Paralajmërohet rinisja e bisedimeve LVV - LDK

Paralajmërohet rinisja e bisedimeve LVV - LDK

Aktuale October 18, 2019 - 07:56
Detajet
Image

Janë bërë gati dy javë prejse kanë përfunduar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por liderët e LVV-së dhe të LDK-së, të cilët janë zotuar për bashkëqeverisje, kanë zhvilluar vetëm një takim deri më tash. Por derisa bisedimet e këtij niveli pritet të vazhdojnë tek pas certifikimit të rezultateve, dy grupet punuese të këtyre partive pritet të takohen gjatë ditës së sotme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vetëm katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare krerët e LVV-së dhe të LDK-së u takuan për të diskutuar për bashkëqeverisje.

Por ndonëse pas këtij takimi u zotuan për vazhdim të këtyre bisedave, gjërat më pas ndryshuan. Një ditë pas kësaj LDK-ja mori vendim që diskutimet e këtij niveli të vazhdojnë tek pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Megjithatë LVV-ja dhe LDK-ja formuan grupet e tyre punuese për të diskutuar pikërisht për këtë çështje, për bashkërendim të programit qeverisës. T

akimi i parë mes këtyre dy grupeve është paraparë të mbahet gjatë ditës së sotme, tetë ditë pas atij që ishte mbajtur mes liderëve të partive, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Në ekipin punues të Vetëvendosjes bën pjesë nënkryetari i këtij subjekti Besnik Bislimi dhe kandidati për deputet Glauk Konjufca.

Kurse ekipi i LDK-së, siç kanë njoftuar zyrtarët e këtij subjekti, përfaqësohet nga anëtari i Kryesisë së kësaj partie Kujtim Shala dhe kandidati për deputet Lumir Abdixhiku.

Diskutimet mes këtyre dy grupeve pritet të zhvillohen të premten, në orën 11:00, në Selinë Qendrore të LDK-së, në Prishtinë.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i votuar i zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërsa LDK-ja radhitet si partia e dytë e dalë nga ky proces zgjedhor.

LDK: Në Kosovë ka fituar opozita, as individi e as grupi politik

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon të insistojë që fituesi i zgjedhjeve duhet të shpallet tek pasi të publikohen rezultatet përfundimtare. Megjithëkëtë, nga zgjedhjet e 6 tetorit sipas nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri nuk ka fituar një grup politik, porse opozita është ajo që ka triumfuar. “Në Kosovë ka fituar opozita, jo individi e as grupi politik”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë Haziri ka thënë se cilido që ka një votë më tepër do ta drejtojë Qeverinë.

“Cilado parti që del fituese duhet të sillet përgjegjshëm dhe kokulur karshi këtij rezultati, sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike. LDK-ja ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë ai e udhëheq Qeverinë”, ka potencuar ai.

Ndërkohë para pak ditësh Haziri tha se bashkëpunimi me LVV-në duhet të bëhet për t’u zgjidhur problemet e mëdha, jo për ta dëmtuar LDK-në.

“Nëse LVV-ja hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta bluar LDK-në e ka shumë gabim. Raporti duhet të ndërtohet me mirëbesim dhe me korrektësi maksimale”, u shpreh ai.

Garë për kandidatin më të votuar për kryeministër

I pyetur nga “Zëri” se a do t’i takojë LVV-së posti i kryeministrit nëse del subjekti më i votuar, Lutfi Haziri ka thënë se kjo pozitë i përket pikërisht partisë që merr më së shumti vota

. “Partia që del fituese e ka mandatin e kryeministrit. Një votë nëse del më shumë ne ia njohim të drejtën e ndërtimit të Qeverisë”, ka potencuar ai.

Por para disa ditësh kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, pati thënë se në momentin që publikohen rezultatet finale do të shikohen tri rrafshe për ta saktësuar se cili është fituesi: cili subjekt ka marrë më së shumti vota, cila parti ka më shumë mandate në Kuvend dhe cili kandidat për kryeministër ka mbledhur më shumë vota brenda subjektit të tij.

Osmani me këtë rast deklaroi se sipas informacioneve që ka deri më tash ka marrë një numër tejet të madh të votave të përgjithshme.

Por të bindur se Osmani është kaluar me vota nga kandidati i tyre për kryeministër janë shprehur zyrtarët e LVV-së.

“E konfirmoj se Albini e ka mbështetjen më të madhe, por edhe nëse nuk do të ishte kështu ky argument nuk do të vlente”, ka theksuar kandidatja e LVV-së për deputete Albulena Haxhiu.

Sot takimi i parë mes grupeve punuese

Katër ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve (10 tetor), kandidati i LVV-së për kryeministër Albin Kurti u takua me të nominuarën e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmanin dhe me liderin e LDK-së Isa Mustafën.

Pas këtij takimi u tha se mes dy palëve ekziston një vullnet i mirë për të bashkëqeverisur dhe për t’i vazhduar takimet edhe në ditët në vijim. Mirëpo të nesërmen, në mbrëmjen e 11 tetorit, LDK-ja mbajti një mbledhje, ku pas saj vendosi të mos ketë më takime në këtë drejtim derisa të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Por pak orë pas këtij njoftimi zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, doli me një sqarim ku tha se takimet do të vazhdojnë, por vetëm mes grupeve punuese e jo mes liderëve të partive.

Pavarësisht faktit që nuk ka pasur takim qe një javë, nga LVV-ja kanë pohuar se tashmë janë formuar grupet punuese të të dyja subjekteve, të cilat pritet të diskutojnë për bashkëqeverisje.

“Ka pasur një takim, në të cilin është folur parimisht për numrin e ministrive dhe po ashtu janë formuar edhe dy grupe punuese, një nga LVV-ja dhe një nga LDK-ja, të cilat do ta kenë përgjegjësinë të flasin për përputhjen e programit qeverisës”, ka deklaruar Albulena Haxhiu.

Rrjedhimisht gjatë ditës së sotme pritet të mbahet edhe takimi i parë mes grupeve punuese. Se tashmë është paraparë ky takim ka pohuar edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

“Është planifikuar që të premten, në orën 11:00, të mbahet një takim. Takimi do të mbahet tek ne, në LDK”, ka thënë ai për “Zërin”.

Mustafa me këtë rast ka bërë të ditur se LDK-ja në këtë takim do të përfaqësohet nga dy zyrtarët e kësaj partie, Kujtim Shala dhe Lumir Abdixhiku. Megjithëkëtë, ka pohuar se ekipi mund të zgjerohet varësisht prej temave të diskutimit.

Ndërkaq nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, ka thënë për gazetën se ende nuk është caktuar orari i saktë për takimin në fjalë. “Jemi duke shikuar për orarin si të dakordohemi. Jemi duke biseduar për të premten që të shohim nëse mund të takohemi ose jo”, ka deklaruar ai.

Në grupin punues të LVV-së përveç Besnik Bislimit, do të jetë edhe Glauk Konjufca.

Dakordimi për numrin e ministrive

Edhe zyrtarët e LVV-së, edhe ata të LDK-së kanë thënë se nuk kanë diskutuar ende për ndarjen e ministrive. Megjithatë, kanë pohuar se këto dy parti janë marrë vesh për numrin e saktë të dikastereve që do t’i ketë qeveria e ardhshme.

“Në ditën e parë kur është takuar kryetari i LVV-së dhe me të LDK-së jemi dakorduar për numrin e ministrive, por nuk është folur se cilat ministri do t’i drejtojë LVV-ja dhe cilat LDK-ja. Dihet që dy prej tyre i takojnë komuniteteve joshumicë. Në këtë kuptim ne jemi dakorduar për 12 ministri, por lajmet që kanë qarkulluar në medie se LDK-ja ka kërkuar 7 ministri janë spekulime”, ka deklaruar Haxhiu.

Të njëjtën e ka pohuar edhe Haziri, i cili ka thënë se nuk është biseduar për ndarjen e dikastereve.

Sfidat që e presin qeverinë e ardhshme

Pavarësisht faktit që mes LVV-së dhe LDK-së është zhvilluar vetëm një takim mes prejse ka përfunduar procesi zgjedhor, analistët konsiderojnë se gjasat janë të pakta që ky koalicion të dështojë të realizohet. Megjithëkëtë, ai ka thënë se koalicioni paszgjedhor mes këtyre dy subjekteve do të varet nga qëndrimet e brendshme të partive në fjalë.

Krijimi i shpejtë i Qeverisë së re sipas njohësit të rrethanave politike, Rasim Alija, jo vetëm se është i nevojshëm, por është edhe jetik për stabilitetin demokratik. Qeverinë e ardhshme sipas tij e pret një listë sfiduese e punëve.

Në aspektin e brendshëm, siç ai është shprehur, Qeverinë e pret risistemimi i ministrive dhe i administratës publike, hulumtimi në drejtësi, luftimi i korrupsionit, ulja e papunësisë etj.

Ndërkohë sa i përket aspektit të jashtëm, Alija ka konsideruar se dialogu do të jetë tema kyçe në këtë drejtim, bashkë me disa çështje të tjera.

“Në aspektin e jashtëm, energjia e kësaj Qeverie do të shteret në dialogun me Serbinë, në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare, në forcimin e sovranitetit e në liberalizimin e vizave”, ka përfunduar Alija.