Rruga e Kosovës drejt INTERPOL-it, arsyet e dështimit

Rruga e Kosovës drejt INTERPOL-it, arsyet e dështimit

Aktuale October 18, 2019 - 08:04
Detajet
Image

Rrugëtimi i Kosovës, i nisur në vitin 2010, për anëtarësim në organizatën më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor INTERPOL po kurorëzohet me dështime të njëpasnjëshme të Kosovës. Ndonëse këtë rrugë e ka vështirësuar edhe lobimi agresiv i Serbisë, fajtorë kryesorë vlerësohen të jenë autoritetet kosovare, të cilat sipas njohësve të sigurisë nuk e kishin asnjëherë prioritet anëtarësimin aty, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Ndonëse me një këmbë të thyer, pas dështimit të vitit 2018, Kosova edhe këtë vit i kishte hyrë rrugëtimit për të pestën herë më radhë për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor INTERPOL.

LEXO EDHE: Rinumërohen edhe 530 vendvotime, pak gjasa të ndryshojë rezultati

Mirëpo edhe kësaj radhe Kosova dështoi ta finalizojë këtë rrugëtim, por kësaj here jo për shkak të mossigurimit të 2/3 të votave, por me kërkesën e autoriteteve kosovare, të cilët një ditë pasi kishte filluar Asambleja e kësaj organizate vendosën të shtyhet aplikimi i Kosovës për anëtarësim deri në vitin tjetër.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj në fillim nuk e kishte përkrahur idenë që Kosova ta tërhiqte kërkesën e saj, mirëpo një ditë pasi kishte filluar Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it mori vendim që Kosova të stepej nga ky proces, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara e duke u bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sot ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve të sigurisë e cilësojnë si gabim strategjik aplikimin e sivjetmë të Kosovës për INTERPOL, pasi Qeveria në detyrë nuk e kishte prioritet anëtarësimin në këtë organizatë, për shkak të problemeve të brendshme.

Teksa kanë theksuar se qeveria e ardhshme do të duhej t’i analizonte arsyet e dështimit në këtë rrugëtim, ata kanë sugjeruar që institucionet kosovare të mos aplikojnë për INTERPOL as vitin e ardhshëm, me qëllim që të evitohet një dështim i radhës.

Mungesa e lobimit të Kosovës dhe fushata agresive e Serbisë

Njohësi i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja për “Zërin” ka deklaruar se autoritetet kosovare është dashur ta analizonin mirë situatën para se të riaplikonin edhe këtë vit për anëtarësim.

Sipas tij, lobimi nga ana e institucioneve kosovare te shtetet kundërshtuese të këtij procesi ka munguar, derisa në anën tjetër më të theksuara kanë qenë thirrjet e shtetit serb për ta kundërshtuar këtë proces.

“Është dashur ta dimë pas dështimit të fundit që patëm dhe ofensivës serbe që Kosova të mos anëtarësohej në këtë organizatë shumë të rëndësishme të sigurisë. Është dashur që ne të mendohemi mirë a të aplikojmë përsëri ose jo. Mirëpo nëse është bërë ky aplikim, atëherë është dashur që paraprakisht t’i kemi parasysh mundësitë tona reale, çfarë i kemi dhe mundësitë tona materiale, që për një kohë të gjatë të qëndronim në shtete, të cilat nuk na kanë pranuar herën e kaluar dhe të bënim një lobim të dinjiteteshëm. Por kjo nuk ka ndodhur, prandaj kjo ishte dobësia më e madhe jona dhe pikërisht për këto arsye e shumë arsye të tjera Kosova nuk është dashur të riaplikojë këtë vit”, ka thënë ai.

Ndërkohë sipas Qehajës, tërheqja e kërkesës për anëtarësim në moment të fundit tregon papjekuri politike të klasës politike të Kosovës.

“Tërheqja në momentin e fundit tregon një papjekuri tonën politike dhe nuk ka qenë mirë ne të tërhiqemi pavarësisht asaj se dështimi ishte më se i sigurt dhe kujtoj se kjo situatë është mjaft e keqe për ne si shtet dhe nuk na bën nder aspak. Ndërkohë i mbetet qeverisë së ardhshme e cila duke u bazuar në përvojat e kaluara tonat, tashmë ne e dimë se çka duhet bërë, si duhet të sillemi dhe unë kujtoj se nuk duhet të heqim dorë nga kjo çështje, që është me rëndësi për vendin, sepse mosanëtarësimi ynë në INTERPOL reflekton dobësitë tona, por edhe në çështjen e sigurisë në Kosovë e në rajon”, ka thënë tutje ai.

Ndërkohë përveç dështimit të institucioneve kosovare, Qehaja vlerëson se lobimi i shtetit serb për mospranimin e Kosovës në INTERPOL ka ndikuar negativisht në tërë këtë proces. Sipas tij, kjo çështje duhet të shtrohet në tavolinën e bisedimeve Kosovë - Serbi.

Çka duhet të bëjë Kosova për t’u anëtarësuar në INTERPOL?

Kurse eksperti i integrimeve Besnik Vasolli, duke folur për arsyet e dështimit të serishëm të Kosovës të bëhet anëtare e INTERPOL-it, ka thënë se fillimisht duhet të analizohet nëse Kosova është tërësisht e gatshme të jetë pjesë e kësaj organizate gjigante.

Sipas tij, duhet të rishikohet nëse Kosova ka ofruar dëshmi te shtetet anëtare të INTERPOL-it, që është palë e barabartë dhe e besueshme për hetime shumëkombëshe për luftimin e krimit të organizuar, të terrorizmit ose të fushave të tjera.

“Shpesh dëgjojmë që vende të ndryshme janë duke lobuar kundër nesh, por a ka ndonjë gjë tjetër që mund të bëjmë për të përmirësuar situatën ose së paku të mos e përkeqësojmë atë? Duhet të mendojmë a kemi qenë të aftë të dëshmojmë se mund të jemi palë e barabartë dhe e besueshme në hetime shumëkombëshe të luftimit të krimit të organizuar, të trafikimit të narkotikëve ose të terrorizmit? Nëse po, atëherë a jemi të gatshëm për të parandaluar rrjedhjen e informacionit, me fjalë të tjera a kemi mekanizma e procedura konkrete për të parandaluar rrjedhjen e informatave inteligjente, në të cilat si anëtar i INTERPOL-it do të kishim qasje?”, ka thënë ai për “Zërin”.

Kësisoj, sipas Vasollit, nëse analizohen tërë këto del se ndikimi politik në punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm.

“Po ashtu duhet të mendojmë nëse kemi kapacitete për të parandaluar ndikimin politik në punën e sistemit tonë të punëve të brendshme dhe të drejtësisë? Nuk është që kemi treguar rezistencë për të shmangur ndikimin politik dhe për të rritur besueshmërinë në pavarësinë e sistemit tonë të drejtësisë. Në fakt, ne kemi vepruar në të kundërtën, me denigrimin e personalitetit të njërit prej prokurorëve që merrej me rastin e veteranëve, por edhe me rastin e ekstradimit të paligjshëm të shtetasve të huaj nga Kosova ne kemi kontribuuar shumë në humbjen e besimit në sistemin tonë të punëve të brendshme dhe të drejtësisë”, ka theksuar ndër të tjera ai.

Rrjedhimisht sipas tij, poenta nuk qëndron vetëm te lobimi në shtetet kundërshtuese të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, por thelbi qëndron te ngritja e sistemeve dhe e mekanizmave përkatës të cilët do ta rrisin besimin tek institucionet kosovare përgjegjëse për zbatimin e ligjit si brenda vendit, ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar, gjë që pastaj do të mundësonte edhe një lobim më të lehtë e kuptimplotë.

Gabimet e Kosovës që nuk duhen përsëritur në rrugën drejt INTERPOL-it

Në anën tjetër Plator Avdiu, njohës i çështjeve të sigurisë hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, për “Zërin” ka deklaruar se anëtarësimi në INTERPOL nuk ishte prioritet i institucioneve kosovare, prandaj edhe dështimi ishte i pritshëm.

“Nuk ka qenë prioritet i Qeverisë në dorëheqje çështja e INTERPOL-it. Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë pothuajse jofunksionale dhe në këto rrethana kur vendi ishte me një qeveri në dorëheqje ka qenë e pamundur të vazhdohet tutje me procesin e INTERPOL-it. Ajo që është e çuditshme është se këta janë tërhequr ditën kur ka filluar Asambleja e Përgjithshme, pra janë munduar ta kamuflojnë këtë proces dhe tërheqjen e kanë bërë në mënyrë shumë të çuditshme pa ofruar edhe sqarimet e duhura se pse po e shtyjnë këtë proces”, ka thënë ai.

Kësisoj sipas Avdiut, nuk duhet vazhduar tutje në këtë proces pa u analizuar mangësitë dhe rrethanat që çuan deri në dështimin e serishëm të këtij procesi.

“Qeveria e re e cila vjen duhet ta vlerësojë se ku ka ndodhur dështimi, sepse pa një studim ose pa një vlerësim se pse kemi ardhur deri këtu është e padobishme që të vazhdohet tutje. Së pari duhet të dihen rrethanat që kanë çuar deri te ky dështim diplomatik dhe më pas duhet rishqyrtuar kërkesën për riaplikim të serishëm. Nuk mendoj se periudha 1-vjeçare është shumë optimale që të arrihet anëtarësimi në INTERPOL, sepse ky dështim është duke ndodhur që nga viti 2016, herë duke u tërhequr e herë duke mos u kaluar në votim. Prandaj besoj se duhet të ketë një vlerësim të të gjithë faktorëve që kanë bërë që ky proces të dështojë”, ka potencuar ai.

Ndërkohë rrugëtimi i Kosovës drejt INTERPOL-it pati nisur 9 vjet më parë, më 2010-n, ndonëse në atë kohë aplikimi i Kosovës nuk ishte marrë fare parasysh.

Ndërsa në vitin 2015 dhe 2016 Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017-n Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme, ndërsa më 2018-n Kosova nuk kishte arritur numrin e votave të nevojshme prej 2/3 për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.