Ministria e Mbrojtjes: Ka nisur zbatimi i plotë i planit për FSK-në

Ministria e Mbrojtjes: Ka nisur zbatimi i plotë i planit për FSK-në

Aktuale September 20, 2019 - 15:17
Detajet

Është bërë gati një vit prejse Pakoja e Projektligjeve për Transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Por tash kur kanë kaluar rreth tetë muaj prejse është dekretuar ky vendim vlerësohet se ka pasur ngecje në transformimin e FSK-së përgjatë kësaj periudhe kohore, shkruan Gazeta 'Zëri'.

Ekspertë të çështjeve ushtarake thonë se ngecjet kryesisht vërehen në çështjet që kanë të bëjnë me riorganizimin. Gjithashtu sipas tyre FSK-ja ka mundur të bëjë më shumë edhe sa i përket armatimit.

Por zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes thonë se gjithçka është duke ecur sipas planit të paraparë. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë bërë dy dekada qëkur janë formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). 

Gjersa ka folur rreth transformimit të FSK-së Burim Ramadani, zëvendësministër i Mbrojtjes në dorëheqje, ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së është duke shkuar në tërësi sipas planit të paraparë.

“Ka filluar zbatimi i plotë i planit. Plani është ai që jemi dakorduar me partnerët ndërkombëtarë dhe me institucionet brenda, që përfshin 10-vjeçarin. FSK-ja do të jetë me kapacitete të plota brenda 10 vjetëve. Ajo që ka ndodhur paraqet sigurisht fazën e parë, që është transformimi i Ministrisë dhe themelimi i Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, disa prej të cilave janë në proces dhe disa prej tyre kanë përfunduar”, ka deklaruar ai për gazetën.

Në kuadër të kësaj Ramadani ka thënë se është bërë rekrutimi i qindra të rinjve, rrjedhimisht 337 pjesëtarë kanë dhënë betimin para pak javësh. Gjithashtu, siç ai është shprehur, tashmë ka filluar edhe rundi i dytë i rekrutimit. /ZERI