Koordinatori i QNR-së paralajmëron se mund të ketë përsëri rinumërim të votave

Koordinatori i QNR-së paralajmëron se mund të ketë përsëri rinumërim të votave

Aktuale October 16, 2019 - 14:33
Detajet

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka deklaruar se mbrëmë dhe përfunduar procesi i rinumërimit të 314 vendvotimeve.

Ahmetaj theksoi se rinumërimi ka shkuar normalisht, pavarësisht se ka marrë kohë për shkak të numrit të marrë të pjesëmarrjes në vendvotime.

“Procesi i rinumërimit të 314 vendvotimeve të cilat ka është marrë vendim nga KQZ për rinumërim për shkak të gabimeve në printimin e formularëve  të rezultateve dhe kanë përfunduar gjatë ditës se djeshme rreth orës 21:40”.

“Procesi ka rrjedhur normalisht edhe pse kemi pasur të bëjmë me vendvotime që kanë pasur pjesëmarrje të madhe të votuesve në zgjedhje kjo ka marrë kohë 4 orë që të bëhet rinumërimi i një vendvotimi, për këtë arsye procesi ka shkuar më ngadalë se sa e kemi paraparë”, tha ai.

I pyetur se sa ka gjasa të bëhet rinumërimi edhe i vendvotimeve tjera, Ahmetaj tha se QNR-ja është në përgatitje të raportit për procedimin e formularëve të rezultateve, që do të thotë votat e subjekteve dhe kandidatëve duhet të përputhen.

Sipas tij, në rast që ka mos përputhje të votave atëherë do të hetohen dhe KQZ-ja merr vendim që të shkohet në rinumërim.

“Akoma jemi në përgatitje të procesit të raportit të auditimit i cili rrjedh nga procedimi i formularëve të rezultateve, ku votat e subjekteve dhe kandidatëve duhet të përputhen”.

“Në rast se mos përputhje të votave të subjekteve dhe kandidatëve, të gjitha këto raste identifikohen në auditim, hetohen dhe do të përgatitet raporti për KQZ-në dhe në bazë të rekomandimeve të QNR-së, atëherë KQZ mund të marrë vendim lidhur me vendvotimet të cilat mund të shkojnë në rinumërim”, tha Ahmetaj.