Vuçiq sot u drejtohet serbëve pas dorëheqjes së Haradinajt

Vuçiq sot u drejtohet serbëve pas dorëheqjes së Haradinajt

Aktuale July 20, 2019 - 08:12
Lexo tjera detaje

Presidenti i Serbisë,  Aleksandar Vuçiq do t’iu drejtohet sot serbëve lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ka mbledhur të gjithë udhëheqësit serbë gjatë ditës së djeshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt është takuar me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ministrin e Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Presidencës, Nikolla Selakoviq.

Pas këtij takimi, Vuçiq nuk u deklarua fare për medie mirëpo, ka qenë zyra për komunikim me publikun e Presidencës serbe që ka bërë të ditur se sot me fillim prej orës 10:00, Vuçiq pritet t’iu drejtohet qytetarëve rreth dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit gjatë ditës së sotme pasi që ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj letrën e dorëheqjes pritet t’ia dorëzojë presidentit Hashim Thaçi gjatë ditës së hënë.

Ndërkaq pas dorëheqjes së tij, ka pasur reagime të shumta si nga partitë në pushtet ashtu edhe nga partitë opozitare.

Këto të fundit e edhe disa parti në pushtet kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të mos krijohet qeveri teknike.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit, e gjithë qeveria bie.

Por, proceduralisht, pas dorëheqjes së kryeministrit, presidenti fillimisht bën konsultimet me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, për mandatimin e kandidatit të ri, për të formuar qeverinë e re.

Pas këtyre konsultimeve, presidenti e cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit.