Vështirësohet rruga drejt INTERPOL-it

Vështirësohet rruga drejt INTERPOL-it

Aktuale September 17, 2019 - 12:20
Lexon detajet

Më pak se një muaj (15 -18 tetor) na ndajnë nga Kuvendi i Përgjithshëm i INTERPOL-it, i cili do të mbahet në Kili. Mirëpo edhe pse Kosova tashmë ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, Qeveria në dorëheqje e Kosovës po paralajmëron tërheqjen nga votimi, njëjtë sikurse kishte bërë në vitin 2017 nga frika se nuk do të arrihet të sigurohen votat e nevojshme, shkruan gazeta "Zëri".

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë deklaruar se do ta pezullojnë votimin po qe se rrethanat nuk janë të favorshme për Kosovën. Në anën tjetër, përfaqësues të qeverisë në dorëheqje konsiderojnë se Kosova nuk dëmtohet edhe nëse tërhiqet për sivjet.

Ndërkaq Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme, duke folur për gazetën “Zëri” tha se sivjet gjasat janë të vogla që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL në krahasim me vitin 2017 kur Kosova tërhoqi aplikacionin nga frika se nuk do të pranohet.

“Në vitin 2017 Kosova ka pasur vota të mjaftueshme, por kjo Qeveri e ka tërhequr aplikacionin dhe ka qenë gabim i madh strategjik, i pafalshëm. Por tani gjendja ka ndryshuar, sepse janë pikërisht këto veprime të pamenduara të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Qeverisë që e kanë sjellë deri në këtë gjendje dhe tani Kosova nuk e di nëse duhet të aplikojë ose jo. Është një pasiguri e pashpjegueshme e institucioneve aktuale”, ka thënë Hyseni, i cili njëherësh ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme.

Hyseni tutje tha se me punën që është bërë gjasat janë shumë të vogla që Kosova këtë vit të anëtarësohet në INTERPOL.

"Sipas të gjitha perceptimeve s’është bërë kurrfarë pune, prandaj nuk mund të presim edhe rezultate”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë derisa afrohet data e votimit, Qeveria e Kosovës dhe Beogradi vazhdojnë aktivitetet diplomatike në mënyrë që t’ua prezantojnë argumentet e tyre shteteve anëtare. Sipas gazetës serbe “Blic”, argumentet e Serbisë mbeten të pandryshuara, “Pranimi i Kosovës në INTERPOL do të paraqesë shkelje e mbi të gjitha të statutit të organizatës. Në statut është e qartë se një shtet, i cili nuk është anëtar në Kombet e Bashkuara e as nuk merr pjesë në punën e tyre në rolin e vëzhguesit nuk mund të jetë anëtare”, thuhet në qëndrimin e Serbisë. Kjo strategji shprehet qartë edhe me deklaratën e Rezolutës 1244, shton “Blic”.

Edhe këtë vit sipas “Blic”-it në stafin që merret me pengimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL janë kryesues të Ministrisë së Jashtme, por edhe të Brendshme, duke përfshirë Zyrën për Kosovën.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala konsideron se Kosova nuk duhet ta tërheqë aplikacionin e saj për anëtarësim në INTERPOL. “Kosova nuk duhet të tërhiqet nga procesi i anëtarësimit të INTERPOL-it, pavarësisht pengesave që paraqiten në këtë rrugë”, ka thënë ai./ZERI