Rreth 5 mijë qytetarë lënë çdo vit shtetësinë e Kosovës

Rreth 5 mijë qytetarë lënë çdo vit shtetësinë e Kosovës

Aktuale tetor 10, 2019 - 08:12
Lexo Detajet
Image

Për çdo vit përllogaritet që shtetësinë e Kosovës e lënë rreth 5 mijë qytetarë, teksa nga viti 2009 e kanë lënë mbi 40 mijë shtetas.

Nga janari e deri në gusht të këtij viti nga shtetësia e Kosovës, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë liruar mbi tre mijë persona. Avazi i lënies së shtetësisë së Kosovës po vazhdon vit pas viti e duke u bazuar në statistikat e MPB-së, ky numër është duke shënuar rritje, shkruan sot Gazeta Zëri

Ndër shkaqet, të cilat kanë ndikuar në rritjen e këtij numri, sipas njohësve të rrethanave janë: kërkesat recidive të disa shteteve ku punojnë e jetojnë aktualisht kosovarët, rrjedhat politike e politikëbërja në vend, si dhe faktorët ekonomikë e politiko-socialë. Njëkohësisht ata shtojnë se në rritjen e numrit të personave që i thonë lamtumirë shtetësisë së Kosovës ka ndikuar edhe zvarritja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për 9 vjet mbi 40 mijë kosovarë heqin dorë nga shtetësia

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme këto ditë kanë bërë të ditur se vetëm gjatë periudhës janar - gusht 2019 3 mijë e 519 persona janë liruar nga shtetësia. Ndërsa rreth pesë mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës në periudhën janar - tetor 2018. Ndërkohë numri i atyre që kishin fituar shtetësinë e Kosovës në këtë periudhë ishte rreth treqind. “Gjatë periudhës janar - tetor 2018 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 4831 persona. Gjatë periudhës janar - tetor 2018 shtetësinë e RKS-së e kanë fituar 298 persona”, ka bërë të ditur më herët Ministria e Punëve të Brendshme në statistikat dërguar gazetës “Zëri”.

E mbi pesë mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës edhe në vitin 2017. “Në vitin 2017 janë liruar nga shtetësia e RKS-së 5699 persona, kurse e kanë fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës 334 persona”, thuhej tutje në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të MPB-së, që nga viti 2009 e deri në vitin 2018 mbi 40 mijë shtetas të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia. Mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se pesë mijë qytetarë.

Mungesa e liberalizimit nuk ka ndikuar në heqjen dorë nga shtetësia

Liberalizimi i vizave nuk po del të jetë njëri ndër faktorët pse kosovarët janë duke hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetoshi në një përgjigje për gazetën ka thënë se heqja dorë nga shtetësia nuk është një proces i lidhur drejtpërdrejt me largimin e të rinjve nga Kosova, si dhe me mungesën e liberalizimit të vizave. “Heqja dorë nga shtetësia nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë situatë, pra s’ka të bëjë me kosovarët rezidentë. Në mënyrë indirekte ndikon duke e rritur interesimin e bashkatdhetarëve tanë për të kërkuar shtetësinë e vendeve ku ata janë, por nuk është proces që lidhet me largimin e të rinjve nga Kosova dhe me mungesën e liberalizimit të vizave”, ka thënë Fetoshi.

Ndërsa mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën ai e ka konsideruar si të padrejtë dhe proces të politizuar. “Mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën është jo vetëm e padrejtë dhe e politizuar, por edhe në kundërshtim më vlerat themelore të BE-së. Me gjithë ngecjet e gjyqësorit sa i përket luftimit të korrupsionit e të krimit të organizuar, asnjëri nga vendet e rajonit nuk qëndron më mirë në këtë aspekt. Mohimi i kësaj të drejte nga ana e BE-së dhe psikoza e izolimit, të cilën tashmë e ashpërson gjendja e keqe socio-ekonomike, e ka goditur rëndë shpresën e perspektivës në vendin tonë”, ka thënë tutje ai.

Mungesa e perspektivës në Kosovë - arsyeja e lënies së shtetësisë

Degradimi i vazhdueshëm i politikës e i shoqërisë në Kosovë dhe pamundësia e barazisë para shanseve për çdo angazhim aktiv, sipas analistit Belul Beqaj, është arsyeja ekzistenciale pse kosovarët po e lënë shtetësinë. “Degradimi i vazhdueshëm dhe pamundësia e barazisë para shanseve për çdo angazhim aktiv është arsyeja ekzistenciale që ka ndikuar dhe po ndikon për ta ndërruar shtetësinë. Strumbullari kryesor që ndikon në të gjitha poret jetësore ndërlidhet me politikëbërjen. Politikëbërja e partive meritokracinë e ka zëvendësuar me përkatësi partiake. Ndërsa partiakizimi i shoqërisë po e shter shpresën se njerëzit e duhur mund të vijnë në pozita dhe në role të duhura. Më shumë besojnë se kanë perspektivë jetësore me shtetësi tjetër sesa me të Kosovës. Ky është argumenti kyç i dështimit të politikëbërësve kosovarë”, ka thënë Beqaj për “Zërin”.