Partitë, pa plane konkrete për udhëheqjen e dialogut

Partitë, pa plane konkrete për udhëheqjen e dialogut

Aktuale September 17, 2019 - 08:17
Detajet
Image

Procesi i dialogut me Serbinë pritet të jetë njëra ndër çështjet më të rëndësishme që do t’i trashëgojë qeveria e ardhshme. Ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve të reja, asnjëra prej partive politike në Kosovë nuk e ka publikuar planin se si do ta udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi, edhe pse disa prej kandidatëve për kryeministër janë shprehur të gatshëm ta drejtojnë këtë proces, shkruan gazeta "Zëri".

Arritja e një stabiliteti dhe paqeje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë njëra ndër sfidat kryesore që e ka shoqëruar çdo qeveri të vendit në tetë vjetët e fundit prejse kanë nisur negociatat mes të dyja këtyre shteteve. Dialogu me Serbinë pritet të jetë me rëndësi primare edhe në Qeverinë e ardhshme, e cila do të zgjidhet pas 6 tetorit. Por edhe pse ka mbetur më pak se një muaj deri te zgjedhjet e reja, asnjë parti politike ende nuk ka ofruar alternativë konkrete se si do t’i japë fund këtij procesi tashmë të stërzgjatur, ndonëse shumë prej kandidatëve të partive për kryeministër janë shprehur të gatshëm ta marrin timonin e udhëheqjes së negociatave.

Përderisa për shumë prej partive protagonisti aktual i dialogut Hashim Thaçi nuk do të jetë më pjesë e këtij procesi, disa subjekte tjera politike ende nuk e kanë bërë të qartë nëse do ta marrin përsipër dialogun ose do të vazhdojnë t’ia lënë në dorë presidentit Thaçi. Gjykata Kushtetuese muaj më parë pati dhënë versionin e saj, duke e bërë Qeverinë përgjegjëse për udhëheqjen e dialogut, ndërsa presidentit dhe Kuvendit i pati dhënë rol këshillues e mbikëqyrës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëhoqi me Qeverinë që shkoi, por jo me dialogun, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të veprojë njëjtë edhe në qeverinë e ardhshme në rast të fitores. Duke mos e pohuar se a do ta udhëheqin dialogun dhe në çfarë formati, kandidatja për deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj në një përgjigje për "Zërin" ka theksuar se kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj do t'i trajtojë çështjet e rëndësishme ashtu siç ka bërë gjatë mandatit të tij gjysmak.

Për AAK-në e rëndësishme është që dialogu të vazhdojë pa kushte. "Ju e dini që dialogu duhet të zhvillohet, jemi për dialog, por për dialog pa kushte. Përderisa ne nuk e kemi kushtëzuar dialogun, këtë gjë nuk ka të drejtë ta bëjë as Serbia. Do të presim rezultatin e zgjedhjeve, besoj që ne jemi parti fituese dhe të gjitha temat zoti Haradinaj do t'i trajtojë siç i ka trajtuar në këtë gjysmë mandati, ku e ka penguar edhe ndarjen e Kosovës. Përfundimi i dialogut do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, ka potencuar Kadrijaj.

PDK: Fundi i dialogut nuk do të jetë i lumtur

Ndonëse në prag të zgjedhjeve, nga Partia Demokratike e Kosovës ende nuk janë papërcaktuar nëse do ta udhëheqin dialogun në rast të marrjes së qeverisë ose do të vazhdojnë ta lënë atë në duar të ish-kryetarit të PDK-së, i cili tashmë është president i Kosovës dhe udhëheq me këtë proces.

Nënkryetari i kësaj partie, Xhavit Haliti, ka theksuar për “Zërin” se megjithatë negociatat duhet të bëhen në përputhje me politikat shtetërore të Kosovës. “Është më mirë të dialogohet qindra vjet sesa të luftohet dy ditë. Dialogu duhet të bëhet në secilën variant, por duhet të bëhet sipas një politike shtetërore që e bën Kosova në raport me Serbinë, të bëhet sipas interesave që tashmë dihen. Por interesi i të dyja palëve është për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Haliti.

Haliti thekson se fundi i dialogut mund të mos jetë i kënaqshëm, por së paku duhet të përfundojë me njohje reciproke Kosovë - Serbi. “E di që pas këtij dialogu nuk do të ketë lumturi në asnjërën palë po besoj. Por e mira e së mirës është që përfundimi duhet të jetë njohja reciproke e të dyja vendeve dhe zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar”, ka shtuar ai.

Vetëvendosja pro dialogut, por me parime

Shqyrtimi i 33 marrëveshjeve të arritura me Serbinë vazhdon të mbesë parakusht për vazhdimin e negociatave nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidati i kësaj partie për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, është shprehur gjatë ditës së djeshme se nuk janë kundër dialogut në parim, por janë për një dialog me parime. Ai ka theksuar disa herë se për të vazhduar këto negociata Kosova duhet paraprakisht ta marrë njohjen nga Serbia. Në një diskutim online gjatë ditës së djeshme Kurti theksoi se ai do ta marrë përsipër dialogun, porse fillimisht do të dialogojë me serbët e Kosovës e pastaj me ata në Beograd. “Qysh në javën e parë si kryeministër do ta filloj dialogun me serbët e Kosovës, është e rëndësishme që të ketë një dialog i cili zhvillohet nga poshtë e që nxitet nga lart. Ky dialog do t’i trajtojë serbët e Kosovës si qytetarë të barabartë me të drejta dhe liri. Unë nuk lejoj që për serbët e Kosovës të na tregojë Beogradi, unë dua të dëgjoj drejtpërsëdrejti se cilat janë nevojat e tyre”, ka shtuar ai.

Ndonëse ende nuk e kanë shpërfaqur programin e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Kurti ka përmendur dy arsye që po e mbajnë Ballkanin në tensione dhe Kosovën dhe Serbinë larg pajtimit. “Në njërën anë, mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe në anën tjetër, sabotimi që ia bën Republika Serbe Bosnjës dhe Hercegovinës, janë dy problemet në Ballkanin Perëndimor që po na mbajnë të ngujuar në tensione të vazhdueshme dhe larg prej paqes e pajtimit që e synojmë e qe besa edhe prej integrimit në BE”, ka thënë Kurti.

LDK: E njohim më së miri procesin e dialogut

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Kandidatja e kësaj partie për kryeministre të Kosovës Vjosa Osmani, ndonëse nuk shpërfaqi ndonjë plan specifik se si do ta drejtojë këtë proces, u shpreh se ka përgatitje më të mirë për ta drejtuar dialogun sesa të gjithë kandidatët tjerë që janë në garë për kryeministër, shkruan gazeta "Zëri".

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria, atë proces do ta udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe të dialogut kam përvojë më shumë se secili kandidat tjetër për kryeministër. Të tjerët më shumë e kanë shikuar në televizion, unë kam marrë pjesë drejtpërdrejt, sidomos në procesin e negociatave të Ahtisaarit. Asnjëri prej këtyre që po kandidojnë nuk e ka dëshmuar që e njeh kompleksitetin e procesit, që i vendos interesat e shtetit para interesave individuale dhe që ka vizion për këtë proces”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se në këto negociata me Serbinë roli i vetëm i presidentit Thaçi do të jetë dekretimi i marrëveshjes së arritur nga qeveria. “Pasi ne si qeveri ta negociojmë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen dhe pasi të ratifikohet në Kuvend, atëherë presidenti ka vetëm një detyrë ceremoniale, që ta vendosë nënshkrimin te dekreti i ratifikimit të marrëveshjes”, ka deklaruar Osmani.

Haxholli: Dialogu, çështja kryesore e qeverisë së ardhshme

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se dialogu me Serbinë do të jetë një ndër temat më të rëndësishme me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme.

“Tema e dialogut pritet të jetë temë kryesore edhe në të ardhmen e sidomos pas procesit zgjedhor. Çështja e taksës, çështja e vazhdimit të dialogut besoj do të jenë temat në tavolinë, që do t’i ketë qeveria e re pas zgjedhjes”, ka nënvizuar Haxholli.

Haxholli ka deklaruar se gjasat e fillimit të dialogut nuk varen nga zgjedhjet dhe nga formimi i qeverisë. Ajo ka shtuar se i gjithë ky proces varet nga vullneti i palëve dhe nga heqja e kushtëzimeve. “Se a do të fillojë dialogu pas zgjedhjeve varet nga vullneti i palëve. Ne i dimë arsyet se pse dialogu është pezulluar. Në të ardhmen duhet të pritet se a do të ndryshojë diçka në këtë drejtim dhe a do të tërhiqet sidomos Serbia nga ky kushtëzim që i ka vënë Kosovës për heqjen e taksës, në mënyrë që pastaj procesi të vazhdojë”, ka thënë Haxholli./ZËRI