Hoxha: Aksioni i sotëm në Veri lidhet me grupin e Radoiçiqit

Hoxha: Aksioni i sotëm në Veri lidhet me grupin e Radoiçiqit

Aktuale October 16, 2019 - 14:43
Detajet

Prokurori Sylë Hoxhë ka dhënë detaje pas intervistimit të njërit prej të arrestuarve pas aksionit policor gjatë mëngjesit të sotëm në Veri të Mitrovicës, njofton Klan Kosova.

Ai konfirmoi se njëri prej të dyshuarve është arrestuar, të cilin edhe e ka intervistuar, ndërkaq personi tjetër është ende në kërkim.

“Kemi zgjeruar hetimet për veprat penale, pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. E kam intervistuar të dyshuarin për të cilin edhe kam parashtruar kërkesën e paraburgimit. Një person tjetër, i cili nuk ka qenë në urdhëresën e gjykatës, i është gjetur një armë pa leje prandaj ai është liruar pas intervistimit nga organet kompetente”.

“Siç e dini, Prokuroria Speciale, zhvillon hetime për vrasjen e Ivanoviqit poashtu e dini se në pjesën veriore të Mitrovicës, ekzistojnë grupe kriminale të organizuara mirë dhe të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, për të cilin është lëshuar edhe urdhër arrest ndërkombëtar. Poashtu, grupi i tij është mjaft mirë i organizuar dhe ka ndikim edhe në policinë e Kosovës”.

“Këta persona dyshohen se nuk i kanë kryer veprimet e duhura procedurale apo me qëllim i kanë fshehur disa prova të cilat është dashur të sigurohet në disa vrasje të pazbuluara. Personi i arrestuar sot, është hetues dhe dyshohet se  ka punuar në mënyrë selektive të dikujt tjetër. Sipas provave, ekziston një dyshim se ai është pjesë e grupit të Radoiçiq”.

“Gjatë bastisjes, në një autolarje, policia ka gjetur një pistoletë të cilën i dyshuari tjetër e kishte lënë dhe është larguar. Ai nuk është hasur nga policia. Policia janë në ndjekje të tij”, ka thënë Hoxha në një konferencë për media.