Rasti 'Ivanoviq': Serbia kyç BIA-n, zgjeron hetimet në veri

Rasti 'Ivanoviq': Serbia kyç BIA-n, zgjeron hetimet në veri

Aktuale September 21, 2019 - 09:17
Detajet
Image

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili i ka dalë në mbrojtje të dyshuarit kryesor për vrasjen e Ivanoviqit Millan Radojiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, ka thënë se për ta zbardhur vrasjen e liderit të SDP-së është angazhuar një ekip i specializuar i BIA-s, i cili është duke vepruar në Kosovë, ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Sylë Hoxha ka njoftuar se hetimet janë zgjeruar në veri edhe për katër policë të tjerë, shkruan gazeta "Zëri".

Mitrovicë. Edhe pas 20 muajsh nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq hetimet që është duke i zhvilluar Prokuroria Speciale e Kosovës nuk kanë shënuar asnjë përparim. Deri më tani nuk ka asnjë zhvillim që do të mundë të dërgonte të vrasësi ose te vrasësit e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar 2018, para zyrave të partisë së tij.

I dyshuari kryesor Millan Radojiçiq në Beograd, nën mbrojtje të autoriteteve serbe

I dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit, Millan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, për pak i ka ikur arrestimit gjatë një aksioni të njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU në veri, ai tani ndodhet në Beograd dhe është vënë nën mbrojtje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka thënë se është konstatuar se Radojiçiq nuk është i përfshirë në këtë vrasje. Presidenti serb u ka thënë medieve në Beograd se për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit është angazhuar ekipi elitë i BIA-s serbe. “Secili, pavarësisht se si quhet, do të arrestohet në momentin që konstatohet se ka marrë pjesë në vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq. Për zbardhjen e këtij krimi është duke punuar ekipi elitë i BIA-s, i cili seriozisht është duke luftuar për ta zbuluar të vërtetën. Nuk kemi mundur ta bëjmë shikimin, ndonëse për asnjë sekondë nuk kemi mundur të bashkëpunojmë me Prishtinën e de fakto as me EULEX-in, ne edhe më tutje zhvillojmë hetime shumë serioze dhe besoj që do t’i zbulojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë krim të rendë”, ka thënë Vuçiq, duke ripërsëritur se do të arrestohet secili që konstatohet se ka marrë pjesë në krim. Vuçiqi tha se është intervistuar vetëm një serb.

“Një serb është intervistuar, ai është Millan Radojiçiq dhe për të është konstatuar se nuk ka marrë pjesë”, ka siguruar Vuçiqi, i cili ka akuzuar partitë politike se janë përpjekur që përgjegjësinë për vrasjen e Ivanoviqit t’ia kalojnë atij. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një deklaratë të mëhershme kishte zbuluar vrasësin e Ivanoviqit, duke drejtuar gishtin te një shqiptar i Kosovës me mbiemrin Ejupi, i përfshirë, siç pati thanë ai, edhe “në hedhjen në erë të autobusit të Nish Ekspres në afërsi të Podujevës”.

Prokuroria Speciale e Kosovës: Janë zgjeruar hetimet në veri

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka zgjeruar hetimet në veri edhe në katër policë të tjerë, të cilët, siç thuhet në njoftim, kanë pranuar të ndihmojnë në gjetjen e autorëve të vrasjes së Ivanoviqit.

Kryeprokurori Sylë Hoxha ka thënë se pas intervistimit të dytë të dëshmitarëve ka mbledhur dëshmi të reja, ndërsa disa nga të dyshuarit kanë ofruar bashkëpunim. Ai ka shtuar se është urdhëruar analiza financiare e të dyshuarve, ndërsa videoincizimet, bisedat telefonike janë vetëm disa nga dëshmitë që i implikojnë të dyshuarit në rast. Sipas Hoxhës, Ramadan Mustafiqi, që është përgjegjës për vëzhgim kufitar, gjithashtu është intervistuar nga Prokuroria, të enjten. Në fund të majit të këtij viti Policia e Kosovës pati ndërmarrë aksion të gjerë në kërkim të kontrabandistëve, me ç’rast ishin arrestuar 19 policë. Katër policë të veriut të Mitrovicës, të cilët kanë arritur të ikin pas aksionit, edhe më tutje janë në arrati, në mesin e të cilëve dhe komandanti i Policisë Kufitare në Leposaviq. Prokuroria ka dhënë urdhër për arrestimin e tyre. Dyshohet se ata ndodhen në Serbi. Deri më tani, përveçse është intervistuar për të dytën herë nënkryetarja e SDP-së Ksenija Bozhoviq dhe sekretarja e Ivanoviqit Silvana Arsoviq, nuk ka asnjë informacion tjetër lidhur me zhvillimin e hetimeve. Bashkëpunëtorja më e afërt e Ivanoviqit, Silvana Arsoviq, dyshohet se ka shkyçur kamerat vëzhguese në zyrat e SDP-së para se të vritej Ivanoviqi dhe se kamerat janë funksionalizuar 5 minuta pas vrasjes së Ivanoviqit. Nga 5 të dyshuarit, në paraburgim edhe më tutje ndodhet Nedelko Spasojeviq dhe Marko Roshiq (policë), ndërsa i dyshuari tjetër Dragisha Markoviq është liruar, si edhe sekretarja e Ivanoviqit, Silvana Arsoviq. I dyshuari kryesor Millan Radojiçiq, për të cilin është lëshuar arrest ndërkombëtar, ndodhet në Beograd. Hetimet janë zgjeruar edhe në dy persona, të cilët sipas portalit serb “Krik” janë Zvonko Veselinoviq dhe Millan Mihailoviq.

Tani kur në Kosovë janë në prag zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, iniciativa qytetare “Serbia, Drejtësia, Demokracia” – SDP thuajse është shuar, pasi nënkryetarja e SDP-së, Ksenija Bozhoviq, i është bashkuar Listës Serbe. Ky veprim i saj ka nxitur pakënaqësi të mëdha të bashkëpartiakëve të saj, por edhe të një pjese të serbëve të veriut të Kosovës për faktin se liderët e Listës Serbe, por edhe vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq e posaçërisht Marko Gjuriq, e kishin quajtur Ivanoviqin “tradhtar të popullit serb të Kosovës”./ZËRI