A janë sondazhet shqetësimi më i madh i Ramës?

A janë sondazhet shqetësimi më i madh i Ramës?

Aktuale shtator 11, 2019 - 21:51
Detajet

Edi Rama nuk është në humor. Kjo duket qartë. Ka patur vazhdimisht probleme, kriza, mosarritje, skandale, mirëpo ai ka gjetur vazhdimisht një burim sekret për të vijuar. Herë pas here, kjo edhe deklarohej. Ishin sondazhet e tij të brendshme, që i tregonin se vazhdonte t’i kishte mirë kreditet.

Kjo i mbante lart humorin dhe e frymëzonte për propagandë të re e batuta e shigjeta kundër opozitës.

Kohët e fundit, po flitet dendur, se sondazhet e Ramës nuk janë mirë. Paralelisht, besohet se këto të dhëna, nxjerrin rritje të opozitës.

Kjo shpjegon dhe rënien e lustrës së kryeministrit në daljet publike dhe mungesën e një mesazhi, që zakonisht ka treguar armiqtë e përparimit.

Tani që i ka të gjitha pushtetet vetë, kur del se produkti i 30 qershorit është një shportë e madhe e kalbur, kur opozita nuk i vuri zjarrin vendit, Rama është në vështirësi për të gjetur dikë për ta fajësuar.

Ndërkohë, ekonomia ka rënie, dhe del se ritmi i rritjes, zyrtarisht është përgjysmuar. Tirana me të cilën është mburrur dhe ka ushqyer propagandën e madhe, është më e ndotur dhe më pa ujë se asnjëherë, dhe ngado po del një rast abuzimi, fatura të majme apo inkriminimi.

Europa e ka rritur trysninë dhe tashmë qeveria mbahet përgjegjëse për gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga kriza.

Exit strategjia e re, është e dukshme. Dikush duhet kryqëzuar, dhe tashmë fajin e kanë drejtorët, administrata, buburrecët brenda partisë dhe deputetët që nuk i rrinë pranë popullit.

Derisa kjo skemë të japë efekte, sondazhet janë në pikë kritike.

Ata që e njohin mirë Ramën dhe stilin e tij, besojnë se kjo është dhimbja e tij e kokës. Nuk dihet pse e ka ditur veten udhëheqës me të cilin populli ka rënë në dashuri të përjetshme, po tani vetë shifrat e tij tregojnë se ka rënie.

Nëse sondazhet janë kësisoj, atëherë oksigjeni që e mban kryeministrin në ecje, është pakësuar.

Goditja finale mund të jenë kushtet e reja për hapjen e negociatave, që lidhen me plagën e madhe të zgjedhjeve.

Nëse fajësimi dhe gjetja e armiqve nuk funksionon më, ndoshta ka një mundësi për të rifituar kredite, duke marrë përgjegjësi vetë, duke bërë mea kulpa, e duke i dhënë vendit një zgjidhje, edhe nëse prish rehatinë e tij personale./Mapo