Ambasada e Kosovës në Gjermani jep detaje për kosovarin që vrau ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj

Ambasada e Kosovës në Gjermani jep detaje për kosovarin që vrau ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj

Aktuale August 19, 2019 - 19:09
Detajet

Të shtunën që e lamë pas, në qytetin Iserlohn të Gjermanisë, një 43-vjeçar me prejardhje nga Kosova, ka vrarë me thikë kuzhine ish-bashkëshorten e tij 32-vjeçare e cila po ashtu është me prejardhje nga Kosova si dhe një 23-vjeçar nga Afganistani, i cili supozohet se ishte partneri i saj.

Në këtë ngjarje makabre, fatmirësisht ka shpëtuar vajza dymuajshe, e cila i shpëtoi kësaj vrasje pasi që prindërit e kishin lënë në veturë duke fjetur.

Në një përgjigje dhënë për lajmi.net, zyrtarët e ambasadës kanë konfirmuar se janë të informuar në lidhje me rastin mirëpo, nuk kanë asnjë informacion shtesë, pasi që dorasi kishte shtetësi gjermane dhe për këtë arsye autoritetet gjermane më nuk japin ndonjë informacion ambasadave përkatëse.

“Jemi të informuar për rastin në fjalë. Autoritetet gjermane për fat të keq nuk na kanë proceduar informacione për personin në fjalë pasi që i njejti ka prejardhje nga Kosova dhe kjo do me thënë që ai është tash disa kohë shtetas i Gjermanisë. Në çastin që një shtetas është me prejardhje nga Kosova por ka shtetësi gjermane autoritetet gjermane nuk japin informacione shtesë për të”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Sipas ambasadës së Kosovës në Gjermani, e vetmja gjë që dihet deri më tani, është se 43-vjeçari dhe 32-vjeçarja janë të kombësisë rome mirëpo, ambasada nuk ka dhënë ndonjë detaj se nga cili qytet i Kosovës kanë qenë ata.

“E tëra që dihet jo zyrtarisht është që shtetasi në fjalë është i kombësisë rome, bashkë me viktimën- bashkëshorten e tij”, ka bërë të ditur ambasada për lajmi.net.

Theksojmë se në bazë të raportimeve të medieve gjermane, 32-vjeçarja kishte kërkuar ndihmë nga shteti për shkak të dhunës në familje dhe pas kësaj, autoritetet gjermane e kishin strehuar në një qendër emigrantësh ku më pas supozohet se ajo ishte në lidhje me 23-vjeçarin afgan me të cilin solli në jetë vajzën, e cila fatmirësisht i shpëtoi këtij krimi.

Po ashtu, sipas medieve gjermane, akoma është e paqartë se si ka arritur 43-vjeçari ta bindë ish-bashkëshorten e tij që të takoheshin.

Duke iu referuar gjithmonë raportimeve të medieve gjermane, thuhet se 43-vjeçari ishte i njohur për policinë gjermane për shkak të dhunës që ksihte ushtruar në familje dhe ndaj ish-bashkëshortes së tij.

43-vjeçari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë ditës së sotme pritet që Gjykata të marrë vendim për të.