Nënkryetari i AAK’së: Haradinaj do të rikthehet fuqishëm si Kryeministër

Nënkryetari i AAK’së: Haradinaj do të rikthehet fuqishëm si Kryeministër

Aktuale korrik 21, 2019 - 14:06
Lexo Detajet

Ministri në dorëheqje i Infrastrukturës, Pal Lekaj po thotë se Ramush Haradinaj do të kthehet edhe më i fortë nga Haga. Njeriu i dytë i AAK’së ka thënë për Gazetën Express se pas kthimit, Haradinaj do ta rimarrë pushtetin

Nënkryetari i AAK’së po e quan fatkeqësi dorëheqjen e Ramush Haradinajt para përfundimit të mandatit të tij. Për Lekajn, kjo është Qeveria më e mirë që ka përjetuar Kosova.

“Haradinaj do të kthehet edhe më i fortë, për të rimarrë pushtetin”, ka thënë Lekaj.

 “Kryeministri Haradinaj tregoi edhe njëherë madhështinë e tij, ndonëse po përballet me padrejtësi për herë të tretë. Është fatkeqësi që qeverisja më e mirë që po përjeton Kosova, po ndërpritet në gjysmë.”, ka thënë Lekaj.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten pasi tha se i erdhi ftesa për nga Specialja për t’u paraqitur në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Të shtunën, Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli tha se ish-Kryeministri s’e konsultoi fare kur dha dorëheqje. Kërkoi të shkohet në zgjedhje dhe të caktohet data nga Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi.

Edhe Pal Lekaj i AAK’së thotë se është në dorën e Presidentit që të marrë vendimin se çfarë do të ndodhë më tutje.

“Mbetet në dorën e presidentit të vendosë se çfarë do të ndodhë më tutje dhe deri atëherë ne vazhdojmë me punë”, tha Lekaj të dielën për Express.

Ramush Haradinaj dha për herë të dytë dorëheqje prej pozitës së Kryeministrit. Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.