Limaj: Deputetët u treguan të pasinqertë ndaj qytetarëve, gënjyen për Gjykatën Speciale

Limaj: Deputetët u treguan të pasinqertë ndaj qytetarëve, gënjyen për Gjykatën Speciale

Aktuale September 14, 2019 - 23:05
Detajet

Kandidati për Kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se një i nominuar për të parin e Qeverisë në mandatin e ardhshëm, nëse nuk i ka të qarta temat se çka do të veprojë pas procesit zgjedhor, është i pasinqertë ndaj votuesve të vet.

Limaj theksoi se Kosova gjendet para proceseve të rëndësishme dhe nëse ende nuk bëhen të qarta planet se si duhet të veprohet me çështjen e dialogut si dhe me çështjen e taksës, do formohet tutje Qeveri me ngërçe e cila do të sjellë telashe.

”Një kandidat për kryeministër që së paku pesë tema nuk e di qartë se çka do të bëjë, e ata e dijnë se çka e presin Qeverinë e Kosovës në ditën e parë pas procesit zgjedhor, një kandidat për kryeministër që mendon të ketë partneritet në qeverisje me të tjerët, që nuk e bënë të qartë pozicionin e vet sot për dialogun, pse u vonua liberalizimi i vizave?, që se bënë të qartë çështjen e taksës, çka pas zgjedhjeve për këtë tarifë? -nëse i lë këto të paqartësuara, është i pasinqertë para votuesve të vetë, ka frikë, bëhet viktimë e një bote më tepër. Një kandidat për kryeministër që gjuhet me premtime të pamatura, ka me sjellë një Qeveri me ngërçe me telashe dhe do të ketë Qeveri e cila s’do të jetë reformatore”.

”Neve na duhet një qeveri reformatore që s’kalkulon nëse do t’i humb zgjedhjet pas dy ose tri vjetësh. Por që bënë dy veprime që e nxjerrin vendin tonë nga kjo situatë. E kalon vendin në një stad të zhvillimit tjetër. Nëse nuk ka përgjigje në këto tema dhe tentojnë të bëjnë tërheqje taktike janë të pasinqertë. Parlamenti i Kosovës është treguar i pasinqertë me vendin e vet. Shumica e deputetëve të Kuvendit nuk kanë qenë të sinqertë, kanë gënjyer qytetarët e Kosovës për Gjykatën Speciale. Fjalimin e kanë pasur kundër Gjykatë Speciale e votën e kanë dhënë pro Gjykatës Speciale. Kush i beson më atij deputeti? Ma gjeni një deputet që votohet prapë që del me fol kundër për një temë dhe e voton prapë atë. Kur Parlamenti ka bërë situata të tilla çfarë bënë Qeveria?”.

Fatmir Limaj foli në Zonën Zgjedhore edhe për letrën e shkruar, ku iu referohet kundërkandidatëve të tij për postin e kryeministrit, e të cilën e quajti zotim publik që edhe në pozicionin e opozitës, do të pranojnë bashkëpunim për të përmbyllur dialogun mes Kosovës e Serbinë, njofton Klan Kosova.

”Letra ime që kam dërguar dje, nuk është letër kot por është zotim publik – cili është qëndrimi juaj?, a po zotoheni që do ndërtojmë një koncenzus të gjerë për ta përmbyllur dialogun me Serbinë?, a po zotoheni që edhe nga opozita, jo veç duke qenë kryeministër – do të kontribuosh për të përmbyllë dialogun me Serbinë?”

”Kolegët e mi deputetë e dinë që ky ishte përkushtimi im e nuk ishte një letër artificiale që e kërkon fushata. Letra është rrjedhë e natyrshme e pozicionimit tim politik për vite të tëra. Unë mendoj që kam ndihmuar kandidatët e mi sepse është koha që kandidatët e mi i ka kapur ethet se do të jetë kryeministër i ardhshëm. Është koha që ata duhet t’ia lehtësojmë kryeministrit të ardhshëm punën, unë ia jap dorën atij që e voton populli i Kosovës”.

”E fitove garën, ta ka besuar qytetari i Kosovës, kam dilemat e mia por t’ka dhënë besimin qytetari, prapa më ki, nëse të duhen shërbimet e mia aty na keni për temat nacionale edhe nga opozita po ashtu për aq sa jeni transparent dhe na respektoni. Këtë qëllim e ka pasur letra, që njerëzve në Kosovë, miqve tanë ndërkombëtarë t’ua bënë me dije që Kosova është e përgatitur për një proces zgjedhor dhe ka ekipë të përgatitur dhe nga ky proces do të dalim edhe më të fuqishëm si shtet. Unë nuk dua votë duke bllokuar proceset e vendit tim, nuk dua votë duke rrahur gjoks. Ne do ta përmbyllim çështjen me Serbinë”.

”Për disa nga katër kandidatët e mi kam dilemë se e përfundojnë dialogun, e për disa nuk besoj hiç. Disa kanë pasur rastin e se kanë bërë, çështja e dialogut është pak më tepër sesa ajo që po e shohim ne në debate të lira. Aty duhet pjekuri, shkathtësi, mençuri, kujdes, bashkëpunim me aleatët, me dëgjuar njerëzit e tu, këshillat. Nuk jam pronar i së vërtetës, as ju- ne nuk jemi që japim fjalën përfundimtare”.

”Ajo çka unë them është duke respektuar institucionet e vendit tim drejtuesi ka nevojë për njerëz përreth jashtë grupit që bashkëjeton politikisht, jashtë ngritjes politike. Kemi nevojë për njerëz me përvojë, kemi nevojë nga njerëz të shoqërisë civile, akademikë, miqtë ndërkombëtarë. E thash edhe atë ditë se çlirimin e kemi përmbyllë me luftë bashkë me aleatët tanë, e vetmja çështje pa e mbyllur që na ka mbetur me Serbinë është çështja njohjes së ndërsjellë dhe ndërtimi i fqinjësisë mes dy vendeve tona.  Nuk është thjeshtë bashkëbisedimi me Serbinë, por paqësimi i rajonit, ndërtimi i fqinjësisë Kosovë-Serbi ndërton zhvillimin ekonomik”.