Formati i dialogut me shumë shtete hap çështjen e statusit të Kosovës

Formati i dialogut me shumë shtete hap çështjen e statusit të Kosovës

Aktuale September 20, 2019 - 14:11
Detajet

Kombinimet e niveleve të larta në dialogun Kosovë - Serbi mund ta kalojnë këtë proces nga një dialog me ndërmjetësues në një çështje për konferencë ndërkombëtare. Madje një format i tillë, i cili do të mundë ta përfshinte SHBA-në, Rusinë, Gjermaninë e Francën, vlerësohet se mund ta rivendosë në diskutim statusin e Kosovës dhe mund ta përsërisë një Vjenë të dytë, shkruan Gazeta "Zëri". 

Nezir Kraki, ligjërues i politikave të BE-së në Universitetin e Parisit, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se nuk beson se do të ketë përfshirje të SHBA-së e të disa shteteve të BE-së në procesin e dialogut.

“Nuk pres diçka konkrete në këtë proces. Është krijuar paqartësi e madhe nga temat e nëntemat që e ngadalësuan dialogun deri në bllokim. Më duket jorealiste pritja e disave në Prishtinë se do të ketë përfshirje aktive amerikane, gjermane dhe franceze. Momentalisht janë vetëm shprehje vullneti për një mbyllje të shpejtë të këtij procesi”, ka thënë ai për "Zërin". 

Mirëpo ai thekson se në një format të tillë të përfshirjes së superfuqive në dialog Kosova mund të rrezikojë që statusi i saj të vihet në diskutim.

“Mendoj se Kosova nuk duhet të pranojë të futet në kombinime të niveleve të larta, sepse kjo do të vuloste dyshimin ndërkombëtar mbi shtetësinë e saj dhe mbi formën e statusit aktual. Sa më i lartë të jetë niveli politik i dialogut, aq më i lartë është rreziku për ridiskutimin e statusit të Kosovës”, ka deklaruar Kraki. /ZERI