Në luftë me ambientin e ndotur
FOTO: Zëri

Në luftë me ambientin e ndotur

Aktuale September 23, 2019 - 08:10
Lexon detajet
Image

Për vite me radhë fusha e ambientit nuk ka qenë prioritet i qeverive, të cilat kanë udhëhequr me Republikën e Kosovës. Ekspertët e mjedisit thonë se aksionet e ndërmarra e strategjitë e hartuara për përmirësimin e gjendjes së ambientit nuk kanë gjetur asnjëherë zbatimin e duhur, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Krijimi i një ambienti të pastër po vazhdon të mbetet sfidë për Republikën e Kosovës. Niveli i lartë i ndotjes tash e sa kohë është shndërruar në një prej problemeve kyçe me të cilin po ballafaqohet mjedisi në Kosovë. Deponitë ilegale dhe deponitë legale, që janë në gjendje të mjerueshme, po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e ambientit në Kosovë.

LEXO EDHE: Zgjedhjet e 6 tetorit, më të paparashikueshmet

Për përmirësimin e kësaj situate gjatë viteve janë hartuar dokumente, strategji e udhëzime administrative, por zbatimi i tyre nuk është jetësuar asnjëherë në plotësi.  Se Kosova po përballet me nivel të lartë të ndotjes së ajrit ka konstatuar edhe Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë – 2018”, të publikuar nga kjo agjenci, thuhet se nga ajri i ndotur në Kosovë kanë vdekur 3 mijë e 700 persona për një vit, duke bërë Kosovën të renditet e para në Evropë sa i përket kësaj çështjeje. Rrjedhimisht, i bie që ajri i ndotur ka shkaktuar humbjen e jetës së 0,2% të popullsisë së Kosovës.

Strategjitë e pazbatuara 

Pavarësisht gjendjes jo të mirë të ambientit ish-ministrja e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka thënë se ka bërë punë të konsiderueshme për përmirësimin e gjendjes së mjedisit gjatë kohës sa ka udhëhequr këtë dikaster. Reshitaj ka thënë se ka kërkuar informata profesionale e statistika nga ekspertët vendorë dhe të jashtëm për ta definuar saktë se kush janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë. Për herë të parë, siç ka thënë ajo, ka punuar edhe në identifikimin e të gjitha deponive ilegale dhe në krijimin e deponive legale. “Kemi punuar edhe në krijimin e disa deponive të reja legale në vendet më të duhura, për shkak se kemi konsideruar se disa nga to nuk janë ndërtuar mirë dhe nuk janë ndërtuar në vend të duhur”, ka theksuar ajo. 

Gjatë mandatit të saj Reshitaj thotë se janë ndërmarrë edhe të tjera veprime sa i përket mbrojtjes së ajrit. “Është formuar task-forca për mbrojtjen e ajrit, mandej task-forcat për menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave, grupet punuese, ku është punuar me një strategji kombëtare të menaxhimit të mbeturinave”, ka shtuar Reshitaj gjatë një bisede për “Zërin”.  

Mirëpo, pavarësisht kësaj zgjidhja për mbeturinat nuk ka marrë epilogun e duhur. Ekspertët e ambientit vlerësojnë se ekzistojnë dy probleme që ndërlidhen me mbeturinat, të cilat dërgohen në deponi. “Kjo masë e madhe e mbeturinave që dërgohet në deponi i ka dy probleme, e para që e shkurton jetën e deponive, të cilat planifikohen për 15 vjet dhe problemi i dytë është që shumica e tyre në aspektin e sigurisë mjedisore janë të cenuara dhe rrezikojnë t’i ndotin ujërat nëntokësorë përmes lëngjeve që i lirojnë nga mostrajtimi i mbeturinave”, ka theksuar profesori universitar Zeqir Veselaj, i cili njëherësh është edhe ekspert i mjedisit. 

Aksione simbolike për pastrimin e Kosovës

Për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat janë ndërmarrë aksione të konsiderueshme viteve të fundit. Për një gjë të tillë qeveria në dorëheqje ia pati ndarë 815 mijë euro organizatës, e cila merret me ruajtjen e mjedisit “Let’s Do It Kosova”. Drejtori i kësaj organizate, Luan Hasanaj, ka thënë se “Let’s Do It Kosova” në kuadër të projektit “Ta pastrojmë Kosovën”, përgjatë tre muajve ka pastruar gjithsej 952 deponi ilegale. 

Por pak muaj pasi kishte përfunduar ky projekt, nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) patën thënë se nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse shuma prej 815,035 eurosh, e ndarë nga Qeveria, është shpenzuar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin. Teksa ka folur rreth kësaj Hasanaj ka thënë se “Let’s Do It Kosova” asnjëherë nuk ka pasur probleme në këtë drejtim. “Asnjëherë, në asnjë rast, nuk përmendet organizata jonë që ka pasur ndonjë problem në lidhje me këtë projekt. Të gjitha dokumentet përcjellëse të projektit përmes procedurave janë të kryera dhe të gjitha janë të dorëzuara në Kryeministri, nuk mungon as edhe një dokument i vetëm”, është shprehur ai.

Sido që të jetë, në këtë fundjavë, më 21 shtator, u shënua Dita e Pastrimit të Botës, me ç’rast u realizuan disa aksione të pastrimit në vende të ndryshme të Kosovës. Aksioni më i madh global kundër mbeturinave “Dita e Pastrimit të Botës” u realizua në rreth 160 vende të botës. Pikërisht për këtë ditë, Ditën e Pastrimit, Ministria e Mjedisit kishte premtuar ndarjen e 400 mijë eurove, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi pavarësisht aksioneve të ndërmarra. Teksa e arsyetoi një gjë të tillë, ministri në largim i këtij dikasteri, Fatmir Matoshi, tha se për këtë çështje ka dërguar propozim, por qeveria në dorëheqje nuk është duke marrë vendime tash e disa muaj.  “Unë dy herë kam dërguar propozimet në Qeverinë e Kosovës për të ndarë fonde për Ditën e Pastrimit të Tokës. Megjithatë, i dini problemet me të cilat u ballafaquam dhe po ballafaqohemi si vend, ne tani jemi një qeveri në dorëheqje.

Gjithsesi vendime të tjera që nga korriku nuk kemi arritur të marrim brenda Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Fatmir Matoshi. 
Ambienti, joprioritet i qeverive që nga paslufta

Pavarësisht aksioneve të ndërmarra e hartimit të strategjive për pastrimin e ambientit, profesor Zeqir Veselaj thotë se zbatimi i dokumenteve të hartuara për përmirësimin e gjendjes së mjedisit është ende larg. “Aspekti rregullativ, ligje, strategji, plane, veprime janë bërë mjaft në Kosovë, këtu Kosova nuk ka problem. Por tash jemi në fazën kur efektet, rezultatet nga këto dokumente, nga këto ligje duhet të shihen. Por rezultatet tregojnë se zbatimi i tyre në praktikë ende është shumë larg”, ka theksuar Zeqir Veselaj. 

Mjedisi sipas tij nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverive që nga paslufta. “Nuk është më risi të thuhet që mjedisi nuk ka qenë prioritet i asnjërës qeveri prej pasluftës. Mjedisi si resor nuk ka qenë interes i partive të mëdha politike që ta marrin ta trajtojnë si të tillë”, ka potencuar profesor Veselaj.  

Edhe Luan Hasanaj, nga “Let’s Do It Kosova”, ka vlerësuar se partitë politike nuk po japin ndonjë plan konkret lidhur me atë se çka duhet të ndërmarrin për ndotjen e ambientit në momentin që vijnë në pushtet. 

Ndotja e ambientit po vazhdon të jetë problem global. Para pak vitesh organizata botërore e shëndetësisë “Lancet” kishte bërë një studim rreth ndotjes së ajrit, me ç’rast kishte dalë se ndotja e ajrit ka shkaktuar rreth 9 milionë vdekje në gjithë botën vetëm brenda vitit 2015. Sipas këtij raporti, 1 në 6 persona në botë vdesin si pasojë e ndotjes së shkaktuar nga ajri, nga uji ose ngatoka./ZERI