Shpeshtohen ftesat nga Specialja, shtatë brenda një dite

Shpeshtohen ftesat nga Specialja, shtatë brenda një dite

Aktuale tetor 22, 2019 - 20:33
Detajet

Ibrahim Gashi, Jetullah Krasniqi, Isni Kilaj, Fazli Behrami janë disa nga emrat e të ftuarve nga Specialja, raporton T7

Përfaqësues të Gjykatës Speciale janë treguar aktiv edhe gjatë të martës.

Ftesat nga ky institucion i drejtësisë janë shpeshtuar. E gjatë ditës një thirrje e tillë ka trokitur në derën e të paktën 7 personave.

Këtë thirrje e bëri publike në mesditën e së martës, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai theksoi që do t’i përgjigjet kësaj ftese.

“Sot kam pranuar një ftesë për t’u paraqitur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Kam qenë i vetëdijshëm se rrugë tjetër për çlirimin e popullit shqiptar përveç luftës së armatosur nuk ka. Zaten, kjo është mënyra e vetme për të hequr robërinë popujt e pushtuar.”

Shaban Syla po vuan dënimin në rastin “Bllaca 2”, për tentim vrasje ndaj Adem Salihajt, raporton T7.

Por akoma pa përfunduar këtë dënim që iu kishte caktuar, Sylës do t’i bie të ballafaqohet me një institucion tjetër të drejtësisë.

Gjatë së martës, Shaban Syla ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara. Por jo vetëm.

Një thirrje e tillë ka ardhur edhe në adresën e ish-rektorit Ibrahim Gashi. Këtë e ka bërë të ditur vet ai, përmes rrjetit social Facebook.

Ai tha se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Dua të ju njoftoj Ju dhe opinionin e gjerë se para një jave kam pranuar një ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për tu intervistuar në cilësi të dëshmitarit. Duke besuar në drejtësi, sikundër edhe duke qenë shumë i bindur në luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese.”

Intervistimi i Gashit do të ndodhë gjatë javës në Prishtinë.

E Jatullah Krasniqi i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk e ka pritur aq mirë një ftesë të tillë.

Gjatë të martës ai tha se numri i madh i ftesave nënkupton tendencën për ta denigruar luftën e UÇK’së. Megjithatë ai ka vendosur që t’i përgjigjet kësaj ftese.

Thirrje për t’u intervistuar ka marrë edhe Fazli Behrami, nga Skenderaj. Këtë e bëri të ditur Hysni Gucati përmes Facebookut.

Një ftesë të tillë e bërë publike edhe Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, zv.ministri në detyrë i Diasporës, Isni Kilaj.

Sipas kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Hysni Gucati, numri i ftesave gjatë të martës arrin shifrën 7.

Gucati thotë se nëse ndodhin arrestime, nuk përjashtohet mundësia e protestave.

Gucati ka thënë se deri në nëntor priten arrestime për rreth katër persona. Sipas Gucatit vetëm gjatë javës së kaluar kanë arritur 50 ftesa të tilla.