Ambasadorja Shala i tregoi botës se rinia e Kosovës ngriti flamurin kudo, ku politika nuk kishte qasje

Ambasadorja Shala i tregoi botës se rinia e Kosovës ngriti flamurin kudo, ku politika nuk kishte qasje

Aktuale September 21, 2019 - 10:06
Detajet

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC (International Human Rights Commission), Elvana Shala, po merr pjesë në konferencën më të njohur edukative në botë “Modeli Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara”, në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, me ftesë të organizatës United Youth Circuit dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit në EBA, ku si e ftuar nderi foli për rolin e të rinjve në krijimin e paqes në botë, me shembull të veçantë, rolin e të rinjve të Kosovës në ndërtimin e paqes, pas luftës në Kosovë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë rreth 200 të rinj nga vende te ndryshme te botës, në mesin e tyre shumë personalitete të familjeve mbretërore arabe dhe personalitete të fushës së humanizmit dhe diplomacisë.

Me këtë rast, Shala ka theksuar se e kaluara e historisë së të rinjve të Kosovës është mjaft e dhimbshme, pasi që nga vitet e 90-ta, për shkak të konflikteve politike në ish-Jugosllavi, ajo shpeshherë u privua nga e drejta e fjalës së lirë, arsimimit, e lëvizjes, duke iu shkelur të drejtat themelore për një jetë më dinjitet.

“Gjatë luftës shumë prej tyre humbën jetën për liri dhe sot Kosova kujton me krenari jetën dhe veprën e secilit prej tyre. 20 vite pas luftës dhe 11 vite pas Pavarësisë, përkundër kushteve jo të favorshme dhe sfidave të mëdha, Kosova numëron qindra suksese të të rinjve të saj në vend dhe në botë, e mbi të gjitha jemi shembull i krijimit të shumë grupeve jo formale me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve, në mes të rinisë së komunitetit serb dhe atij shqiptar, dhe krijimin e mundësisë për paqe dhe stabilitet ndërfetar”, tha ambasadorja Shala në fjalimin e saj në këtë konferencë, raporton Telegrafi.

Tutje, ajo theksoi se aktualisht Kosova po kalon nëpër procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku për herë të parë në listat kandiduese për deputet të parlamentit, ka shume të rinj kandidat nën moshën 30 vjeçare, të cilët pretendojnë të jenë zëri i të gjithë të rinjve të Kosovës në parlament, duke qenë tashmë pjesë edhe e politikëbërjes së shtetit.

“Kjo tregon më së miri, vetëdijesimin e lartë të shoqërisë sonë për fuqinë e të rinjve dhe ndryshimet pozitive që ata mund t’i sjellin një shteti”, tha ajo.

“Personalisht vij nga Republika e Kosovës, një shtet i vogël, me shumë sfida, por edhe shumë dashuri e suksese përbrenda, popullsia e të cilit përbëhet 65% nga të rinj nën moshën 30 vjeçare. Një rini e cila ka qenë pjesë proceseve të rëndësishme në shtetndërtimin e Kosovës që nga koha e luftës e deri me sot. E përballur me luftën dhe shumë padrejtësi pas saj, ajo qëndroj stoike në arritjen e qëllimeve të saj, për krijimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha ajo në fjalimin e saj duke shtuar se në praktikë, pjesëmarrja domethënëse e të rinjve në ndërtimin e paqes është penguar nga diskurset që përshkruajnë në mënyrë dërrmuese të rinjtë si viktima, duke me këtë rast ajo ka marr shembullin e rinisë së vendit të saj Kosovën.

Ndër të tjera ajo theksoi se rruga e vështirë që ka kaluar rinia jonë ndër vite, pasqyron më së miri të tashmen dhe të ardhmen tonë të ndritur si shtet i ri dhe i pavarur, e mbi te gjitha rolin e saj ne krijimin e stabilitetit paqësor në vend.

Duke folur për aspektin humanitar të të rinjve dhe rolin që ajo ka në shoqërinë tone, ajo theksoi se rinia e Kosovës dhe populli shqiptar në përgjithësi, njihen si kombi me human në botë, duke bërë të ditur që humanistja më e njohur në botë Nënë Tereza ishte shqiptare.

“Po, ajo ishte shqiptare dhe shumë e re në moshë vendosi që tërë jetën e saj t’ia kushtoj humanizmit dhe njerëzve në nevojë në gjithë botën, duke ua rikthyer shpresën për jetën, dashurinë dhe shëndetin. Kështu edhe rinia jonë gjithnjë ka ndjekur shembullin e saj duke u bërë pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare humanitare, duke organizuar iniciativa të ndryshme për të gjithë njerëzit në nevojë, e mbi të gjitha ka ngritur flamurin e Kosovës kudo në botë, madje edhe në vendet ku politika nuk kishte qasje, ka rrëmbyer çmime të ndryshme kulturore e sportive, edhe atëherë kur gjithçka dukej e pamundur. e më e rëndësishmja i ka treguar botës vlerën e të qenit njëri”, tha ndër të tjera ambasadorja Shala.

Ajo shtoj se në nuk mund të sjellim paqe, pa kuptuar dhimbjen e tjetrit, prandaj, sipas saj, rruga e vështirë e rinisë kosovare dhe këmbëngulësia e tyre le të shërbejë si udhërrëfyes i vizionit tuaj për paqe dhe stabilitet në botë.

“Presidenti i parë i vendit tim thoshte: Në jetë duhet pasur vullnet dhe durim, të mirat vijnë pastaj! Andaj e tillë është edhe rinia e Kosovës, e të tillë duhet të jeni edhe ju  me plot vullnet dhe durim, të përkushtuar në rrugën drejt paqes dhe humanizmit, duke ndërtuar ura lidhëse me shumë vende të botës për një jetë me dinjitet”, tha ajo duke shtuar se bota ka përjetuar mjaft luftëra lot e dhimbje, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjenerata, prandaj, le të jemi ne gjenerata e re, ata që botes do t’i sjellin paqe dashuri dhe humanitet.

Duke identifikuar popullin shqiptar në përgjithësi i cili njihen si kombi më human në botë, të cilët identifikohen me humanisten më të njohur Nënë Tereza, ajo e përfundoi fjalimin e saj pikërisht më thënien e kësaj humaniste, e cila thoshte se “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri. Nga Kosova, me dashuri dhe paqe!”.