinaj u shpreh i bindur se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe më tej. “Më lejoni t’ju siguroj se taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para e ‘Trepça’ është e gatshme për investime”, potencoi ai. Nesër bëhen tetë muaj të plotë prejse Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Për heqjen e tarifës ka pasur presion të vazhdueshëm ndërkombëtar. Largimin dhe pezullimin e masës 100 për qind ndaj produkteve serbe disa herë e ka kërkuar edhe presidenti Hashim Thaçi dhe partneri i koalicionit qeverisës, PDK.

Dorëheqja e vitit 2005

Kjo nuk është hera e parë që lideri i AAK-së lëshon pozitën e kryeministrit. Njëjtë kishte vepruar edhe më 2005-n, pasi ishte ftuar nga prokurorët e Hagës. Në fjalimin e tij të dorëheqjes Haradinaj kishte thënë se ai moment paraqiste njërën nga ditët më të vështira të jetës së tij. “Kjo është njëra prej ditëve më të vështira të mia, por liria ka çmim të lartë dhe unë në jetën time kam pasur edhe ditë të tjera të vështira”, qe shprehur Haradinaj.

Atëkohë ish-shefi i Qeverisë u kishte bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta pranonin vendimin e tij. “Kërkoj nga ju ta pranoni këtë fat, kërkoj nga ju të pranoni gjithçka, që është gati e pamundshme për t’u pranuar, por bëjeni këtë për t’i bërë nder vendit dhe kombit”, pati nënvizuar ish-kryeministri i Kosovës, shkruan gazeta "Zëri".

Thaçi: Me keqardhje mësova për ftesën e Haradinajt nga Specialja

Pas dorëheqjes së djeshme të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ka reaguar presidenti Hashim Thaçi, me ç’rast ka thënë se me keqardhje e ka pranuar lajmin për ftesën e Speciales në drejtim të Haradinajt. “Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapin, njëherësh këshilltar imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së”, ka deklaruar ai. Me këtë rast i pari i shtetit tha se e respekton në plotësi vendimin e ish-kryetarit të Qeverisë së Kosovës. “Unë e respektoj vendimin e tij dhe si president i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veproj duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë”, shkroi Thaçi në reagimin e tij.

Ndërkohë, pas dorëheqjes Haradinaj tha se sovrani duhet të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike. “I drejtohem presidentit që në afatin kushtetues t’i kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e vendit vazhdon t’i kryejë funksionet e veta pa lejuar vakum qeveritar deri në Qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”, potencoi Haradinaj.

Veseli: Ndershmëria e luftës sonë do të vërtetohet

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe lider i PDK-së, ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë. Ndaj ai është shprehur i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.

Ndërkohë ka thënë se të gjitha veprimet që koalicioni qeverisës do t’i marrë tash e tutje do të jenë në përputhje me ligjet në fuqi. “Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së. Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe të qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, ka theksuar Veseli, shkruan gazeta "Zëri".

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se ftesa për intervistim kundrejt Haradinajt është krejtësisht e padrejtë. “Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinajn është ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe për luftëtarë të tjerë të UÇK-së”, ka deklaruar ai. Megjithëkëtë Limaj është shprehur i bindur se Kosova do ta kalojë suksesshëm këtë sfidë. “Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës.

Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe drejtësia do të ngadhënjejë edhe në këtë rast”, është shprehur Limaj.

LDK-ja ndien keqardhje për mënyrën se si dha dorëheqje Haradinaj

Lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt ka folur edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, me ç’rast ka thënë se ndien keqardhje për faktin që kryeministri u detyrua të japë dorëheqje për shkak të Gjykatës Speciale. “LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo Qeveri të japë dorëheqje, por ndiejmë keqardhje që kjo ndodh për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara të kryeministrit të Kosovës. Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu besoj se pafajësia e Haradinajt do të provohet edhe kësaj radhe”, ka theksuar Mustafa, shkruan gazeta "zëri".

Kurse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Haradinaj është dashur qysh moti të japë dorëheqje.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale Kurti ka numëruar një varg arsyesh për të cilat ka vlerësuar se ish-shefi i Qeverisë është dashur ta lërë pozitën e kryeministrit. “Për shembull, kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur më 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje ‘Ahtisaari Plus’ me Serbinë, kur e palosi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli antikushtetues etj.”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë Kurti ka thënë se LVV-ja ishte dhe vazhdon të jetë kundër Gjykatës Speciale. “Ata që e votuan e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tonë”, ka shtuar kryetari i Vetëvendosjes./ZËRI