Ismaili: Për një muaj janë shpëtuar 6 jetë nga trajtimi i infarktit brenda dy orëve

Ismaili: Për një muaj janë shpëtuar 6 jetë nga trajtimi i infarktit brenda dy orëve

Aktuale gusht 14, 2019 - 11:20
Lexo Detajet

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në një konferencë për media në QKUK ka njoftuar se nga lansimi i programit për trajtimin e infarktit në dy orët e para, për vetëm një muaj janë shpëtuar gjashtë jetë.

Ministri Ismaili ka thënë se me këtë program, kur një qytetar do të ballafaqohet me sulmin në zemër, kudo që jeton ai në Kosovë, brenda dy orëve do të reagojë i gjithë zinxhiri shëndetësor, me procedura të përshpejtuara, dhe pa asnjë vonesë do ta sjellë atë në QKUK, për t’ia shpëtuar jetën.

“Me këtë shërbim ne do të arrijmë që të shpëtojmë shumë më shumë jetë të qytetarëve por edhe të luftojmë korrupsionin i cili për shumë vite ka varfëruar qytetarët tanë. Që nga lansimi i këtij programi ditë më parë, profesionistët shëndetësorë të kësaj klinike u kanë shpëtuar jetën 6 personave. 6 persona sot më shumë gëzojnë shëndet dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirë jetën e familjeve të tyre falë këtij intervenimi të shpejtë që kemi krijuar”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tej, ai ka thënë se në përpjekjet për të luftuar korrupsionin që ka varfëruar qytetarët, krijimi i shërbimit 24 orësh për kujdesin e zemrës dhe stentimin është shërbimi për të cilin sot të gjithë janë më krenar dhe më të sigurtë.