Themelohet Task-Forca e përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut

Themelohet Task-Forca e përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut

Aktuale October 22, 2019 - 16:51
Detajet

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të eliminimit të kërcënimeve të sigurisë, kanë nënshkruar protokollin mbi themelimin e Task-Forcës së Përbashkët.

Nënshkrimi i këtij protokolli u bë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tasevki. Ky protokoll u nënshkrua në kuadër të marrëveshjes mes të dy qeverive për bashkëpunim policor.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se nënshkrimi i këtij protokolli në mes të dy vendeve është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e kanë në fushën e sigurisë.

“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit, i cili duhet të zgjerohet tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, tha ai.

Ndryshe, task-forca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve tej-kufitare.