Shtyhet sërish hapja e pikës së përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Shtyhet sërish hapja e pikës së përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Aktuale gusht 14, 2019 - 15:26
Lexo Detajet

Në muajin maj të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme kishte deklaruar që hapja e vendkalimit të përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të hapej për qarkullim në muajin gusht. Punët në këtë vendkalim kufitar janë ndërprerë shumë herë dhe kanë ngecur prej kur është iniciuar ndërtimi i kësaj pike kalimi në vitin 2011. Të kontaktuar nga Express, zyrtarë të MPB-së janë shprehur se kontrata për kryerjen e punimeve duhet të përfundoj më 28 gusht. Por të njëjtit nuk kanë dhënë datë të saktë se kur do të hapet për qarkullim vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Në qershor të vitit 2018 zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ai i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar vunë gurthemelin e objektit kufitar.

Zyrtarët e dy shteteve siguruan se në janar të vitit 2019 pika kufitare do të hapej, por kjo nuk ndodhi. E si duket kjo nuk do të ndodhë as në muajin gusht kur edhe është paraparë që të hapet vendkalimi i përbashkët kufitar mes dy shteteve. Projekti ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Kosovë realizohet me financimin e Bashkimit Evropian, ndërsa është pjesë e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.

Edhe pse muaj më parë Ministria kishte deklaruar se muaji gusht do të jetë muaji kur do të hapet për qarkullim pika kufitare Bellanoc-Stançiq, tash kjo Ministri thotë se data do të caktohet posa të përfundojnë punët.

“Pika e Kalimit të Kufirit Stanqiq/Bellanovc, është pikë e përbashkët dhe punët kryhen nga një punë kryes. Data për hapjen e kësaj pike do të caktohet posa të merret informata nga punë kryesi për përfundim e punëve”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar se sipas kontratës punimet duhet të përfundojnë më 28 gusht.

“Kjo Pikë e Kalimit Kufitar është ende në proces e sipër në punime dhe sipas kontratës me kompaninë kontraktuese punimet duhet të përfundojnë më datë 28 Gusht 2019”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

MPB-ja ka dhënë datën se kur duhet të kryhen punimet nga punë kryesi sipas kontratës por nuk ka dhënë datë e as muaj se kur do të hapet për qarkullim kjo pikë kufitare.

Banorët e vendbanimeve kufitare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vazhdimisht janë ankuar për neglizhencën e autoriteteve shtetërore për mos hapjen e pikës kufitare që lidh dy shtetet.

Sipas banorëve mos funksionalizimi i këtij vendkalimi kufitar ka bërë që të udhëtojnë qindra kilometra për të shfrytëzuar pikën kufitare të Bllacës për tu lidhur me qytetet kufitare të Gjilanit respektivisht Kumanovës.

Hapja e kësaj pike kufitare ka rëndësi strategjike për shkak të pozitë gjeografike e cila lidh 3 shtete Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në atë që njihet si “Trekëndëshi i Kufirit” në aspektin e ekonomisë dhe tregut, qarkullimit të njerëzve etj.