Tahiri: Po rinumërohet jashtëligjshëm, Nisma do të kalojë

Tahiri: Po rinumërohet jashtëligjshëm, Nisma do të kalojë

Aktuale October 19, 2019 - 10:58
Detajet

Në QNR po vazhdon rinumërimi i 530 vendvotimeve, të cilat mendohet se do të përfundojnë për 7 ditë. Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike thonë se rinumërimi po bëhet jashtëligjshëm. Nisma shpreson që rinumërimi do ta çojë në Kuvend, shkruan gazeta "Zëri".

Politologu Ramush Tahiri e cilëson të panevojshëm rinumërimin. Sipas tij, nëse në fletëvotim janë të nënvizuar kandidatët, por jo partia, atëherë ajo në bazë të ligjit shpallet e pavlefshme.

“Mendoj që rinumërimi ka qenë i panevojshëm dhe nuk i plotëson kushtet ligjore, sepse thuhet se kandidatët kanë marrë vota, por partia nuk ka marrë vota. Ajo në bazë të ligjit shpallet e pavlefshme. Pra, nuk mund ta dish nëse kandidati ka marrë vota, sepse partia nuk është e shënuar, po janë të shënuar numrat dhe ti nuk e di të kujt janë ata kandidatë dhe kjo duhet të shpallet e pavlefshme. Ajo nuk i plotëson kriteret për të qenë e vlefshme”, ka thënë Tahiri.

Tutje Tahiri ka vlerësuar se kur një fletëvotim ka më shumë subjekte të nënvizuar, ajo duhet të shpallet e pavlefshme dhe jo të rinumërohet. Ai thotë se në këtë mes janë komisionarët që duan të falsifikojnë dhe t’i plotësojnë rubrikat e pastra. Tahiri tha se është shqetësues numri kaq i madh i vendvotimeve të rinumëruara, shkruan gazeta "Zëri".

“Nëse ka më shumë subjekte të nënvizuara, gjithashtu fletëvotimi është i pavlefshëm, nuk ka pse të rinumërohet. Mund të ketë rinumërim vetëm nëse komisionarët duan të falsifikojnë edhe aty ku është rubrika e pastër t’ia qesë dikujt. Tash a ia qesin Nismës, Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së nuk është hiç me rëndësi. Për mua është e çuditshme 530 vende të rinumërohen, edhe më herët janë rinumëruar 314. 844 vendvotime të rinumëruara është 1/3 e vendvotimeve, atëherë është të hysh krejt në rinumërim. Këto arsye nuk janë të ligjshme për t’i rinumëruar votat”.

I pyetur se a ka gjasë që Nisma të kalojë pas rinumërimit Tahiri ka thënë se jo vetëm Nisma, por cilado parti mund të kalojë. “Ka gjasa si jo. Në qoftë se ata nuk e kanë qitur partinë e këta e nënvizojnë partinë, cilado që të jetë kalon. Në qoftë se ata po thonë se pjesa më e madhe e rinumërimit nuk e kanë të nënvizuar partinë, por e ka kandidatin, atëherë i kujt është ai kandidat, sepse së pari nënvizon partinë e pastaj kandidatët. Ajo është e pavlefshme, ajo nuk hyn në rinumërim. Edhe ashtu i kemi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme”, tha ai tutje.

Tutje ai tha se LVV-së e LDK-së nuk i konvenon që Nisma të hyjë në Kuvend. Sipas tij, u konvenon partive të tjera. “LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk u konvenon, se momentalisht Vetëvendosje i ka 32 deputetë, Lidhja Demokratike i ka 30 deputetë. Këto dyja bashkë e bëjnë Qeverinë. Nuk kanë nevojë të marrin dikë tjetër, sepse i kanë 62 vota të nevojshme për ta bërë Qeverinë. Por u konvenon partive të tjera dhe i konvenon demokracisë, sepse të jenë tri parti d.m.th. ndahet pushteti dhe më vështirë bëhet qeverisja”, u shpreh ai./ZËRI