Osmani: Me blerjen e votave po synojnë ta blejnë të ardhmen e rinisë

Osmani: Me blerjen e votave po synojnë ta blejnë të ardhmen e rinisë

Aktuale September 21, 2019 - 21:33
Detajet

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë sonte në Zhur, se disa parti politike po synojnë që të blejnë vota dhe besimin e qytetarëve.

“Ka parti që po tentojnë të blejnë vota. Por, nuk ka çmim me të cilin ata duhet ta blinin të ardhmen e fëmijëve tuaj. Mos lejoni me asnjë çmim që të rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tuaj dhe të rrezikohet Kosova si shtet”.

“Të rinjtë, vajzat dhe djemtë duhet të gjejnë prosperitetin, perspektivën dhe të ardhmen e tyre në Kosovë, prandaj jemi këtu për të prezantuar Programin tonë për familjen, si fundament i shtetit”.

Ajo tha se sa herë që është rrezikuar Kosova qytetarët me vullnetin e tyre e kanë shpëtuar vendin.

“Mos leni derë pa trokitur për të kërkuar besim. Duke kërkuar besim për LDK-në po kërkoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj, sesa kjo që sot jemi duke e përjetuar”.

“Më datën 6 tetor nuk duhet të ketë votues që rrinë në shtëpi. Të gjithë duhet të votojmë që me vullnetin e lirë ta bëjmë ndryshimin e madh”.