Kosova pa kardiokirurgë, kosovarët detyrohen t’i operojnë fëmijët jashtë
Foto: Laura Hasani

Kosova pa kardiokirurgë, kosovarët detyrohen t’i operojnë fëmijët jashtë

Aktuale November 06, 2019 - 08:01
Detajet
Image

Kosova edhe më tej nuk ka asnjë kardiokirurg, ndonëse ka shumë fëmijë të cilët kanë nevojë për intervenime në zemër. Në mungesë të këtyre këta fëmijë po detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe:  Bllokohen xhirollogaritë e ujësjellësit rajonal “Mitrovica”

Në institucionet publike shëndetësore në Kosovë nuk është asnjë mjek i aftë të kryejë intervenime te fëmijët me probleme në zemër. Që nga viti 2012 më shumë se 100 fëmijë kanë shkuar në spitale të ndryshme jashtë vendit për të bërë intervenime në zemër, të cilat edhe më tej nuk po u ofrohen në vend. E intervenime të tilla për këta fëmijë pritet edhe për një kohë të mungojnë në Kosovë.

Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për “Zërin” se janë duke e trajnuar stafin mjekësor për të dhënë këtë shërbim, por deri më tani ende nuk është licencuar asnjë kardiokirurg. “Kardiokirurgë për fëmijë momentalisht nuk kemi. Ne jemi duke trajnuar stafin për kardiokirurgji pediatrike, por momentalisht ende nuk kemi asnjë të licencuar. Kardiokirurgjia Pediatrike është një sistem i stafit, duke përfshirë kardiokirurgët, anesteziologët, kardiologët”, ka thënë ai.

Derisa asnjë mjek nuk trajtohet për këtë shërbim fëmijët me probleme në zemër edhe gjatë vitit të ardhshëm do të duhet t’i kryejnë intervenimet jashtë vendit.

Spitali Kirurgjiko-Pediatrik po ndërtohet pa kardiokirurgë

Gjatë vitit të kaluar ka filluar edhe ndërtimi i Spitalit Kirurgjiko-Pediatrik në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, i cili siç është thënë më herët nga Ministria e Shëndetësisë, pritet të përfundojë në vitin 2020. Në kuadër të këtij spitali ishte paraparë të kryheshin edhe intervenime te fëmijët me probleme në zemër.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku, ka thënë për “Zërin” se janë duku u munduar të zhvillojnë shërbimin e kardiokirurgjisë me ndihmën e mjekëve të huaj. Ajo ka thënë se me ndërtimin e spitalit të ri pediatrik, disa shërbime të Klinikës së Pediatrisë do të kalojnë në atë spital. “Një fëmijë që ka nevojë për intervenim nuk mund ta bëjë këtë te ne. Te ne ka vetëm pediatër kardiologë, ndërsa për zhvillimin e shërbimit të kardiokirurgjisë jemi duke u munduar ta zhvillojmë me ndihmën e shumë mjekëve që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia e Italia, që vijnë me ekspertë të tyre dhe së bashku me mjekët tanë i identifikojmë fëmijët”, ka thënë ajo.

Telaku ka deklaruar se për kryerjen e intervenimeve në zemër te fëmijët duhet kohë, trajnime dhe staf i ri.

“Ende jemi në planifikimet përfundimtare dhe po mendoj se do të ketë nevojë edhe për staf të ri. Shumica e shërbimeve janë të planifikuara”, ka deklaruar ajo.

Ndihma, e cila po u ofrohet fëmijëve me probleme në zemër

Fëmijët me probleme në zemër, të cilët nuk mund t’u nënshtrohen intervenimeve në Kosovë, po ndihmohen të marrin trajtim jashtë vendit. Vit pas viti zgjidhet një numër i caktuar i fëmijëve, të cilët dërgohen në spitale të ndryshme dhe të cilët nuk kanë nevojë të paguajnë për mjekimin që marrin.

Mazllum Belegu, udhëheqës i projektit “Gift of Life Kosova”, ka thënë për “Zërin” se deri më tani janë dërguar 138 fëmijë jashtë vendit për të marrë trajtimin e duhur mjekësor. Ai ka thënë se gjatë këtij viti janë trajtuar 29 fëmijë me probleme në zemër, disa prej të cilëve janë trajtuar në Prishtinë e disa në shtetet tjera.

“Gjatë këtij viti janë trajtuar gjithsej 29 fëmijë: prej tyre 28 në Prishtinë, në Klinikën e Kardiokirurgjisë, prej tyre 8 me intervenim në zemrën e hapur dhe 20 me kateteruzim dhe 1 fëmijë është trajtuar në SHBA. 1 fëmijë aktualisht është në Lozanë të Zvicrës, ku në fund të këtij muaji do t’i nënshtrohet intervenimit dhe 4 fëmijë janë duke pritur ftesën për të shkuar në Itali dhe 2 tjerë për në SHBA. Deri në fund të këtij viti ka mundësi që të shtohet ky numër i fëmijëve”, ka thënë ai.

Me donacionet që jepen në SHBA fëmijëve u mbulohen shpenzimet e intervenimeve

Belegu ka treguar se mjetet për shpenzimet e intervenimeve që u kryhen fëmijëve sigurohen nga donacionet në SHBA. “Në vitin 2012 organizata me të cilën ne bashkëpunojmë, “Gift of Life International” - GOLI, me seli në Nju-Jork të SHBA-së, ka vendosur që të organizohet përzgjedhja e më shumë fëmijëve në formë të misionit, e cila është organizuar në Prishtinë, ku nga 100 fëmijë të ftuar janë zgjedhur përafërsisht nga 15 deri 20 fëmijë, të cilët janë dërguar në spitale kryesisht në SHBA, por edhe në disa shtete tjera, me të cilat GOLI bashkëpunon. Mjetet për shpenzimet e intervenimeve për fëmijët tanë i siguron drejtoresha e drejtorëve të kësaj organizate, Dr Albana Krasniqi, e cila jeton dhe punon në Nju-Jork”, ka theksuar ai.

Ai ka treguar për gazetën edhe se si bëhet përzgjedhja e fëmijëve me probleme në zemër, të cilët dërgohen jashtë vendit për intervenim. Ai ka thënë se shpenzimet e udhëtimit për këta fëmijë mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. “Në bashkëpunim me Klinikën e Pediatrisë, me Repartin e Kardiologjisë, formohet lista e fëmijëve, e cila u ofrohet anëtarëve të misionit, që përbëhet nga kardiologu pediatrik, echo-sonografistja, nga motra medicinale dhe nga administratori. Këta i zgjedhin fëmijët që duhet të dërgohen pasi ata t’i propozohen spitalit dhe pasi të pranohen fëmijët ftohen nga ana e GOLI-it dhe e Spitalit, i cili i ka pranuar”, ka thënë ai.//ZERI