Pas ankesave për spitalin e Prizrenit, Haskuka thotë se kjo çështje i përket Qeverisë

Pas ankesave për spitalin e Prizrenit, Haskuka thotë se kjo çështje i përket Qeverisë

Aktuale shtator 11, 2019 - 17:27
Detajet

Qytetarët e Prizrenit kanë bërë shumë ankesa për spitalin e këtij qyteti.

Krue i tyre, Mytaher Haskuka, ka thënë se ky institucion nuk është në përgjegjësinë e tyre, por të ministrisë së Shëndetësisë.

“Në shumicën e postimeve lidhur me sukseset e Komunës së Prizrenit në shëndetësi, përkatësisht në Qendrat e Mjekësisë Familjare, vijnë komente për pakënaqësitë me Spitalin Regjional të Prizrenit, derisa edhe ankesat e qytetarëve në qendrën e thirrjeve “Alo Komuna” po ashtu kanë të bëjnë me Spitalin Regjional”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, dua të ritheksoj se Spitali i Prizrenit është në përgjegjësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, e jo nga Komuna e Prizrenit”.

“Komuna jonë edhe pse me buxhet më të limituar dhe me më pak personel mjekësor, ofron shërbime efikase të cilat në shumë raste do të duhej t’i bënte Spitali i Prizrenit. E gjithë kjo po bëhet edhe përkundër faktit që fondi i performacës për shëndetësi në vlerë prej 538,000 euro ende nuk është alokuar nga Qeveria”.