Zvarritja e zgjedhjeve parlamentare bllokon punën e institucioneve të vendit

Zvarritja e zgjedhjeve parlamentare bllokon punën e institucioneve të vendit

Aktuale July 21, 2019 - 16:21
Lexo tjera detaje

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, zgjedhjet e parakohshme po shihen si të pashmangshme. Analistët politikë thonë se nuk ka hapësirë, e as legjitimitet që koalicioni PAN, të propozojë kandidat të dytë për kryeministër. Edhe partitë politike janë të gatshme për zgjedhje te reja, ashtu si edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë të pashmangshme, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj. Kështu tha për Radio Kosovën, Taulant Kryeziu nga instituti EPIK. Sipas tij, pas dorëheqjes së Haradinajt dhe gatishmërisë së tij që vendi të shkojë në zgjedhje, nuk ka hapësirë që koalicioni PAN, bashkë me Presidentin, të madatojnë një kandidat të dytë për kryeministër.

“Me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, dhe me kërkesën e partisë së tij që për qeverinë e ardhëshme të vendosë sovrani, kuptohet se brenda koalicionit PAN nuk ka mundësi të ketë konsensus për një kandidat të dytë, dhe rredhimishtë i bie se rruga më e mirë do të ishte shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohëshme”, tha Kryeziu.

Edhe analisti politik Imer Mushkolaj, pohon se nuk ka hapësirë që të ketë një mandatar të dytë. Sipas tij, zvarritja e mbajtjes së zgjedhjeve do të mund të bllokonte punën e institucioneve të vendit.

“Presidenti Hashim Thaci duhet që sa më shpejt, duke respektuar edhe afatet kushtetuese, të shpallë zgjedhjet e parakohëshme. Përndryshe, nëse do të ketë përpjekje për të zvarritur procesin, për ndonjë qëllim të caktuar, atëherë mund të ndodhë që ne të përballemi me situata bllokuese, çfarë kemi pasur në të kaluarën”, tha analisti politik, Imer Mushkolaj.

Partitë politike janë shprehur të gatshme që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, të shtunën, pas kthimit nga Uashingtoni, në një konferencë për media, ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Vendimi i ish kryeministrit për dorëheqje është vendim personal. Këtë e kemi pranuar edhe përkundër faktit se nuk kemi pasur asnjë njoftim a konsultë paraprake. Andaj, tashmë mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme është e pashmangëshme”, tha Veseli.

Ndërkohë, lideri i partisë opozitare, Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë thirrje që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve.

“Presidenti Thaçi duhet të na thërras vetëm që të caktojmë datën për zgjedhje, kaq. I bëjë thirrje që mos të zvarrisë proceduralishtë procesin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike”, tha kreu i VV-së, Albin Kurti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërkaq, është deklaruar i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Zëdhënësi Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja është institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato kërkohet.