Ramadani: Haradinaj mori një vendim të rëndësishëm për Sigurinë para dorëheqjes

Ramadani: Haradinaj mori një vendim të rëndësishëm për Sigurinë para dorëheqjes

Aktuale korrik 21, 2019 - 12:21
Lexo Detajet

Para dy ditësh, kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ka miratuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës. Zëvendës ministri i FSK-së, Burim Ramadani, po e quan këtë si vendim të madh.

Ramadani përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kjo paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në kompletimin e politikave strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Ai ka shkruar se Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila është për të gjithë dhe promovon një vizion të vetëm: Kosova, e sigurt, e mbrojtur dhe prosperuese.

“Strategjia e Sigurisë së Kosovës u miratua të premten, më 19 korrik, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa para tri ditësh më 16 korrik 2019 u miratua në Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Kjo paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në kompletimin e politikave strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes”, ka shkruar Ramadani.

Ramadani ka përmendur edhe qëllimet shtetërore strategjike e të cilat sipas tij janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, forcimi, avancimi dhe modernizimi i institucioneve, përshpejtimi i zhvillimit ekonomik dhe Thellimi i vazhdueshëm i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Kemi punuar 1 vit në këtë Strategji, e cila domosdoshmërisht ka qenë punë komplekse, sensitive dhe e mbushur me parapërgatitje në bazë të dokumenteve të klasifikuara përgjithësisht. Strategjia e Sigurisë është dokument i Kosovës. Merr për bazë nevojat dhe kërkesat e Kosovës në siguri, ndërsa kemi pasur këshillim të vazhdueshëm nga nivele të ndryshme të SHBA-së”, ka shkruar Ramadani.