PDK zotohet se do të jetë opozitë konstruktive
Foto: Laura Hasani

PDK zotohet se do të jetë opozitë konstruktive

Aktuale tetor 09, 2019 - 12:36
Detajet

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka qëndruar në pushtet për më shumë se 12 vite ka pësuar një rënie të madhe në numrin e votave në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas rezultateve të KQZ-së, PDK-ja ka marrë 169 mijë e 211 vota apo 21.23 përqind, gjë që i jep asaj biletën për opozitë në katër vitet e ardhshme, shkruan Gazeta "Zëri".

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e komentuar rezultatin zgjedhor të PDK-së, Elmi Reçica për “Zërin” ka thënë se ndonëse qytetarët e Kosovës i besojnë PDK-së dëshira e tyre për t’i provuar edhe partitë e tjera kësaj radhe ishte më e madhe.

“PDK-ja është në pushtet qe 16 vite dhe unë besoj që faktori kyç që ka ndikuar për këtë rezultat është mos informimi ose tendenca për t’i provuar edhe të tjerët. Unë besoj se nuk ka pasur ndonjë element tjetër qenësor dhe është parë që kryesisht tendenca për t’i provuar edhe partitë e tjera, pavarësisht se secili në një formë apo tjetër është provuar, mirëpo ajo si tendencë ka gjetur përkrahje tek një pjesë e qytetarëve”, ka thënë Reçica për "Zërin". 

Në anën tjetër Hadar Beqa nga PDK-ja vlerëson se rënia e votave të PDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit ka ardhur si pasoj se partia e tij në dy mandatet e fundit, pavarësisht besimit që i është dhënë nga qytetarët, pozitën e kryeministrit ia ka dhënë partive të papërgjegjshme.

“Unë personalisht mendoj që PDK-së i ka kushtuar që në dy mandatet e zgjedhjeve të kaluara i ka fituar zgjedhjet dhe u ka dhënë pozitën e kryeministrit personave të pa përgjegjshëm, sikur Isa Mustafës ashtu edhe Ramush Haradinajt. Qytetarët i kanë besuar PDK-së dhe i besojnë asaj, por mendoj që kjo ka qenë ajo që ndoshta i ka bërë votuesit tonë që mos ta përkrahin në këtë situatë partinë tonë, por ne megjithatë jemi shumë falënderues për besimin që na kanë dhënë dhe do ta bëjmë punën dhe do të jemi një opozitë shembull për këto katër vite”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndonëse e ka pranuar se do të kalojnë në opozitë, Beqa ka theksuar se kërkesa për rinumërim të votave është kërkesë legjitime e tyre me qëllim që vota e qytetarëve të shkoj në vendin e duhur.

“Ajo është çështje procedurale dhe çdo votë e qytetarit si për subjektet politike, si për kandidatët duhet të jetë ashtu siç e ka dhënë qytetari. Çdo keqpërdorim i votës është vepër penale dhe me të duhet të merret Prokuroria e shtetit. Gabimet në formular që kanë qenë e ndryshojnë pak rezultatin por nuk e bëjnë një ndryshim të madh”, ka potencuar kandidati për deputet i PDK-së./ZERI