Gjasa të zbehura për anëtarësim në INTERPOL

Gjasa të zbehura për anëtarësim në INTERPOL

Aktuale September 10, 2019 - 07:47
Detajet

Edhe këtë herë Kosova ka pak gjasa të marrë përgjigje pozitive nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, që pritet të mbahet në tetor të këtij viti. Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se MPJ-ja nuk po lobon sa duhet, derisa Serbia po vazhdon luftën e saj të pandërprerë kundër Kosovës, shkruan gazeta "Zëri".

Doruntina Thaçi

Të pakta janë gjasat që Kosova të marrë dritën e gjelbër për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL nga Asambleja e Përgjithshme e kësaj Organizate, e cila do të mbahen në tetor të këtij viti në Kili.

Ndonëse Kosova në janar të këtij viti ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, njohës të çështjeve të sigurisë konsiderojnë se Ministria e Punëve të Jashtme ka dështuar në përmbushjen e kushteve për anëtarësim. Sipas tyre, kërkesa për anëtarësim do të jetë një dështim i radhës. Ndërkohë Haxhi Shala, që gjatë legjislaturës së kaluar ishte kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe për Siguri, ka thënë se Kosova mund të ngecë në këtë aspekt për shkak të procesit zgjedhor, ani pse MPJ-ja vazhdon të jetë e angazhuar në lobim.

Në anën tjetër shteti serb po vazhdon lobimin e pandërprerë që Kosova edhe këtë herë të mos arrijë të bëhet anëtare e INTERPOL-it.

MPB: Ne i kemi përmbushur kriteret, mbetet në dorën e MPJ-së

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se të gjitha kriteret e INTERPOL-it janë përmbushur nga MPB-ja dhe nga Policia e Kosovës, por është në dorën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të përmbushin pjesën e tyre. “Të gjitha kushtet që janë kërkuar nga INTERPOL-i janë plotësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, po ashtu edhe nga Policia e Kosovës. Por varet shumë nga lobimi që do të bëhet, detyrë të cilën e ka përsipër Ministria e Punëve të Jashtme dhe nuk kam informacione se deri ku ka shkuar me lobim. Ndërsa sa u përket kushteve dhe kritereve për anëtarësim në INTERPOL të kërkuara nga e Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia, ato janë të përmbushura”, ka thënë ai.

Gazeta “Zëri” ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme për këtë çështje, por ajo nuk është përgjigjur. “Zëri” tash e disa muaj ka tentuar të marrë përgjigje nga MPJ-ja, por zyrtarë të kësaj Ministrie kanë thënë se nuk duan të flasin për këtë temë.

Ndërkohë mospranimin e Kosovës në INTERPOL po e pret i bindur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili po bën lobim të vazhdueshëm që Kosova të dështojë edhe këtë herë. Daçiqi ditë më parë deklaroi se do të japë dorëheqje nga posti i tij nëse Kosova do të arrijë të pranohet në INTERPOL. Ai rikujton se 15 vende tashmë kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shton se së shpejti do të ketë edhe vende të tjera që do ta bëjnë këtë gjë. “Nga 116 vende që kishin njohur pavarësinë e Kosovës do të mbesin më pak se 96. Për këtë aksion jam konsultuar me presidenti Aleksandar Vuçiq dhe pas kësaj qëndron qeveria e Serbisë”, ka thënë Daciqi.

Shala: Zgjedhjet mund ta pengojnë anëtarësimin në INTERPOL

ish-kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Haxhi Shala, ka thënë se procesi zgjedhor në Kosovë mund ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke qenë se të gjithë janë të përqendruar në zgjedhje e që do të duhej të përqendroheshin në lobim. “Mendoj se për shkak të procesit zgjedhor lobimi mund të jetë i mangët. Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe besoj që disa institucione, të cilat kanë qenë të angazhuara janë duke lobuar sërish, por pengesë mund të jenë zgjedhjet pasi të gjithë janë më shumë të përqendruar te to. Këtë radhe besoj se janë angazhuar disa shtete mike për të krijuar një opinion pozitiv që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it dhe besoj se këtë herë do të anëtarësohet në këtë organizatë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Shala beson se faktori ndërkombëtar do ta ndihmojë Kosovën që këtë herë të mos dështojë në anëtarësim. “Çdo shtet përveç votës i ka edhe miqtë e vet e ne duhet të synojmë që aty ku ka pengesa të lobojmë, të kemi sa më pak shtete që e kundërshtojnë. Besoj se edhe faktori ndërkombëtar është i përkushtuar që Kosova këtë herë të anëtarësohet”, ka përfunduar ai.

Ibishi: Do të jetë dështimi i radhës, MPJ-ja s’po lobon sa duhet

Ndërkaq ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, duke folur për “Zërin” tha se Ministria e Punëve të Jashtme ka dështuar në aspektin e lobimit dhe kjo mangësi do të ndikojë që Kosova të dështojë sërish në anëtarësimin e saj në INTERPOL. “Ne duhet të aplikojmë çdo vit derisa të pranohemi, por nuk ka shumë pritje për shkak të lobimit të dështuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Prandaj gjasat mendoj se janë më të vogla sesa herëve të kaluara për anëtarësim në INTERPOL. Jam mjaft skeptik, ndonëse mund të ndryshojë diçka papritur”, ka theksuar ai.

Ai thotë se negativisht po ndikon edhe lobimi i pandërprerë i Serbisë me partnerët e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë Organizatë./ZERI