Maliqi: Mund të kemi riformatizim të dialogut

Maliqi: Mund të kemi riformatizim të dialogut

Aktuale October 16, 2019 - 12:56
Detajet

Procesi i negociatave Kosovë - Serbi pritet të fillojë pas formimit të qeverisë së ardhshme. Ende pa u konstituuar institucionet e reja faktori ndërkombëtar ka nisur t’i intensifikojë thirrjet për rifillim të këtij procesi. Vlerësohet se me riaktivizim të dialogut mund të ketë edhe ndryshim të formatit të bisedimeve, shkruan Gazeta "Zëri".

Me përfundimin e procesit zgjedhor (6 tetor) bashkësia ndërkombëtare ka nisur ta shtojë presionin sa i përket rifillimit të negociatave Kosovë-Serbi.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ndërkombëtarët kanë nisur angazhimin e tyre në këtë drejtim ende pa u bërë qeveria e re pasi që duan ta përshpejtojnë këtë proces, në mënyrë që zgjidhja përfundimtare të arrihet diku kah mesi i vitit të ardhshëm. Ndaj sipas tyre bisedimet me Serbinë pritet të rinisin menjëherë pas formimit të qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Publicisti Shkelzen Maliqi ka thënë se ndërkombëtarët kanë kërkuar vazhdimin e dialogut pandërprerë prejse ky proces ishte bllokuar vitin e kaluar.

Intensifikimi i tanishëm i kërkesave nga të gjitha zyrat e mëdha sipas tij është vetëm përshtatje ndaj momentit të ri që është krijuar pas zgjedhjeve në Kosovë. Koalicioni LVV - LDK sipas Maliqit është i paalternativë, ndaj ndërkombëtarët po ua kujtojnë atyre se cila detyrë i pret në momentin që vijnë në pushtet.

“Edhe para se ajo të zyrtarizohet ndërkombëtarët po ua kujtojnë politikanëve tanë se cila është detyra imediate që i pret edhe për faktin se ata janë të interesuar ta dinë se cilët prej tyre do ta udhëheqin procesin e bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që të mos krijohet sërish situatë si ajo me ish-kryeministrin, i cili kokëfortësisht nuk pranonte pezullimin e taksën 100%, duke e kushtëzuar atë me njohjen paraprake të Kosovës nga ana e Serbisë”, ka deklaruar ai.

Meqë ndërkombëtarët konsiderojnë se duhet të përshpejtohet përfundimi i bisedave mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen e shohin diku nga mesi i vitit tjetër, sipas Maliqit, ata nuk duan të ketë humbje kohe shtesë.

“Posa të krijohet qeveria e re bisedimet do të riaktivizohen. Për këtë tashmë është përgatitur plotësisht administrata amerikane, duke përzgjedhur dy emisarë specialë, që do të merren me bisedimet, njëri drejtpërdrejt me ato mes Kosovës dhe Serbisë dhe tjetri me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ka mbetur edhe BE-ja t’i caktojë emisarët e saj”, ka nënvizuar ai për gazetën.

E tërë kjo, siç Maliqi është shprehur, tregon se me shumë gjasë do të ketë riformatizim të procesit të negociatave. “Kjo tregon se me gjasë do të kemi riformatizim të dialogut, që nuk do të zhvillohet më domosdoshmërisht në Bruksel, por do të jetë e tipit të diplomacisë intensive, qoftë të fluturimit të emisarëve nga Prishtina në Beograd, qoftë edhe konferencë e tipit të Rambujesë ose Dejtonit”, ka theksuar ai.

Konsensusi LVV-LDK, tejet i rëndësishëm

Ndërkohë teksa ka folur rreth konsensusit nacional, Maliqi ka thënë se për momentin.

më e rëndësishme është që të arrihet një konsensus mes LVV-së dhe LDK-së, pasi që këto dy subjekte, siç ai është shprehur, duhet ta krijojnë qeverinë.

“Kurse konsensusi i përgjithshëm që përmendet pak a shumë është paracaktuar në debatet dhe nismat e vitit të kaluar, kur është kërkuar ndryshimi i përfaqësimit dhe kontrolli më efektiv i procesit të dialogut, që ai të jetë më transparent dhe të ketë llogaridhënie para Kuvendit të Kosovës”, ka vazhduar njohësi i rrethanave politike Shkelzen Maliqi.

Së këndejmi, ai është shprehur optimist se tanimë do të ketë një mekanizëm më të thjeshtësuar sa i përket konsensusit.

“Mendoj se tani do të ketë një mekanizëm më të thjeshtësuar për konsensusin për faktin se Qeveria e re duhet të shkojë në proces e harmonizuar jo vetëm për ato pritje që janë të pandryshueshme; për shembull që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Por ato duhet të gjejnë pajtimin parimor edhe rreth çështjeve ku kërkohet elasticiteti, pra rreth kompromiseve të mundshme”, ka shtuar ai.

Kompromiset sipas tij nuk mund të emërohen paraprakisht, porse ato siç konsideron Maliqi, duhet të mbesin si letra të mbyllura aktualisht.

“Këto kompromise në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme për të dy palët, nuk mund të emërohen paraprakisht si të tilla, e as të tregohet se deri në ç’masë mund të lëshohet pe, ta zëmë konkretisht nëse kjo shtrohet rreth çështjes së Asociacionit të Komunave Serbe, por ato duhet të mbesin si letra të mbyllura për këmbimet eventuale”, është shprehur tutje ai.

Nisur prej rrethanave aktuale, ku pritet që LVV dhe LDK ta bëjnë qeverinë, Maliqi ka vlerësuar se edhe PDK tashmë është duke dërguar sinjale se do të jetë një opozitë konstruktive, gjë që sipas tij paraqet një rrethanë lehtësuese.

“Rrethanë lehtësuese mund të jetë edhe paralajmërimi që pos dy subjekteve që pritet se do të janë në proces, LVV dhe LDK, edhe PDK-ja, si parti e tretë për nga fuqia, dërgon sinjale se do të jetë opozitë konstruktive duke mbajtur qëndrime të rrepta ndaj pushtetit të ri në shumë aspekte të politikave të brendshme, por jo edhe për çështjet me interes madhor tek negociatat, ashtu sikur që ka vepruar kjo parti në kohën e bisedimeve të Vienës”, ka shtuar ai.

LVV, LDK dhe PDK, siç potencon ai, përbëjnë 2/3 e Kuvendit dhe mund ta ratifikojnë pa problem marrëveshjen që pritet të arrihet në pranverë, ndonëse një gjë e tillë nuk mund të konsiderohet çështje e kryer.

“Kuptohet, këtë nuk duhet marrë si punë të kryer, por si një oportunitet historik”, ka shtuar ai.

Qasja që Kosova duhet ta ketë në dialog

Qasja e Kosovës në dialog duhet të jetë një koordinim i plotë me faktorët ndërkombëtarë, t’iu besohet atyre se angazhimi ndërkombëtar është qëllimmirë dhe se ky angazhim çon drejt zgjidhjes pozitive përfundimtare. Kështu ka konsideruar Shkelzen Maliqi teksa ka folur rreth mënyrës se si qeveria e re duhet t’i qaset procesit të negociatave.

Në kuadër të kësaj, ai ka thënë se palët nuk do të duhej të kapeshin tek deklarimet momentale të ndërmjetësuesve të dialogut.

“Shpesh nuk do të duhej të kapemi për deklarimet momentale dhe pozicionale të ndërmjetësuesve në negociata, që diplomatëve iu shërbejnë si kallauz (çelës kopil) për gjetjen e zgjidhjeve kur palët vendosin vija të kuqe dhe pengesa që pamundësojnë zgjidhjet”, është shprehur ai.

Me këtë rast, Maliqi ka kritikuar Kurtin, fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit, për qasjen që ka pasur në të kaluarën.

“Tek Albin Kurti dhe Lëvizja e tij ka pasur në të kaluarën mosbesim të thellë dhe axhamillëk ndaj çdo faze të ecjakes të Kosovës drejt pavarësisë. Por çdo herë gabonin: edhe rreth Rambujesë, edhe rreth procesit të Ahtisarit, edhe rreth shpalljes së pavarësisë më 2008. Kështu që tani, me përgjegjësinë shtetformuese që e kanë, duhet ta kuptojnë dhe vlerësojnë rëndësinë e procesit që çon drejt asaj që ata e kanë shpallur qëllim të lëvizjes së tyre”, ka përfunduar Maliqi.

Takimi i fundit mes palës kosovare dhe asaj serbe, në kuadër të dialogut, është mbajtur para rreth një viti, gjegjësisht më 9 nëntor 2018. /ZERI