Ismajli: PDK-ja në opozitë, koalicioni LDK – LVV pas zgjedhjeve

Ismajli: PDK-ja në opozitë, koalicioni LDK – LVV pas zgjedhjeve

Aktuale August 24, 2019 - 14:24
Lexoni detajet

Pikërisht në ditën kur u zyrtarizua koalicioni i dytë parazgjedhor më mes të dy subjekteve, AKR-së së Behxhet Pacollit dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, përfaqësues të PDK-së, parti kjo e cila është në pushtet që nga paslufta, kanë paralajmëruar thyerjen e të gjitha matematikave të subjekteve politike, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Në anën tjetër profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike Dashnim Ismajli duke folur për dy koalicionet parazgjedhore, të formuara deri më tani, ka theksuar se këto marrëveshje mes partive nuk janë në frymën e demokracisë. Rrjedhimisht, sipas tij, partitë do të duhej t’i matnin forcat e tyre duke shkuar në zgjedhje të vetme.

“Koalicionet e tilla parazgjedhore, duke i shikuar nga rrethanat politike në vend, janë të gabuara. Këto koalicione ad-hoc nuk kanë për qëllim harmonizimin e programatikave ndërpartiake, më shumë ngarendin për të mbijetuar, andaj vetë lufta e tyre për mbijetesë tregon qartazi se këto parti nuk ofrojnë agjendë të strukturuar qeverisëse që do të mundë të bindte qytetarin për t’i deleguar besim. Partitë duhet të garojnë në mënyre vetanake, për arsye se kjo do të shërbente edhe në vetëkonsolidimin e demokracisë dhe në legjitimitetin e saj, duke evituar ose duke mos i dhënë rëndësi çfarëdolloj përcaktori jolegjitimitues”, ka thënë ai për “Zërin”.

Kurse duke folur për mundësinë e një koalicioni LDK - LVV, Ismajli ka thënë se që një gjë e tillë duhet të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve, atëherë kur të dyja partitë do të arrijnë t’i harmonizojnë programet partiake dhe potencialisht të arrijnë një marrëveshje të përbashkët.  Duke u nisur nga zhvillimet e deritanishme, PDK-ja sipas Ismajlit do të mbetet si forcë e tretë ose e katërt në strukturën hierarkike të partive politike, që do ta çonte atë në opozitë.

“PDK-ja aktualisht ka humbur interesin e opinionit publik dhe bashkëpunimin ndërpartiak e në këto zgjedhje sigurisht se nuk do të jetë në qendër të vëmendjes e arsyet tashmë dihen dhe kjo do t’i kushtojë kohë PDK-së për t’u rikonsoliduar. Andaj, meqë PDK-ja tashmë ka humbur besimin e qytetarit, vëmendja e saj në këto zgjedhje elektorale do të jetë minimale, duke e ranguar përkrah partive që nuk kanë rol në politikëbërje. PDK-ja si forcë e tretë ose e katërt në strukturën e hierarkisë së partive politike do të qëndrojë në opozitë për disa kohë”, ka shtuar ai. /ZERI