Muja: Tri arsyet që e lanë jashtë Kuvendit Nismën e AKR-në

Muja: Tri arsyet që e lanë jashtë Kuvendit Nismën e AKR-në

Aktuale nëntor 07, 2019 - 10:47
Detajet

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk i ka certifikuar rezultatet finale, koalicioni Nisma - AKR - PD nuk ka arritur t’i grumbullojë votat e nevojshme të hyjë në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht deklarimeve të përfaqësuesve të këtij koalicioni se e kanë kaluar pragun, njohësit e procesit zgjedhor vlerësojnë se ky koalicion ka mbetur jashtë Kuvendit për vetëm 134 vota, shkruan sot gazeta "Zëri".

Njohësi i çështjeve politike dhe i sistemit zgjedhor në Kosovë, Armend Muja, për “Zërin” ka deklaruar se në bazë të rezultateve, të cilat ende nuk janë certifikuar, Nisma e AKR-ja përfundimisht nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në këtë legjislaturë. Kurse deklarimet e këtij koalicioni për rezultatin e zgjedhjeve Muja i sheh si tentativë që të ndërtohet një narracion, i cili e arsyeton rezultatin e ulët të kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit. “Nisma po tenton ta ndërtojë një narracion të humbjes, sepse këto vota kanë hyrë në sistem para 21 ditëve, nuk e di pse janë fiksuar pikërisht aty. Mirëpo unë vlerësoj se zyrtarë të këtij koalicioni janë duke tentuar ta bëjnë një narracion se me vota të Serbisë ata mbesin jashtë, mirëpo nuk janë vetëm votat e serbëve, por të romëve, të ashkalive, të shqiptarëve etj. Posa të shpallen rezultatet përfundimtare pastaj shihet se sa ka pasur validitet në deklaratat e Nismës”, ka thënë Muja.

Ndërsa i pyetur për arsyet se pse ky koalicion pësoi debakël në këto zgjedhje, Muja ka theksuar se arsyet kryesore janë rritja e numrit të votuesve në zgjedhje, si dhe e kaluara e të dyja partive. “Arsyet kanë qenë që Nisma është parë si parti e estabilishmentit, e para, kurse e dyta, ka pasur një rritje të numrit të daljes së votuesve dhe po të kishte një dalje të vogël në zgjedhje këta kishin mundur të hyjnë, por kur ka dalje të madhe në zgjedhje është problem të kalohet pragu nga partitë e vogla”, ka potencuar Muja.

Po ashtu, sipas tij, historiku i partisë së AKR-së, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte bashkuar me një parti të madhe, ka bërë që të ulet numri i votuesve të këtij subjekti./ZËRI