LDK-ja u frikësohet befasive të PDK-së

LDK-ja u frikësohet befasive të PDK-së

Aktuale August 19, 2019 - 10:22
Lexoni detajet

Vetëm tri ditë na ndajnë nga seanca e ftuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shumica e partive politike të vendit janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë shprehen skeptikë se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në këtë datë, për shkak se, sipas tyre, ndonjëra nga partitë mund të ndërrojë qëndrimin dhe potencialisht të kontribuojë në formimin e një qeverie të re teknike, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndryshe vlerëson deputeti i partisë opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, i cili për “Zërin” ka deklaruar se assesi nuk mund të anashkalohet fakti që ndonjëra nga partitë mund të ndryshojë qëndrimin dhe potencialisht të përkrahë formimin e një qeverie teknike. Sipas tij, secila parti që ndërmerr një hap të tillë nënkupton që nuk e ka përkrahjen e qytetarëve.

“Pashmangshëm që dalja nga kjo amulli politike janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Nuk dua të besoj që një parti politike parlamentare mund t’i ikë shpërndarjes së Kuvendit dhe t’i eskivoj një vendimi të tillë. Secila parti që merr një hap të tillë tregon që nuk ka një mbështetje qytetare dhe që është e papërgatitur për zgjedhje. Dua të besoj që edhe subjektet opozitare të tjera vërtet të jenë të vendosura në këtë çështje”, ka thënë Rugova.

Ndërkohë, teksa ka theksuar se LDK-ja e përkrah opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, po ashtu ka shtuar se përpjekjet për formimin e një qeverie teknike e dëmtojnë ashpër vendin.

“Besoj që edhe partia e kryeministrit, pra AAK-ja dhe partia e z. Limajt, që është pjesë e koalicionit, do të reflektojnë, kurse nuk mund të garantoj këtë për PDK-në, sepse edhe pse lideri i saj ka filluar fushatën paraelektorale, tashmë dihen fjalimet e presidentit Thaçi, që është i afërt me PDK-në, i cili ka tentuar të bëjë përpjekje për një qeveri teknike. Çdo hap i tillë e dëmton shumë Kosovën, lë shumë procese pa ecur më tutje dhe na vë në një pozitë të palakmueshme para miqve ndërkombëtarë”, ka shtuar më tutje ai./ZERI